Festa e Flamurit, Begaj: Nga Vlora uroj të gjithë shqiptarët kudo në botë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nga Vlora ka uruar kudo shqiptarët në botë për festën e Pavarësisë.
Begaj, mes tjerash ka theksuar se Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë.
“Nga Vlora, uroj të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në botë: Gëzuar Festën e Pavarësisë!”.
“Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë”.
“Liria sjell përgjegjësi. Le të na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues, të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët”.
“Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqipërisë. Gëzuar!”, ka shkruar Begaj në “Facebook”.