FESTIVALE PLOT, AUTORË SHQIPTARË (AS)PAK
Shkëlzen Halimi
Kultura shqiptare, në të gjitha hapësirat ku ajo zhvillohet, fatkeqësisht akoma vuan nga kozmopolitizmi i tepruar, i cili në fakt rrezikon të shndërrohet në mohim të vlerave që i atribuohen identitetit tonë dhe pranimit me çdo kusht të vlerave të huaja. Tashmë është bërë praktikë (për të mos thënë traditë) që muajt tetor dhe nëntor, kur bëhet fjalë për kulturën shqiptare, të jenë në shenjë të festivaleve kombëtare e ndërkombëtare të teatrove. Kështu, të tilla festivale organizohen në Dibër, Gostivar, Tiranë, Tetovë, Shkup, Prishtinë, Preshevë, Ferizaj, Korçë, Gjirokastër, Elbasan etj. Ajo që bie në sy, sidomos kur bëhet fjalë për festivalet kombëtare, është mungesa e autorëve shqiptarë dhe dominimi i autorëve të huaj. Se pse kjo ndodh kështu, ka shumë shpjegime, por kësaj radhe duhet potencuar se kjo çështje kërkon vëmendje të veçantë, pasi nuk bëhet fjalë për mungesë të autorëve shqiptarë, por për disa “matematika” dhe injorim të vetvetes, shpesh edhe me përkrahje institucionale. Sivjet, bie fjala, ndodhi që në dy festivale, nuk pati asnjë autor shqiptar (mendohet në veprat e inskenuara), kurse në shumicën prej tyre nga një apo në ndonjërën syresh edhe dy. Kjo flet qartë se alarmi duhet ndezur sa më parë dhe ministritë përkatëse duhet të këmbëngulin në përkrahje dhe në mbrojtje të autorëve shqiptarë. Është absurd ngulmimi si e si i teatrove tona dhe drejtuesve të tyre në inskenimin e veprave të autorëve të huaj (në të shumtën e rasteve) për t’i ikur honorarit që duhet t’i takojë autorit shqiptar ose veprimit në formën “unë ty e ti mua”, ose edhe më keq, duke plotësuar dëshira të regjisorëve, aktorëve, dramaturgëve për llogari personale. Nuk kemi nevojë të bëhemi robër të injorancës, matematikave e kombinimeve personale dhe mbase edhe të politikave ditore, sepse kjo dëmton rëndë kulturën shqiptare në përgjithësi e në rastin konkret dramën shqiptare…