
Fevziu tregon nëse i kishte mbetur merak ta filmonte kravatën e Hashim Thaçit (video)
17 vjet pas, gazetari shqiptar, Blendi Fevziu ka kujtuar ditët kur qëndroi në Kosovë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
“Ka qenë një nga ditët më të bukura të karrierës sime, një nga gjërat më interesante që unë kam përjetuar. Tre ditë e gjysmë kanë qenë shumë interesante”, ka thënë Fevziu.
Më tutje, ai ka thënë: “Kam qenë në dijeni për të gjitha, e panjohur ishte vetëm flamuri dhe deklarata e Pavarësisë, në atë kohë Hashim Thaçi e Fatmir Limaj donin që flamuri të mos dihej sepse donin që të festonin me flamurin kuq e zi”.
Fevziu është përgjigjur edhe nëse atij i kishte mbetur merak që të filmojë kravatën e kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit.
“Po më ka mbetur, sepse nga plani që kemi bërë, kemi realizuar diku 35/40 përqind të filmimit, nuk kemi arritë me filmu Thaçin që nga momenti kur nisej nga shtëpia, kur rregullonte kravatën, kur takohej me djalin, presidentin Fatmir Sejdiun nuk arritëm ta filmonim duke dal nga shtëpia. Thaçi druante mos teprohej, Sejdiu nuk donte të bëhej shumë protagonist. Disa nga filmimet na ngelen pezull. Siç na mbeti filmimi brenda sallës”, ka thënë Fevziu.