“Festa e leximit”, detajet e panairit që ktheu Kamzën në “kryeqytet”/Nga organizimi, personalitetet dhe interesi i lexuesve
Për dy ditë rresht, përkatësisht në datat 10-11 maj (premte dhe të shtunë) Kamza, qyteti më vital në Shqipëri, bashkia e gjashtë më e madhe në vend, kishte festën e librit, një aktivitet i kthyer tashmë në traditë. Ishte ky edicioni i tretë i panairit ”Kamza Lexon” organizuar nga drejtoria e Qendrës së Kulturës në Bashkinë Kamëz në stendën e ngritur në sheshin “Nënë Tereza” me mbështetjen e veçantë dhe të drejtpërdrejtë nga kryebashkiaku Rakip Suli, i cili pa u kursyer mundësoi që edhe kësaj here për dy ditë rresht ta kthente Kamzën në kryeqytetin e kulturës. Çdo element i këtyre dy ditëve të panairit kishte qëllimin e vetëm që qytetarëve të Kamzës t’u jepej mundësia e një kontakti të drejtpërdrejtë me personalitete të letërsisë drejtues të Fakultetit Histori-Filologji, autorë tekstesh, shkrimtarë, gazetarë dhe botues. Veç 20 takime promovuese, pjesëmarrjes së mbi 30 shkrimtarëve, pedagogëve, studiuesve dhe gazetareve, 20 shtëpive botuese prezente me botimet e tyre dhe 5 çmimeve që pritet të jepen të mërkurën, ajo që me shumë kishte rëndësi ishte që qyteti gumëzhinte edhe më shumë nga qytetarët që vinin në orare të ndryshme, kryesisht fëmijë të shoqëruar nga prindër dhe të rinjtë të cilët i shihje stendave për të blerë librin. Ky interes është lajmi më i mirë, ishte pikërisht ajo që donin organizatorët. Në sheshin “Nënë Tereza”, por edhe bibliotekën e pallatit të kulturës “Artan Cuku” Kamëz kishte takime të ngjeshura me big-ët e letërsisë. Konsolidimi i panairit si rrallë ndër bashkitë e vendit dhe organizimi i shkëlqyer me seriozitetin më të madh, ka bërë që njerëzit e letrave të vijnë në Kamëz dhe japin edhe ata kontributin për lexuesit. Pa u ndalur tek të gjithë autorët e shumtë, prezenca në panairin “Kamza lexon” edicioni i III-të e prof. Dr. Dhurata Shehri ( zv.Dekane Fakulteti Gjuhë – Letërsi), prof.Prof.Dr. Persida Asllani (shef i Departamentit të Letërsisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, UT), prof.as.Dr Erenestina Gjergji Halili (Fakulteti Gjuhë – Letërsi), prof. Ardian Ndreca (shkrimtar, studiues, , Universiteti Urbaniana Romë ardhur enkas për panairin), e Virgjil Muçit (shkrimtar), të nderuarës Flutura Açka (shkrimtare, ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë), Dr. Fabio Rochi Effe Emme Erre (Qendra e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët) Itali, znj.Entela Kasi (Presidente e Pen Albania), e Gianni Palagonia me një karriere mbresëlënëse në policinë italiane dhe shkrimtar, Dashnor Kokonozi Vera Bekteshi, Namik Dokle, takimin moderuar nga Arta Marku Qëndro, etj, çertifikon panairin si një aktivitet të përmasës kombëtare dhe jo lokale. Secili prej mbi 30 autorëve që folën në takimet e tyre prezantuese me lexuesit veç prezantimit të botimeve të tyre, sensibilizuan veçanërisht nxënësit e shkollave që ta duan librin, ta kenë mikun e tyre si rrugën më të mirë për të qenë të ditur dhe pse jo edhe më të edukuar me një botë shpirtërore edhe më të pasur. Edhe lexuesi që në Kamëz nuk mungon për fatin sepse është një zonë me një popullsi relativisht të re dhe kjo konfirmohet edhe nga numri i madh i shkollave në terren, pati interesin të vinte ne stendat e mbi 20 shtëpive botuese për të zgjedhur librin e preferuar apo sugjetuar nga miq apo mësuesit. Ky interes ishte i shtuar deri në orët e vona të pasdites të së dielës edhe pse aktivitete zyrtare përfunduan. Drejtoria e Artit dhe Kulturës ishte në vigjilencë maksimale që gjërat të shkonin mësë miri në deri në detaj. Detyrat e ndara nga drejtoresha Rigelsa Gupe ishin të qarta për specialistët, organizatori, shkrimtari dhe përgjegjësi i Bibliotekës së Pallatit të Kulturës Liridon Mulaj i kishte sytë katër që gjërat të shkonin si ai i donte. Ndonjëherë sa ulej, i duhej dhe të ngrihej për t’u kujdesur për detajet. Në mbështetje teknike ishin të palodhurit Dashi, Sania, Nekiu, Afrimi, Lirimi, Sokoli, Nora, Tea, Krisilda, Dardani, Kristi, Shpëtimja, Antoneta, Gilma, Ela, Ramazani deri tek Liljana në gatishmëri për të përmbushur çdo detyrë që iu ngarkohej për mbarëvajtjen sa më mirë të aktivitetit. Kjo qasje e kolegëve, të gatshëm për t’u gjendur për çdo kërkesë, ulte shpesh tensionin tek Liridoni që ishte në kërkim të prefeksionit që në fakt ndodhi në festën e librit në Kamëz.
Do të ishte ora 16:32 e datës 11 maj, pas takimit të fundit në bibliotekë që Liridoni të çlirohej nga ai ankth që e pushtonte në fraksione të ndryshme kohe dhe përmes një sms do të falënderonte kolegët.
Disa orë në vonë edhe pse i lodhur Liridoni do të gjente kohë për një falenderim dhe mirënjohje teksa shkruan: -“Kjo foto e shkrepur nga Bona , me sytë mbi telefon, simbolizon me se miri atë çka unë kam qene në dy ditë. Herë aty e here jo. A erdhi shkrimtari? A u firmos kontrata? A erdhën stendat? Po fonia a është ne rregull? Salla lart a është e sistemuar? A hëngrën drekë miqtë? A u sistemuan mirë në hotel? Pra Liridoni në dy ditë nuk është shkrimtar, as autor por zëri, syri i secilit aty qe mundohet të organizojë një panair model në një qytet vital dhe të jashtëzakonshëm si Kamza. Falënderimet e gjata do i bëj nesër, qe nga kryetari Rakip Suli i cili kurrë s’më tha jo as për ide te çmendura si panairi po as për tekat e mija që sigurisht janë pasojë e mirëkuptimit dhe lirshmërisë që ai me jep çdo ditë në punë. Stafin e pallatit të kulturës pra kolegët e mi të cilët e dinë që në dy ditë panair jam njeriu më i poshtër që ekziston mbi dhé. Por gjithçka e udhëheq pasioni dhe dëshira me zgjeru sa me shume rrethin e njerëzve që lexojnë , mendojnë e punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë dhe më të përgjegjshëm. Faleminderit te gjithëve nga zemra”