Festime në Mitrovicën e Veriut pas mospranimit të Kosovës në Interpol
Qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut kanë festuar mospranimin e Kosovës në Interpol.
Disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut janë parë të kenë festuar, teksa kanë parakaluar me makinat e tyre, ku kanë vendosur flamujt kombëtar serb.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol, pasi nuk arriti që t’i sigurojë dy të tretat e votave, sa ishin të nevojshme për pranimin në këtë organizatë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, që është mbajtur të martën në Dubai, në raundin e parë të votimeve, Kosova ka arritur të marrë 76 vota për, 56 votuan kundër, ndërkaq, 22 abstenuan. Ndërkaq, në raundin e dytë të votimeve, Kosova ka siguruar 68 vota për, 51 kundër dhe 16 shtete abstenuan.
Zyrtarët në Prishtinë, lidhur me mospranimin e Kosovës në këtë mekanizëm fajësuan “fushatën e egër” të zhvilluar nga Beogradi zyrtar kundër pranimit të Kosovës.
Që nga viti 2010, Kosova ka tentuar që të anëtarësohet në Interpol, por atë vit, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.
Vitin e kaluar, më 2017, Kosova kishte e tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.