Fetaovski synon sukses në Lojërat Olimpike Verore

26 shtator 2018 | 14:00

Bleron Fetaovski është peshëngritësi i vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, “Buenos Aires 2018”, dhe një nga pesë sportistët që do ta përfaqësojnë vendin tonë për herë të parë në Olimpiadën e të Rinjve.

Bleroni është ftuar me ftesë falë Univerzalitetit, bashkë edhe me tre sportistët e tjerë: Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë), ndërsa Erza Muminoviq (xhudo) ka fituar normën Olimpike. 17-vjeçari Fetaovski prej disa muajsh është duke u përgatitur për të pasur paraqitje sa më të mirë në ngjarjen më të madhe sportive për të rinj. Ai garon në kategorinë -77 kilogramë.

“Bleroni është kampion i Kosovës në peshëngritje për junior”, ka thënë Astrit Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës për faqen zyrtare të KOK-ut. Ai tregon se si e ka zbuluar talentin e Bleronit. “Në vitin 2014 së bashku me trajnerin ndërkombëtar, Ilir Tafaram, e kemi identifikuar Bleronin në Shkollën Fillore ‘Dardania’ në Prishtinë”. Pas vetëm katër vjetësh karrierë, Bleronit i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj. “Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të jem pjesëmarrës në Lojërat e Para Olimpike për të Rinj, të parat për Kosovën. Synimi im është të kem paraqitje shumë të mirë”, shprehet shtatlarti Fetaovski.

Bashkë me Hasanin, që është edhe trajner, si dhe peshëngritësin tjetër, Arbnor Krasniqi, Bleroni ka udhëtuar drejt Ankaras së Turqisë, për të zhvilluar një fazë përgatitore, falë mbështetjes që Komiteti Olimpik i Kosovës ua ka dhënë federatave, sportistët e të cilave do të garojnë në “Buenos Aires 2018”. “Përgatitjet në Ankara po shkojnë shumë mirë. Jemi duke ushtruar dy herë në ditë në klubin ku kanë stërvitur yjet e peshëngritjes, Naim Sylejmanoglu dhe Halil Mutlu”, ka shtuar Hasani, i cili pret që Bleroni ta thyejë rekordin personal në “Buenos Aires 2018”. Rekordi i Bleronit është 190 kilogramë në total.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jam shumë i kënaqur. Kam ushtruar shumë edhe në Prishtinë dhe tani në Ankara”, thekson Bleroni, që është pjesë e Klubit Prishtina. Lojërat Olimpike Verore për të rinj mbahen prej 6-18 tetor 2018 në Buenos Aires të Argjentinës. Për ekipin Olimpik të Kosovës do të jetë pjesëmarrja e parë që prej anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, katër vjet më parë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tiger Woods rikthehet të fitojë një turne madhor në golf…