Fetahu: Nuk ka krenari më të madhe se të luash për Kosovën

01 korrik 2021 | 17:11

Përfaqësuesja A në konkurrencën e femrave është duke vazhduar përgatitjet intensive para debutimit në arenën ndërkombëtare. Kjo është hera e parë që Kosova A te femrat do të garojë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Kryetari i Federatës së Basketbollit i Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka motivuar vashat e Kosovës para debutimit. “Për veten time nuk kam pasur kurrë emocion më të madh sesa kur kam veshur bluzën e Kosovës dhe është intonuar himni i Kosovës në një ngjarje në Estoni. Për ju që nuk keni luajtur më herët për Kosovën, do të jetë përvojë shumë emocionuese, por nuk ka krenari më të madhe se të luash për Kosovën. Kam ardhur t’ju them se Federatën e keni prapa. Do të mundohemi t’ju përkrahim aq sa mundemi”, ka thënë Fetahu para lojtareve dhe stafit të Përfaqësueses A.

Kjo është hera e parë që është formuar Kosova A te femrat dhe për herë të parë do të luajë në arenën evropiane.

“Shpresojmë në rezultat pozitiv. Rezultati nuk është aq i rëndësishëm sa është e rëndësishme paraqitja dhe kultura që duhet të tregojmë sa përfaqësojmë Kosovën. Nuk e përfaqësojmë vetëm veten, por kemi obligim më të madh se aq. Në jetën tonë bëjmë çfarë të duam, por kur kemi përfaqësim ndërkombëtar, duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Jam i lumtur që keni trajnerët më të mirë në basketbollin femëror. Edhe trajnerët janë të lumtur që në Federatë (FBK) ka persona që e përkrahim basketbollin. Ne të gjithë më herët kemi luajtur basketboll, të gjithë e dimë se çka është basketbolli dhe cilat janë nevojat tuaja për të arritur rezultate sa më të mira”, ka shtuar kryetari i FBK-së.

Besimi është i madh te ky ekip për suksese. “Po ju tregoj se kemi më shumë besim në këtë përfaqësuese se në shumë përfaqësuese të tjera më herët, duke marrë parasysh punën, motivin dhe angazhimin. Ju dëshiroj shumë fat”, deklaroi Arben Fetahu. Kosova do të garojë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro nga 20 deri më 25 Korrik. Vashat dardane janë në grup me Luksemburgun dhe Qipron.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…