Festë dhe politikë, turistët largohen nga Betlehemi
Betlehemi ka nisur të ndiejë efektin e deklaratës së Donald Trumpit mbi Jerusalemin. Qyteti i lindjes së Krishtit jeton praktikisht me turizëm, por këtë vit, me dhjetëra grupe vizitorësh e kanë anuluar udhëtimin e tyre.
Në rrugë, krahas zbukurimeve të Krishtlindjes, gjen edhe parulla ku Jerusalemi përshkruhet si “kryeqyteti i përjetshëm i Palestinës” e thirrje për një intifadë të re.
Arsyeja e bojkotimit nuk është thjesht rrjedhojë e zemërimit për shkeljen e të drejtave të palestinezëve. Shkaku kryesor është shqetësimi nga mundësia e një shpërthimi të trazirave.
Më shumë tensione përkthehen në më pak vizitorë. Shumë hotele raportojnë anulime prenotimesh, e më pak të huaj shihen sot në sheshin e Grazhdit, epiqendra turistike e Betlehemit.
Parashikimet nuk janë nga më të mirat as për ditët në vazhdim. Këtë herë, fluksi i njerëzve që duan t’i kalojnë festat në vendlindjen e Jezuit nuk duket edhe aq premtues, e më së pari pritet të vihet re një mungesë e palestinezëve të Galilesë, frekuentuesit më të rregullt të qytetit gjatë kremtimeve të krishtera.
“Turistët izraelitë dhe ata me origjinë palestineze kanë anuluar gjithçka, e të njëjtën gjë po bëjnë edhe të huajt”, rrëfen Fadi Kattan, pronar i një bujtine dhe një restoranti në zemër të Betlehemit.
Sezoni turistik, sipas tij, në fillim premtonte për mirë, por pas njoftimit të Trumpit gjërat ndryshuan.
Kjo është periudha më e rëndësishme e vitit për këtë qytet, ku ritet e Krishtlindjes mbahen në 3 data të ndryshme: më 25 dhjetor, siç e kërkon tradita romano-katolike e ajo protestante; më 6 janar, kur kremtojnë të krishterët ortodoksë; si dhe më 19 janar, dita e festimeve të komunitetit ortodoks armen. (Th)