Festa e Fitër Bajramit, Haradinaj viziton BIK-un
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se detyrë e pashmangshme e institucioneve është që të gjithë qytetarëve t’ua mundësojë lirinë e besimit, si një e drejtë me kushtetutë e ligj dhe zbatimin e besimit në bazë të bindjeve të tyre.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Të gjithë besimtarëve myslimanë, urime festa e Fitër Bajramit. Sot, pata nderin që të uroj myftiun Naim Tërnava dhe gjithë BIK-un për këtë festë të paqes, harmonisë e tolerancës mes vete.
Në këtë festë që i bën bashkë familjet dhe përçon mesazhin e dashurisë dhe solidaritetit, uroj që shqiptarët kudo nëpër botë t’i bashkojë atdhedashuria, si një vlerë kulmore e jona!
Detyrë e pashmangshme e institucioneve tona është që të gjithë qytetarëve t’ua mundësojë lirinë e besimit, si një e drejtë me kushtetutë e ligj dhe zbatimin e besimit në bazë të bindjeve të tyre!
RH