Festivalet, çmimet dhe klientelizmi
Nga Agron Gërguri
Festivalet teatrore janë një stacion ku ndalet treni artistik për të vlerësuar ku është kah do tutje në këtë rast Teatri dhe cilës linjë udhëtimi duhet dhënë përparësi drejtimi.
“Katër epoletat” shfaqja që i tejkalonte përmasat e festivalit
Festivali i mjeshtërve të mëdhenj të skenës që këto ditë u mbajt në Gjirokastër dhe mbante emrin “Ndrek Luca” pati një repertor të zgjedhur me shfaqje nga Mitrovica, Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri. E nisi Gjirokastra me premierën e shfaqjes “Buzëqeshje e hidhur” autor Hysni Koka, regjisor Milto Kutali. Në mbrëmjen e dytë u prezantua Teatri “Muharrem Qena” i Mitrovicës me dramën e jashtëzakonshme “Katër epoletat” të autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi.
Duke filluar nga teksti si perlë e dramaturgjisë kombëtare, shtruarja skenike inventive, interpretimi bravuroz i Ismet Azemit dhe Basri Lushtakut ndihmuar nga Adem Zhitopotoku e deri te mahnitja e spektatorëve gjirokastrit me vlerësim superlativ siç e thanë shumë nga të pranishmit e ku nuk mungoi as vlerësimi verbal i anëtarëve të jurisë. “Unë nuk dua të shikoj shfaqjet tjera të festivalit ngase druaj se do të më prishet mbresëlënia absolute nga kjo shfaqje e jashtëzakonshme si regjisurë, interpretim, harmoni e domethënie duke e vlerësuar tekstin e dramës për nivelin artistik e përmbajtjesor krahasuar me Becketin dhe të gjithë përbërësit tjerë të shfaqjes”, tha një aktor gjirokastrit plotë mahni pasi e shikoi në skenë dramën “Katër epoletat”.
Duke regjistruar reagimet e shumta si ky i teatërbërësëve dhe spektatorëve të qytetit të mrekullueshëm të Gjirokastrës shfaqja “Katër epoletat”, nga fillimi e deri në fund, ishte kulmi i festivalit. Një krijim tari e cila i tejkalonte përmasat e evenimentit.
Nisur nga aktrimi i Ismet Azemit dhe Basri Lushtakut të cilët kishin ndërtuar karaktere të vështira për interpretim por të realizuara mjeshtërisht me nuanca intonative, me lëvizje plastike si shprehje që deshifronin veprimet e dy gjeneralëve të cilët pas shumë luftërave, vrasjeve krimogjene, po bënin përpjekje për t’u kthyer në njerëz si një mision i pamundur sepse ata ishin pasqyrë apo kipc i vetvetes dhe nuk fshiheshin dot nën lëkuren tjetrit. E veçanta kreative në interpretimin e tyre është tipizimi i detajuar i karaktereve në një lojë harmonike e cila prek kulmin e realizimit artistik në një ballafaqim skenik që rrallë shihet në skenat tona. Dinamika, tensioni, timbri, lëvizjet emocionale brenda situatave, konkretizimi i secilit mendim skenik i Ismet Azemit dhe Basri Lushtakut përmes një mizanskeni të disejnuar mjeshtërisht nga Haqif Mulliqi, shfrytëzimi funksional i atyre pak rekuizitave me shumë kuptime. Artikulim i veprimeve foljore dhe fizike në përmbajtjen e dramës që zbërthente absurdin e luftës, kur nuk e di as kë e ke armik, ecte nëpër labirinthet e të keqes njerëzore dhe dhunën si shprehje e kësaj të keqeje të cilën e kanë përjetuar tragjikisht kosovarët.
