Festa kuqezi zhvendoset në Dusseldorf, priten 30 mijë shqiptarë kundër Spanjës
Kombëtarja ndodhet në Dortmund ku po përgatit duelin kundër Spanjës, sfidë që do luhet të hënën në orën 21:00 dhe është i fundit për Grupin B, 90 minutat që do vendosin shumë për fatet e tanëve në këtë event.
Kuqezinjve u duhen tri pikë, paçka se në tëtë duelet kundër Spanjës kemi po kaq humbje në fushë.
Për këtë duel trajneri de la Fuente ka ideuar një rotacion te “Furia e Kuqe”, kjo pasi Spanja është e kualifikuar si e para e Grupit B pas dy fitoreve.
Në mbështetje te kuqezinjve në stadiumin e Dusseldorfit besohet se do jenë më shumë se 30 mijë shqiptarë, duke u dhënë zemër lojtarëve në fushë.
Kundër Italisë në ndeshjen e parë ishin më shumë se 50 mijë tifozë të Shqipërisë, teksa pamjet e ultrasve kanë bërë bujë në Evropë.
Të hënën në 21:00 të gjithë shqiptarët do i kenë sytë në Dusseldorf, aty ku stadiumi me 49 mijë ulëse duket se do “pikturohet” kuqezi.