Fetahaj shkëlqeu në vjeshtë, por nuk e di ku do të luajë në pranverë

14 dhjetor 2018 | 22:43

Liridon Fetahaj ende nuk e di se ku do të luajë në sezonin pranveror, pasi për këtë do të vendosë klubi i Prishtinës dhe ai i Lirisë.

Para fillimit të kampionatit 2018/2019, Liridon Fetahaj u huazua nga Prishtina te ish-skuadra e tij, Liria, për shkak se nuk kishte hapësirën e mjaftueshme në skuadrën kryeqytetase. Futbollisti Fetehaj rikthimin në ish-skuadër e shfrytëzoi për mrekulli për faktin se u shndërrua ndër lojtarët më të mirë në skuadrën prizrenase, madje hyri edhe në mesin e golashënuesve më të mirë në Superligë, me pesë gola të shënuara.

Pas përfundimit të sezonit vjeshtor Fetahaj nuk e di se cilën fanellë do ta djersijë në sezonin pranveror. Ai ka thënë për “Epokën e re” se kjo është një çështje që do të vendoset në mes të kryesisë së Klubit të Prishtinës dhe kryesisë së Lirisë, por nuk ka treguar se cila është dëshira e tij. “Unë kam kontratë me Prishtinën edhe një vit e gjysmë. Në sezonin vjeshtor isha i huazuar te Liria. Në pranverë nuk e di se ku do të luajë, pasi për këtë çështje janë duke biseduar kryesitë e klubeve”, ka thënë Fetahaj.

Futbollisti anësor i Lirisë ka folur edhe për formën personale dhe atë të skuadrës gjatë sezonit vjeshtor. Pavarësisht se nuk është sulmues tipik dhe shënoi pesë gola, Fetahaj është i bindur se rezultatet kanë mundur të jenë edhe më të mira. “Nuk jam aq i kënaqur me atë që kam treguar personalisht, pasi kam mundur të jap edhe më shumë. Ndërsa si klub kemi lëshuar shumë pikë që nuk është dashur t’i lëshojmë. Në disa raste jemi dëmtuar edhe nga gjyqtarët dhe, sikurse këto mos të ndodhin, do të ishim në vendin e katërt”, ka deklaruar Fetahaj.

Skuadra e Lirisë e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e dhjetë me 19 pikë të grumbulluara, derisa regjistroi gjashtë fitore, një barazim dhe dhjetë humbje në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luan Haradinaj, kadet i Forcave të Sigurisë së Kosovës, djali…