Festat e Nëntorit ka kohë që fillojnë me të kujtuarit e lavdit për Riza Llukën
Shkruan: Fitim Behluli
Me disa prej miqve, bashkëpunëtorëve e dashamirëve të të ndjerit, nga Media dhe Kultura, të prirë nga ish-kreu i Bashkësisë Islame të Pejës mulla Nexhmedin Hoxha, nderuam veprën e Riza Llukës sot, në 9 vjetorin e ndarjes nga jeta!
Kujtuam burrin fisnik e të fjalës, Njeriun që tërë jetën e tij e kishte betejë, personalitetin që me autoritetin e tij hiqte çdo pengesë -Dimensionin Riza Lluka.
-Riza Lluka, nëntorët i kishte te veçant gjithmonë. -Sikur e ndjente se do të ikte në një ditë nëntori. -Pak data të rëndësishme kishte në jetë ky njeri. -Por ato që i kishte me të vërtetë ishin me peshëdhe i çmonte.
-28 Nëntori ishte ai i flamurit.
-Shkurti edhe pse quhej muaj shkurt, në mbamendjen e tij ishte muaji më i gjatë i vitit. -I kujtonte minatorët dhe grevën.
–Marsi siç thoshte vet drejtori, – ishte muaji i thyerjeve të mëdha historike. ‘Të jesh apo të mos jesh’.
I tillë ishte Riza Lluka…
Riza Lluka që sa herë fliste … dhe kishte shumë për të treguar sepse pos si njeri e familjar ishte edhe veprimtar i çështjes kombëtare, politikan aktiv dhe humanist.
-Si shpirt i lindur sipërmarrësi, çështja kombëtare … pozita e rëndë e popullit të vet nuk do ta linte të qetë. Do ta thoshte shpesh herë gjatë jetës së tij, Drejtori, ‘Fatet personale nuk mund të jenë vetëm personale’.
Po, …Ishte Riza i 23 Marsit të vitit 1989.
Ishte Riza, me Minatorët
Ishte Riza, misionar i pajtimit të gjaqeve bashkë me Anton Çetën e Zekerija Canën.
Ishte Riza, me kontributin e tij në elektrifikimin e Rugovës.
Ishte Riza – Deputet i parlamentit të Kosovës (1992-1998)
Ishte Riza, që mbështeti luftën e pastër të UÇK-së dhe rimëkëmbjen e Pejës.
Ishte Riza, Këshilltar komunal i Pejës për dy mandate.
Ishte Riza, që Pejën e bëri me shkollë baleti.
Ishte Riza, që do bëhej kryefjalë me tërë bagazhin e tij njerëzor human e politik, për skamnorët e Pejës, me projektin-Gjelltorja humanitare ‘Jetimat e Ballkanit’, projekt që sot gëzon shtrirje gjithëkombëtare.
Ishte Riza, Drejtor i RTV ‘Dukagjini’ që për 15 vite të plota do ta ndihmonte guximin gazetaresk. Njeriu që me idetë e tij do ta bënte Pejën të madhe, duke i dhuruar frymë qytetarie dhe shpresë. Do ti falte Pejës e Kosovës atë që i mungonte; Fjalën e lirë dhe mendimin kritik.
Ishte Riza, që shpesh’ gjatë jetës do të rrethohej me shumë njerëz, që nga atdhetarë të devotshëm, akademikë e politikanë të ekuilibruar, deri tek karrieristë të pacipë. -Nganjëherë kishte shumë inat e zemërim por, në çaste vendimtare dinte të shmangej dhe të merrte vendime unifikuese. -Kundërshtarët politikë e respektonin.
Riza Lluka që çdoherë do të dilte fitimtarë përballë furtunave të kohës. Më 25 nëntor të vitit 2014, do të ishte beteja e parë dhe e fundit e tij që do ta humbiste, … ajo me vdekjen.
Riza do të ikte bukur, ashtu edhe siç jetoi bukur. -Në gjirin e ngushtë familjarë, në shtëpinë e mbushur me plot nipa e mbesa… në qetësi e heshtje … në një mesditë me shi … do të pushonte së rrahuri zemra e tij e madhe. -Boshllëk … Me të po ikte edhe një copë e shpirtit të qytetarisë pejane. -Ama … edhe po linte kujtime të bukura. Do mbahej si trim edhe në vdekje.
Me flamur mbuluar, edhe ditën e fundit po e mbyllte dhe shënonte festën kombëtare që e deshti shumë – 28 Nëntorin!
-Të gjithë ata që do ta njihnin nga afër ose nga larg … do ta kenë në mendje me fjalët ‘Riza Lluka lamtumirë … ne do të të duam gjithmonë’.
-E unë me shumë krenari të them … Drejtor falëmnderit … pusho i qetë sepse dinjitetshëm i ke bërë vend vetës në histori.