FFK-ja arrin marrëveshje për sigurimin shëndetësor të futbollistëve
Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon t’i shërbejë dhe të kujdeset për futbollistet dhe futbollistët. Karshi projekteve të tjera të cilat janë në proces të realizimit, FFK-ja ka arritur të finalizoj projektin e sigurimit shëndetësor të futbollistëve, që ishte si një nga pikat e veçanta në programin “Bashkë për futbollin” të presidentit Ademi për katër vjeçarin e ardhshëm.
Për realizimin e këtij projekti të veçantë është arritur marrëveshja me kompaninë “Sigal Uniqa Group Austria” njëherësh partnere disavjeçare e FFK-së.
Nga ky projekt do të përfitojnë: Superligat e të dy konkurrencave, Ligat e Para po ashtu të të dy konkurrencave si dhe Liga e Dytë në konkurrencën e meshkujve.
Polica e sigurimit me të cilën do të pajisen të gjithë futbollistët e kategorive të cekura më lartë, do të jetë e kënaqshme, pasi që do të mbulojë lëndimet e zakonshme të futbollistëve dhe njëherësh deri te ato më të kushtueshmet.
FFK-ja uron që futbollistët të kenë shëndetin dhe të punojnë edhe më shumë për ta avancuar futbollin kosovarë tutje dhe për të arritur sa më shumë suksese edhe në arenën ndërkombëtare.