Fetahu: Tifozeritë të jenë shembull se si përkrahet skuadra e tyre e zemrës

14 shkurt 2023 | 13:19

Ky edicion i basketbollit është përshkuar me incidente të shumta dhe me zbrazje të shpeshta të palestrave si rezultat i fyerjeve në kor të shikuesve.

Kjo ka bërë që tifozët të revoltohen me këtë vendim të krerëve të basketbollit kosovar.

Sidoqoftë, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu para fillimit të “Final 8” të Kupës së Kosovës që do të mbahet në Rahovec është i vendosur për ta mbajtur këtë vendim. Madje, i pari i shtëpisë së basketbollit kosovar u ka bërë thirrje tifozëve që të tregohen të matur dhe të bëjnë tifo me korrektësi në palestra, për të mos e shtyrë FBK-në që të marrë vendime të padëshirueshme.

“Të nderuar basketbolldashës, të martën fillon spektakli i basketbollit në Rahovec. Skuadrat më të mira të Prince Caffe Superligës, Superligës së Femrave dhe Ligës së Parë të Meshkujve do të garojnë për trofetë e çmuar, e ku jam i bindur se do të ketë basketboll cilësor në parket dhe atmosferë sportive në tribuna. Ky është një nga ngjarjet më të rëndësishme për basketbollin e Kosovës, andaj të gjithë pjesëmarrësve ju dëshiroj suksese. Jam i bindur që klubi i Rahovecit do të bëjë çmos që ky organizim të mbahet gjatë në memoriet tona, ashtu siç kanë bërë edhe në kaluarën”, ka thënë Fetahu.

“Stafi i FBK-së edhe kësaj radhe do të asistojë për një organizim të jashtëzakonshëm të basketbollit. 4 ditë me super spektakël të basketbollit, të jetë një mesazh për të gjithë, që ky sport po rikthehet ku e ka vendin, të jetë mesazh se është sport i paqes dhe jo i dhunës dhe inspirues për gjeneratat e reja që ëndërrojnë të luajnë një ditë para publikut të zjarrtë. Festa e Pavarësisë së Kosovës do të bëjë edhe më madhështore këtë ngjarje. Le të jetë një festë e basketbollit për të gjithë! Basketbollistët, trajnerët, gjyqtarët dhe punëtorët sportivë i presin ditë shumë të ngarkuara, por sigurisht se do t’ia dalin me sukses, ashtu siç ia kanë dalur gjithmonë, ndërsa tifozeritë të jenë shembull se si përkrahet skuadra e tyre e zemrës. Kjo ngjarje dhe shumë të tjera do të ishin të pamundura të zhvilloheshin pa përkrahjen e sponsorëve tanë që gjithmonë janë me ne, në ditë të vështira dhe të lumtura. I falënderoj pafundësisht për ndihmën e dhënë në sportin e zemrës. Le të jetë një spektakël dhe festë e basketbollit”, ka shtuar Fetahu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…