Festivali “I këndojmë lirisë”, festival i të gjithë shqiptarëve

06 qershor 2022 | 17:46

Familjarë të dëshmorëve,

Të heronjve,

Të martirëve,

Invalidë, veteranë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Bashkëluftëtarë të komandant Mujë Krasniqit,

Miq, dashamirë, artistë, profesionistë të artit dhe të kulturës nga të gjitha trojet shqiptare,

Kolegë të komunës së Klinës,

 

Mirë se keni ardhur në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit, alias komandant “Kapuçit”, në vendlindjen e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”.

Festivali “I këndojmë lirisë” nuk është festival vetëm i Klinës. Është festival i të gjithë shqiptarëve. Këtu po shoh bashkëkombës nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. Kanë ardhur, enkas për këtë festival, edhe shqiptarë që punojnë dhe veprojnë në diasporë, të cilët, me dhe nëpërmjet mënyrave të ndryshme, kanë dhënë kontribut për çlirimin e Kosovës.

Këtë festival e organizojmë që dy dekada për ta kujtuar dhe nderuar veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçan për ta nderuar dhe përkujtuar veprimtarinë atdhetare të komandantit të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit, alias komandant “Kapuçit”.

Këtë festival e organizojmë tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor, me rastin e ditëlindjes së komandant “Kapuçit”. Sivjet e shënojmë vitin jubilar të tij, 20-vjetorin e tij.

Festivalin e ndërpremë, dy vjet me radhë, për shkak të pandemisë. Gjatë këtyre dy vjetëve të ndërprerjes së tij, me shumë prej jush, sidomos me ju që mezi s’e keni pritur organizimin e këtij festivali dhe keni ardhur këtu, s’jemi parë. Më ka marrë malli për ju dhe sigurisht ju ka marrë malli edhe ju për ta takuar njëri-tjetrin këtu ku, njëzet e saj vjet më parë, në vend të zërit, gjëmonin tytat e pushkëve të çlirimtarëve tanë.

Sa herë që i kemi organizuar edicionet e këtij festivali çdoherë ato i kemi pasuruar me grupe folklorike, me valle tradicionale, me artistë të mëdhenj shqiptarë. Të ardhshmit do t’i pasurojmë edhe më shumë me artistë dhe zëri i tyre do të jehojë edhe përtej kufijve shqiptarë.

Festivali “I këndojmë lirisë” është festival i kujtesës kombëtare.

Është festival i vlerave kombëtare.

Është festival i traditave tona kombëtare.

Në këto tri ditë të festivalit, të cilin po e hapim sot, varret e plagëve për lirinë e shtrenjtë i rikujtojmë nëpërmjet këngëve kushtuar heronjve dhe dëshmorëve, të gjallëve dhe të vdekurve, fushëbetejave të përgjakshme dhe fitoreve meritore.

Sa herë vjen 6 qershori, edhe kur para dhe pas tij vijnë dhe shkojnë ditët dhe datat e tjera, vijmë e nisim festën e lirisë në Çabiq, te kulla muze e Mujë Krasniqit dhe zbresim në Klinë, në rrugët e qytetit tonë, me këngë në gojë, me çifteli, sharki dhe tupanë në duar, me plisa të bardhë në kokë e me kujtime dhe nderime të përhershme për luftën e UÇK-së dhe për të gjitha ato shtete mike që e ndalën gjenocidin serb në Kosovë. U jemi përjetë mirënjohës.

 

Të nderuar të pranishëm,

Kudo nëpër fshatrat e Klinës, kudo në rrugët e qytetit tonë, nga mesdita e deri natën vonë, për tri ditë me radhë do të jehojnë këngët atdhetare. Temë kryesore mes njerëzve do të jetë UÇK-ja. Lajtmotive të këngëve të rapsodëve shqiptarë do të jenë heronjtë, të bëmat e tyre, figurat kombëtare jo vetëm të ushtrisë sonë më të vonshme, por edhe ato para UÇK-së. Padyshim se nëpërmjet këngëve atdhetare të rapsodëve do ta mësojmë edhe të kaluarën tonë historike. Sakrificat e shumta që shënuar i kemi edhe në gurë të varreve, mure të shtëpive, dyer të oborrit, libra historikë, letrarë dhe publicistikë.

Kushdo që ka marrë pjesë edhe në festivale të tjera të lirisë në Kosovës, s’dyshon se Festivali “I këndojmë lirisë” është një prej festivaleve më të mëdhenj në Kosovë në të cilin herë rreth e herë mbi 700 artistë shqiptarë, rapsodë, valltarë, instrumentistë nga të gjitha trojet etnike, edhe nga Çamëria jonë shpirtërore, me një kolorit veshjesh e kostumesh, nga tirqit galana të Drenicës, tirqit e bardhë të Rugovës e me fustanella labe, paraqiten përballë nesh në Klinë. Na argëtojnë, na gëzojnë, na emocionojnë, na freskojnë kujtesën.

Më lejoni t’jua përmend dhe t’jua kujtoj, njëkohësisht t’ua përkujtoj atyre që e dinë dhe që s’e dinë, se Festivali “I këndojmë lirisë” ka karakter garues. Në këtë festival jepen 15 çmime. Çmimi kryesor është “Mujë Krasniqi”, pastaj jepen çmime edhe për vendin e dytë, të tretë, për grupin më të kompletuar, për veteranin e festivalit, për instrumentistin më të mirë, për vallen më të mirë, për koreografinë më të mirë dhe çmime të tjera jo pak të rëndësishme.

Për tri ditë me radhë juria profesionale e festivalit përcjell me vëmendje garuesit dhe pastaj bën vlerësimin profesional. Përpos karakter garues, festivali ka karakter edhe promovues. Promovohen libra, organizohen tryeza shkencore, ekspozita, panaire me prodhime vendore bujqësore, me artizanale, edhe gara në disiplina të ndryshme sportive.

Ndihem jashtëzakonisht mirë që pandemia pushoi e festivali “I këndojmë lirisë” sërish jehoi. Do ta mbajmë për jetë e mot këtë festival.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!

 

Fjalim i kryetarit të komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në hapjen e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”

 

Çabiq, 06.06.2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë mungon vetëm zyrtarizimi për rikthimin e Paul Pogbas me…