
Festa e Bajramit sjelltë në familjet tuaja paqe, lumturi e begati
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët myslimanë që po e përmbyllin sonte muajin e gjatë të solidaritetit, dashurisë e mirëbesimit mes njerëzve, por edhe të sakrificës në emër të dashurisë, mëshirës, humanizmit e solidaritetit.
“Nesër, do ta festojmë festën e madhe të Fitër Bajramit. Sado që këtë vit, për shkak të situatës me pandeminë, s`do të mund të takohemi për t`ia uruar njëri-tjetrit, uroj që të gjejmë mënyra për ta shpërndarë dashurinë për familjen, të afërmit e miqtë, duke e shpërfaqur shpirtin solidar.
“Uroj po kështu që kjo festë të na shërbejë për t’u ofruar ndihmë e dashuri njerëzve që kanë më së shumti nevojë, për t`iu gjetur pranë të varfërve e të pastrehëve dhe për ta dëshmuar se bota do të jetë edhe më e mirë falë këtij angazhimi! Festa e Bajramit sjelltë në familjet tuaja paqe, lumturi e begati!”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.
(M.Q / Epoka e re)