Festa e Pashkës, Kurti: Më shumë se kurrë kemi nevojë për besim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve.
Kurti në “Facebook”, ka shkruar se më shumë se kurrë kemi nevojë për besim, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t’i kalojmë të gjitha pengesat me durim e t’i kremtojmë arritjet me gëzim.
Urime Pashkën besimtarëve katolikë e protestantë! Urime për të gjitha familjet që e shënojnë këtë festë të shenjtë e të madhe. Më shumë se kurrë kemi nevojë për besim, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t’i kalojmë të gjitha pengesat me durim e t’i kremtojmë arritjet me gëzim. Le t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se me më shumë vendosmëri e besnikëri, të inkurajuar nga shpresa e të mbrujtur nga përkushtimi, së bashku, ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit dhe solidaritetit. Le të frymëzohemi nga gëzimi që vjen pas sakrificës së madhe, nga gëzimi i ringjalljes, nga kumti i Pashkës për më shumë përgjegjësi dhe unitet”.
“Kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët tanë. Le të tregojmë solidaritet dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët. Festa e Pashkës është festë e shpresës, besimit dhe dashurisë së përjetshme, ku jeta mposht vdekjen dhe drita mposht errësirën. Ajo evokon devocionin dhe tregon rrugën e ripërtëritjes dhe rilindjes. Na inspiron për të arritur fitoren e së mirës mbi të keqen me fuqinë e shpirtit tonë. Për shumë mot urime Pashkën!”, ka shkruar Kurti.