Fetahu: Jemi në krizë të rezultateve te Përfaqësuesja A
Ndonëse i kënaqur me nivelin e organizimit të garave vendore në basketboll, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu thotë se është i zhgënjyer me rezultatet e Përfaqësueses A gjatë vitit 2024.
Sipas tij, niveli i Superligës, por edhe sukseset e gjeneratave të reja, janë ato që kanë pasur ecuri pozitive në vitin e kaluar.
Në një intervistë për KosovaPress, Fetahu thotë se Përfaqësuesja A e Kosovës është në krizë të thellë të rezultateve.
“Te reprezentacioni A me këto dy humbjet e fundit në nëntor të vitit të kaluar, vetëm sa e kemi thelluar më shumë krizën, e cila nuk është duke na pëlqyer dhe shpresoj të bëjmë ndryshime në këtë drejtim, për ta përtërirë ekipin dhe për të shkuar tutje me ekip më të ri, i cili duhet që për dy, tri apo pesë vjet ta na e jap rendimentin e duhur. Është pozitiv në këtë drejtim fakti që disa prej këtyre djemve dhe vajzave të reja po shkëlqejnë në ekipet e tyre dhe kanë hapësirë mjaftueshëm për të garuar”, thotë Fetahu.
Sipas Fetahut, ky dështim i “dardanëve” vjen për shkak të faktorëve të rëndësishëm që po e pengojnë direkt zhvillimin e basketbollistëve të rinj në Kosovë.
Për vitin 2025, Fetahu thotë se fokusi i Federatës do të jetë organizimi i Kupës në basketboll në muajin shkurt, faza finale e Ligës Unike mes ekipeve kosovare dhe atyre nga Shqipëria, si dhe përgatitjet për përfundimin sa më të mirë të stinorit aktual garues në Superligën e Kosovës në basketboll.