FFK-ja ankohet në KPM, AGK e ShGSK: Një grup i interesit po tenton ta marrë kontrollin mbi federatë
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nëpërmjet një letre të hapur dërguar Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës (ShGSK) është ankuar se në disa emisione sportive të televizioneve në Kosovë po bëhet fushatë mediale nga një grupi i vogël interesi, më qëllim që të marrin kontrollin mbi Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Federata e Futbollit e Kosovës me shqetësim të thellë ka përcjellur zhvillimet e fundit në skenën mediale dhe luftën speciale të disa emisioneve sportive ndaj FFK-së. Fushata mediale kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Kombëtares së Kosovës në Futboll, tashmë ka kaluar çdo normë dhe etikë të gazetarisë profesioniste, norma, të cilat mediumet dhe emisionet përkatëse janë të obliguara edhe ligjërishtë për t’ i respektuar. Mediumet dhe emisionet e tilla janë shndërruar në platforma të promovimit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me futboll dhe janë pa integritet profesional e moral dhe të cilët kanë agjendë të hapur kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Kombëtares së Kosovës në Futboll. Dhënia e hapsirës për individë që në asnjë formë nuk kanë asnjë lidhje me futbollin, promovimi i një fushate të tillë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, ofendimet dhe linçimet publike, shpërfaqin haptasi, unifikimin e disa mediumeve e emisioneve sportive, dhe të një grupi të vogël interesi, rreth qëllimit të tyre të vetëm, që në mënyrë jo legjitime, por nga studiot televizive të marrin kontrollin mbi Federatën e Futbollit të Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës, njofton opinionin publik se asnjëherë nuk do të bije pre e asnjë presioni të pabazë nga individë që interesin e një grupi të caktuar e vendosin mbi interesin e futbollit të vendit tonë. Politika e zhvillimit të futbollit të Kosovës, bëhet në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në letrën e FFK-së.
FFK-ja ka potencuar se zgjedhja e organeve drejtuese të institucionit kryesor të futbollit bëhet në formë legjitime e në Kuvendin e Federatës nga protagonistët e fushës, përkatësisht delegatët e zgjedhur nga klubet dhe organet tjera të jetës futbollistike në Kosovë, e assesi nga studiot televizive e as nga individ pa kredibilitet në futboll por edhe në përgjithësi në jetën publike në Kosovë. “FFK-ja kërkon nga Komisioni i Pavarur për Media, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë, si dhe nga organet drejtuese të mediumeve që të reagojnë dhe të mos lejohen fyerjet, shpifjet, shantazhet dhe kërcënimet qoftë ndaj FFK-së e zyrtarëve të saj, qoftë ndaj delegatëve, klubeve e zyrtarëve të tyre, si dhe të respektohen normat dhe etika e gazetarisë profesioniste. Në të kundërtën FFK-ja do të marrë masa ligjore ndaj mediumeve në fjalë, ashtu siç do të veproj ndaj individëve që vazhdimisht me vetëdije të plotë dhe për interesin e ngushtë kanë shkelur këto parime dhe rregulla”, thuhet ndër të tjera në letrën e FFK-së.