Fetahu për vendimin e Kushtetueses për pezullimin e Ligjit të tatimit në pronë: Mashtrimi nuk kalon!
Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Fetahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme për Ligjin për tatimin në pronë.
Ai është shprehur i gëzuar për pezullimin e këtij ligji, duke shtuar se falja e borxhit, që i vihet në barrë komunave është një mashtrim dhe se si i tillë nuk mund të kalojë.
“Ballafaqimi i kësaj qeverie dhe shumice parlamentare me qytetarët për rritjen e tatimit në pronë si rezultat i vlerësimit të ri të pronave – i realizuar Ministria e Financave (2022) është i domosdoshëm. Ky mashtrim, as nuk mund të fshihet e as nuk mund faturohet komunave”, ka shkruar Fetahu në “Facebook”.
Postimi i plotë i Fetahut:
Mashtrimi nuk kalon!
Ashtu edhe siç pritej, sot Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave.
Prandaj, jam i gëzuar që si përfaqësues i autorizuar i Komunës së Prizrenit, hartova dhe ndërtova rastin pranë kësaj gjykate si dhe kërkesën për masë të përkohshme që sot u miratua.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në pronën e paluajtshme, paraqet rastin e parë që një komunë, sipas autorizimit kushtetues, ngre një rast në Gjykatën Kushtetuese sepse është hera e parë që pushteti qendror cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e të gjitha komunave të Kosovës. Ky ligj, si ti tillë, nuk e kalon dot testin e kushtetutshmërisë.
Ballafaqimi i kësaj qeverie dhe shumice parlamentare me qytetarët për rritjen e tatimit në pronë si rezultat i vlerësimit të ri të pronave – i realizuar Ministria e Financave (2022) është i domosdoshëm. Ky mashtrim, as nuk mund të fshihet e as nuk mund faturohet komunave.
Qytetarëve, tatimin në pronë ua ka ngrit qeveria dhe komunat në këtë pikë nuk e kanë asnjë përgjegjësi. E vërteta do të dalë në fund. Dhe për këtë do të angazhohem fuqishëm deri në fund të procesit.