FFK-ja e lavdëron Zhegrovën për ndeshjen ndaj Realit
Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas ndeshjes fantastike që mesfushori kosovar, Edon Zhegrova, e zhvilloi mbrëmë kundër Real Madridit.
FFK-ja ka theksuar se Zhegrova e ka va vazhduar shkëlqimin me formën e tij, duke u shpallur edhe “Lojtari i ndeshjes”.
“10-shi i Kombëtares së Kosovës mbrëmë u shpall “Lojtari i ndeshjes” në përballjen e ekipit të tij, LOSC Lille, kundër klubit mbretëror Real Madrid, në kuadër të garës më të madhe të klubeve, Ligës së Kampionëve, të cilën e fituan me rezultat 1:0”, ka theksuar FFK-ja.
Gjithashtu, FFK-ja ka përmendur edhe faktin që Zhegrova mbrëmë luajti për 90 minuta dhe sipas tyre, ishte lojtari kyç në fitoren e rëndësishme të ekipit të tij, me 62 prekje me topin, 88 për qind të saktësisë së pasimeve dhe shtatë duele të fituara.
Edon Zhegrova ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira në karrierë, duke shkëlqyer në fitoren e Lille 1-0 ndaj kampionit në fuqi të Evropës, Real Madridit.
Sulmuesi kosovar fitoi penalltinë të cilin e shënoi Jonathan David, derisa në fund u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Pas fitores historike të Lille dhe çmimit të marrë nga UEFA, Zhegrova ka folur për faqen zyrtare të shtëpisë më të madhe të futbollit evropian.
Ai ka thënë se shpirti i ekipit të Lille bëri diferencën, pasi të gjithë lojtarët kanë dhënë gjithçka nga vetja për të marrë këtë fitore. “Mendoj se ishte shpirti i ekipit dhe të gjithë së bashku, që e bëri diferencën”, ka thënë Zhegrova. Sipas tij, qëllimi është të shkohet sa më larg në Ligën e Kampionëve.