Fetahaj: Koha që Prishtina të shpallet kampione
Liridon Fetahaj ka thënë për “Epokën e re” se skuadra e Prishtinës do ta rikthejë titullin në kryeqytet. “Prishtina e ka kohën të shpallet kampione e Superligës në këtë edicion, pasi janë bërë shumë investime nga drejtuesit e klubit dhe ne duhet tua shpërblejmë me titullin kampionë, por synime kemi edhe në garën e Kupës. Jam i sigurt se Prishtina sërish do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Fetahaj.
Futbollisti Liridon Fetahaj mendon se është koha që Prishtina ta rikthejë titullin e kampiones në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Futbollisti që luan në repartin e avancuar në skuadrën kryeqytetase ka thënë për gazetë se synimet janë të mëdha edhe në garën e Kupës. “Prishtina e ka kohën të shpallet kampione e Superligës në këtë edicion, pasi janë bërë shumë investime nga drejtuesit e klubit dhe ne duhet tua shpërblejmë me titullin kampionë, por synime kemi edhe në garën e Kupës. Jam i sigurt se Prishtina sërish do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Fetahaj për “Epokën e re”.
Më pas ish-lojtari i Lirisë nga Prizreni foli edhe për përgatitjet që është duke i zhvilluar skuadra e Prishtinës, kurse me këtë rast bëri me dije se “bardhekaltrit” do të jenë edhe më të fuqishëm në sezonin pranveror. “Faza përgatitore po ecën shumë mirë, ku e kemi edhe trajnerin kondicional që na ndihmon jashtëzakonisht shumë, prandaj në pjesën pranverore do të jemi edhe më të fortë se në vjeshtë”, ka shtuar ai.
Në afatin kalimtar të janarit edhe Prishtina, sikurse skuadrat e tjera, ka bërë ndryshime në radhët e futbollistëve, ku në kryeqytet kanë “aterruar” lojtarë të dëshmuar si Arago Jamal dhe Jefferson Freitas de Souza. Lidhur me këto transferime, Fetahaj ka deklaruar: “Sa iu përket përforcimeve, mendoj se janë kualitative dhe na ndihmojnë të konkurrojmë më shumë mes vete që të jemi të fortë në rrugëtimin drejt titullit të kampionit. Edhe skuadrat e tjera kanë bërë përforcime dhe sezoni pranveror do të jetë shumë i fortë”.
Skuadra e Prishtinës në pushim ka shkuar duke u renditur në pozitën e dytë me 32 pikë, dy pikë më pak se skuadra e Llapit që është shpallur kampione e vjeshtës.
(Veton ZYMBERI)