Festa e Shën Nikollit, mikut të fëmijëve/ Sot ndizen dritat e bredhit festiv
Nëse 5 dhjetori i çdo viti simbolizon vendosjen e bredhit të festave, data 6 është dita kur ndizen dritat vezulluese.
Duhet thënë se 6 dhjetori përkon me festën e Shën Nikollit, ipeshkv i shenjtë, të cilin Kisha e përkujton më 6 dhjetor. Shën Nikolli lindi në qytetin Patara në rajonin e Liçias në Azinë e vogël (Turqia aktuale) në një familje mjaft të pasur.
Një legjendë tregon që Shën Nikolli ringjalli tre fëmijë që një kasap kishte vrarë e copëtuar për t’u shitur mishin. Për këtë episod Shën Nikolli është cilësuar si mbrojtësi i fëmijëve. Po kështu, Shën Nikolli gjithmonë thuhet se u përpoq që të bënte bamirësi fshehurazi dhe ta fshihte nga sytë e botës autorin e këtyre veprave të mira.
Sipas traditave dhe gojëdhënave, Zoti nëpërmjet këtij Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie.
Shën Nikolli vdiq më 6 dhjetor të vitit 343. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shek. VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij filluan të organizoheshin pelegrinazhe. Shumë shkrime ne greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantine-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në jug të Italisë.
Shën Nikolli është i njohur edhe jashtë botës së krishterë, pasi mendohet se prej tij nis legjenda e Santa Claus-it (Klaus), Babagjyshit që sjell dhurata në fshehtësi.