Fetahaj: Dukagjini i rrezikshëm, por Ballkani kualifikohet në gjysmëfinale
Ballkani të dielën i shkon Dukagjinit në Klinë në kuadër të çerekfinales së Kupës. Liridon Fetahaj për “Epokën e re” ka thënë se pret fitore në këtë ndeshje.
Kampioni vjeshtor në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani nga Suhareka, është gati për sezonin pranveror. Kështu ka bërë me dije të enjten për gazetë Liridon Fetahaj. “Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë në Antalia, ku jemi përballur me kundërshtarë shumë të fortë dhe e kemi testuar veten. Ne si klub jemi gati për sezonin pranveror dhe besoj se do të jemi të suksesshëm ashtu sikurse në vjeshtë”, ka thënë Fetahaj, i cili beson se në pranverë do të ketë më shumë minuta në dispozicion. “Konkurrenca është e madhe te Ballkani, ku në çdo pozitë kemi nga dy lojtarë të fortë, por patjetër se pres të kem minuta më shumë. Kjo dihet se varet nga puna ime, forma dhe besimi i trajnerit”, ka shtuar ai.
Ballkani është një prej favoritëve kryesorë për titull, por Fetahaj sheh edhe disa skuadra të tjera të forta që do t’i bëjnë konkurrencë Ballkanit në garën për trofeun e më të mirit në Kosovë. “Ne jemi shpallur me meritë kampionë të vjeshtës dhe kemi treguar lojëra shumë të mira, kurse ne do të shkojmë ndeshje pas ndeshje, pasi nuk kemi diferencë të madhe me skuadrat e tjera që kërkojnë titull. Pretendente, përveç Ballkanit, i shoh edhe Prishtinën, Gjilanin, Dritën, Feronikelin dhe Llapin”, ka shtuar ai.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi nuk ka pasur vetëm sezon të mirë në kampionat, por edhe në garën e Kupës, ku ka arritur me plot meritë në çerekfinale. Kjo skuadër ndeshjen e parë në sezonin vjeshtor e zhvillon në fundjavë kundër Dukagjinit për Kupë, derisa Liridon Fetahaj beson në sukses. “Mendoj se skuadra e Dukagjinit është shumë më e fortë se në vjeshtë dhe renditja e saj në tabelë nuk tregon realitetin, prandaj nuk do të jetë aspak lehtë ndaj saj. Ne jemi të përgatitur maksimalisht dhe me një angazhim nga të gjithë lojtarët shkojmë në Klinë për të fituar dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale”, ka thënë Fetahaj.
Ballkani nga shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar dhjetë fitore, katër barazime dhe tri humbje, duke u pozicionuar në vendin e parë me 34 pikë.
/Veton ZYMBERI/