Cilido që ta ketë shikuar shfaqjen “Katër epoletat” e sidomos spektatori i kualifikuar siç nënkupton të jetë secili anëtar i jurisë të çdo festivali pra edhe jurisë së festivalit të Gjirokastrës do duhej t’i kishte regjistruar partiturat e realizuara të shfaqjes “Katër epoletat” pikësëpari duke respektuar Teatrin si art dhe si institucion dhe misionin apo jo që ai ka. Por çuditërisht anëtarët e jurisë në Festivalin “Mjeshtrit e mëdhenj të skenës” nuk i regjistruan frekuencat që emetoi shfaqja dhe e gjeten që t’i japin çmim special jo për faktin se vërtetë shfaqjen e vlerësonin speciale porse ata ishin specialistë të këtij specialiteti vlerësues.
Gafat apo shpërblimi i parodizmit si rëndomësie e imitimit
Thuhet se për shije nuk debatohet, por në festival mendoj do duhej të objektivizohej mendimi për arritshmërinë artistike me kriteret e vlerësimit që do duhej ndoshta t’i nxjerr organizatori në zbatim të kritereve të njohura dhe të regjistroj dhe arkivoj specifikat përmes vlerësimit artistik dhe estetik të secilës shfaqje.
Asgjë nuk i ka penguar jurinë që t’i shohin artistikisht e me kritere estetike argumentet skenike dhe që i ofruan me interpretimet brilante të Ismet Azemi dhe të Basri Lushtaku e t’i vlerësojnë si një me çmimin për aktorë protagonist. Gjithashtu do duhej të vlerësohej autori më komplet si dramatist dhe regjisor Profesor Haqif Mulliqi i cili e ka nderuar festivalin me pjesëmarrje.
Vlerësimi nuk është çështje miqësie e as blerje kredie për pjesëmarrje në festivalet tjera. Aq më tepër nuk do duhej të ishte marrëdhënie klienteliste në raport me vlerën artistike aq më keq në dëm të saj.
Nikoqirllëku i gjirokastritëve që personalizohet me drejtorin e Festivalit Kudret Alikaj ishte në nivelin e vlerave që përmban qyteti me një trashëgimi të prekshme mijëravjeçare por duket se juria e festivalit nuk ishte në korrelacion me atë që ofronte dhe impononte si kriter vendlindja e Kadaresë. Vendim-marrja e tyre nuk përkon me arritshmërinë artistike dhe estetike por sikur kanë përdorur herë dioptri të zvogëluar e herë të zmadhuar për të nda çmime e jo vlerësuar shfaqjet dhe krijuesit e tyre.
Është koha e fundit që anëtarët e jurisë, për hak të festivalit, të arsyetojnë çmimet duke na i publikuar me shkrim vlerësimet e veçanta për secilën kategori. Ashtu ata, kushdoqofshin si emra, do të lënë një dëshmi argumentuese për kriteret e vlerësimit dhe nuk lënë hapësirë për interpretime të ndryshme të vendimeve të tyre të cilat jo rrallë gjejnë bazë jo tek shfaqjet por tek ftesa për festivalin e radhës.
Sepse përveç se festë e komunitetit artistik festivalet do duhej të regjistrojnë me përgjegjësi profesionale nivelin e dramës kombëtare para së gjithash, invencionin kreativ të aktrimit, regjisurës, skenografisë, dizajnimit të dritave të gjitha këto të lidhura me shtjellimin e temave të cilat shqyrtojnë, provokojnë dhe dialogojnë me problemet e shoqërisë. Derisa kam përshtypjen (qofsha unë i gabuar) se po shpërblehet parodizimi si një lloj rëndomësie e imitimit që nuk ka të bëjë me thjeshtësinë si arritshmëri kulmore artistike por me KONDOMPËLQIM argëtues. Duke qenë se artistët mjet pune e kanë emocionin të cilin edhe e latojnë në kërkim të harmonisë me veten dhe të tjerët mos i lëndoni sepse e fyeni të vërtetën që ata përfaqësojnë e mbi të gjitha, vlerësimet e këtilla e fyejnë vetë jurinë.