Fetahu: Gratë do të kenë përfshirje 50 për qind në institucionet e Podujevës
Me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga radhët e PDK-së, Naim Fetahu, është zotuar se nën udhëheqjen e tij, gratë do të kenë përfshirje 50 për qind në vendimmarrje.
Fetahu ka theksuar se në politikat e udhëhequra nga ish-kryetari i Podujevës, gruaja nuk ka qenë në vendin e duhur, e për këtë arsye, ai tha se do të punojë më shumë në këtë aspekt.
Për rolin e gruas foli edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila është shprehur e bindur se programi i Naim Fetahut garanton përfshirje 50 për qind të grave në qeverisje lokale.
Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe deputetja tjetër e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, sipas të cilës programi i Naim Fetahut ndihmon ngritjen e grave llapjane.
Ndërsa Kumrie Hoti, kryetare e gruas në Podujevë u ka bërë thirrje të gjitha grave llapjane të votojnë kandidatin nga radhët e PDK-së, Naim Fetahu për shkak të ndryshimeve që do të sjellë qeverisja e tij.