Fetahu: FIBA, krah i fortë i FBK-së në zhvillimin e basketbollit në Kosovë
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku janë pritur në një takim pune në Shtëpinë e Basketbollit në Mies të Zvicrës nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis.
Ftesa për këtë takim në drejtim të krerëve më të lartë të FBK-së kishte ardhur javë më parë nga Zagklis, i cili para një viti e kishte marr detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s dhe në këtë mënyrë ka shprehur dëshirën për të dëgjuar më për së afërmi për punën që FBK po e bën për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Në këtë takim Fetahu dhe Dushku kanë marr lëvdata për punën e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe në veçanti në masovizimin e basketbollit ndër vajza të reja nëpërmjet projekteve mbështetëse nga FIBA.
Krerët e FBK-së e njoftuan Zagklisin për idenë e Qendrës Kombëtare të Basketbollit të cilin projekt FBK-sw do të filloj ta implementoj nga viti i ardhshëm dhe me këtë rast FIBA ka shprehur gatishmërinë që të asistoj FBK-në në këtë projekt me trajner me përvojë në implementimin e projekteve të tilla të mëdha.
Temat tjera që janë diskutuar me interes të veçantë në këtë takim pune kanë qenë:
– Edukimi i trajnerëve në Kosovë;
– Minibasketbolli në Kosovë;
– Ngritja e cilësisë në basketbollin femëror në Kosovë;
– Qeverisja në klubet kosovare;
– Ndërtimi i konceptit të basketbollit 3×3 në Kosovë dhe masovizimi i 3×3 ndër djem dhe vajza të reja;
Në të gjitha këto tema FBK ka gjetur përkrahje nga FIBA në mënyra të ndryshme, e cila përkrahje do të vihet në zbatim menjëherë që nga muaji dhjetor. Për të dëshmuar përkrahjen dhe gatishmërinë për ndihmuar FBK-në, sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis do të vizitoj Kosovën në vitin e ardhshëm, dëshirë kjo që ai e ka shprehur në takim me krerët e FBK-së.
“Takimin ishte mjaft produktiv. Ne shkuam në këtë takim me ide të qarta se çfarë do të kërkojmë nga FIBA për të na mbështetur në zhvillimin e Federatës, por edhe basketbollit kosovar në përgjithësi. Temë tjetër me rëndësi për ne dhe që u diskutua në këtë takim ishte edhe qeverisja dhe menaxhimi në klubet tona, ku FIBA këtu u tregua e gatshme që në vitin e ardhshëm të dërgoj ekspertë për të ligjëruar në seminaret që FBK ka paraparë për ti organizuar në 2020. Në të njëjtën kohë FIBA u tregua e gatshme për të asistuar FBK-në në ndërtimin e Planit Strategjik të FBK-së me ndihmën e ekspertëve të saj. Ndërkaq temë tjetër ishte edhe basketbolli 3×3 ku ne mendojmë se në këtë pikë duhet të punojmë shumë më shumë, dhe për këtë arsye kemi kërkuar ndihmë nga FIBA dhe ajo do të na ndihmojë në ndërtimin e konceptit të basketbollit 3×3 në Kosovë dhe në masovizimin e kësaj loje ndër djem dhe vajza të reja”, ka thënë Arben Fetahu, kryetar i FBK-së. “Gatishmëria e Zagklis për të vizituar vendin tonë në vitin e ardhshëm e tregon më së miri vlerësimin që Federata e Basketbollit të Kosovës e ka marr nga FIBA”, ka deklaruar ai.
Ndërsa Elvira Dushku, sekretare e Përgjithshme e FBK-së, ka deklaruar: “Ne jemi shumë të kënaqur me mbështetjen që e morëm nga FIBA dhe jemi shumë të motivuar të punojmë në zhvillimin e sportit tonë të dashur në vendin tonë se bashku me të gjithë anëtarët e FBK-së. Fokusi ynë në këtë takim ishte në disa tema të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e basketbollit në vendin tonë. Në vitin 2020 ne planifikojmë të fillojmë me implementimin e projektit të minibasketbollit në Kosovë, ndërsa FIBA e vlerësoi shumë një gjë të tillë dhe këtu na premtoi përkrahje të pashoq dhe ne jemi shumë të lumtur për një gjë të tillë. Zagklis na përgëzoi për punën dhe vullnetin e madh që e kemi dëshmuar për implementimin e projektit FIBA Europe Girls Program në Kosovë nëpërmjet kampanjës ‘Her World, Her Rules’, ndërsa ai na ka thënë se bashkërisht tani duhet të fokusohemi në ngritjen e cilësisë së basketbollit femëror në Kosovë dhe këtë do ta bëjmë së bashku nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në Kosovë në bashkëpunim me FIBA-n”.