FERRI MBI TOKË

30 qershor 2019 | 18:49

SADIK KRASNIQI

(Nga pamja e një nëne të re, duke kërkuar fëmijët e saj,
në gërmadhat e qytetit Aleppo të shkatërruar)

Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi
krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj
me fytyrë prej dheu e gjaku të zi

Zot mos më mëkato, po e heq ferexhenë
ata do të më njohin, ma kanë parë fytyrën në shtëpi

Zot jashtë po e nxjerr njërin gji
i vogli i nënës aromën e qumështit do ta ndiejë
ende e pata në gji

Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi të zi
do t’i varros me dorën time
në këtë ranë të djegur
më mirë e verbër
se t’i shoh ata të meitë

Kështu gjysmë të zhveshur
edhe në më marrshin për lavire
të më gjuajnë me gurët e rrënuar
ndoshta e shohin këtë ritual fëmijët e mi
ndoshta do të thërrasin oj nënë

Vetëm të di që janë gjallë
edhe ky ferr mbi këtë tokë
edhe tjetri nën dhe
parajsë do të jenë për mua
vetëm ata të jenë gjallë

Oh pse s’po i njoh fëmijët e mi

Nidda, 2016

AJO NË PASQYRË

Për çdo natë
në dhomën 05
ajo
del nga vetja
si nga këmisha e natës
hyn në kornizë
e tëra bëhet sy
shikon veten e zbrazët
sa t(m)err e ferr
ai hon i zi

Nidda, janar ’18

LUTJE

Hyji im i mirë
mos më verbo herët
si Homerin e Borhesin
s’dua të mbetet ajo
vetëm fanitje vegimi
vetëm imagjinatë e shkruar në letër

S’dua të të kem
vetëm në ëndërr
si piktori me sytë e shpuar
me gjilpërë alli
të të prek
me gishtërinjtë e dridhur
vetëm pikturën tënde nudo

BRENGË

Të shikosh lart
i paske hipur kalit
të thonë
e të marrin në shenjë

të shikosh poshtë
qenke bërë baltë
të thonë
të shkelin si dheun

të shikosh anash
dhelpër e hijes së malit
të thonë
t’i ndërsejnë zagarët me lara

të shikosh drejt
sytë t’i nxjerrin

ku ta gjej degën e blertë
ta var kafkën time
pa sy

QË JETA TË ZGJATET

I sheh ata të përhumburit
secili shet diçka të dhimbshme

ai atje laprën e veshit
syrin e zi ai tjetri do ta shiste
dhëmbët e bardhë zeshkani
ai i zbehti veshkën
ata që po qeshen
si dje edhe sot gjak shesin

që jeta të zgjatet

tani vijnë ata me xhipat
me xhama të zi
me tabela me vetëm një numër të përsëritur

e marrin mallin e porositur

bëj se nuk po i vëren
mos i shiko në sy
se në qafë na marrin

*diku në Ballkanin e pasluftës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zija Vukaj Duke lexuar vëllimin poetik të poetit Sadik Krasniqi,…