Fetahu: Ditë e madhe për sportin e Kosovës
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, është shprehur shumë i lumtur për miratimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata.
Kjo i hap rrugën zbatimit të Ligjit për Sponsorizime në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë. “Me shpresë u hoq edhe pengesa e fundit që sportistët e të gjitha niveleve, trajnerët, punonjësit, klubet dhe federatat sportive ta gëzojnë të drejtën që ligji ua ka akorduar që para dy vite e gjysmë”, ka thënë Fetahu.
Letra e plotë nga kryetari Fetahu
Sot komuniteti i sportit i mori dy lajme të mira. Së pari, me shpresë u hoq edhe pengesa e fundit që sportistët e të gjitha niveleve, trajnerët, punonjësit, klubet dhe federatat sportive ta gëzojnë të drejtën që ligji ua ka akorduar që para dy vite e gjysmë, ndërsa hiç më më pak i rëndësishëm nuk është fakti se dëshmuam që presioni që të gjithë ushtruam këto ditë rezultoi me votim mbipartiak në organin më të lartë të Republikës.
Nuk është sekret se FBK-ja ka qenë pjesë kyçe e këtij procesi, madje edhe bartës kryesor i tij në momente të caktuara, andaj s’ka si të mos jemi krenarë sot. Sidoqoftë, meritë të madhe për këtë të arritur bartin pararendësit e mi dhe udhëheqësit e sportit në Kosovë që nga viti 2006, kur ka filluar të flitet e punohet në ligjin e sponzorizimeve në sport. Meritë ka edhe grupi hartues i akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji, pjesë e së cilit isha edhe unë, sepse krijoi mekanizma mbrojtës për sistemin fiskal të vendit dhe zhvillues për klubet dhe federatat tona. Por, meritën kryesore e kanë sportistët tanë, përfshirë tetë reprezentacionet e Kosovës në basketboll sivjet, që mbrojnë ngjyrat e shtetit me nder dhe na bëjnë të ndihemi krenar me Kosovën tonë! Janë ata që bëjnë që politikanët t’i tejkalojnë ndasitë dhe armiqësitë politike për një çast, për t’i dhënë rinisë mundësi më të mirë zhvillimi përmes sportit!
Pas dhjetëra shkresa të shkruara e dërguara në adresat e udhëheqësve të vendit, shumë paraqitjeve në media të shkruara e elektronike shpesh me tone jomiqësore kundër të padrejtës dhe mohimit të të drejtave që po i bëhej komunitetit tonë, dhe takimeve të panumërta me akterë të ndryshëm për të avokuar për këtë të drejtë, sot kam arsye për tu gëzuar, sepse me shpresë u hoq edhe barriera e fundit për zhvillimin e sportit në vend.
Mua, homologëve të mi, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe të gjithë punëtorëve sportivë në të gjitha nivelet na mbetet të mobilizohemi, t’i konsolidojmë kapacitetet tona dhe t’u sigurojmë sportistëve kushte të mirëfillta për punë e zhvillim.
Ditë të mira tek po vijnë për sportin e Kosovës!
/Epoka e re/