FFK-ja e vendosur që mos ta lejojë Crvena Zvezdan në Kosovë
Shtëpia botërore e futbollit FIFA, i ka kërkuar Federatës së Futbollit të Kosovës që ta lejojë zhvillimin e ndeshjes së Kupës së Serbisë ndërmjet Trepçës dhe Crevna Zvezdës në territorin e Kosovës.
Në letrën e dërguar FFK-së, FIFA i ka inkurajuar që për të mirën e futbollit ta heqin kërkesën pranë organeve të sigurisë së Kosovës dhe të lejojnë që kjo ndeshje të zhvillohet më 5 tetor në Mitrovicë të Veriut. Tutje, në letër thuhet se kjo ndeshje nuk do ta cenojë autoritetin e Federatës në territorin e tij.
Por, i pari i shtëpisë së futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të enjten, për Sportin në KTV, ka thënë se vendimi për moslejimin e ndeshjeve në Kosovë, nuk do të ndryshojë. Ai ka shtuar se kërkesat për ndonjë ndeshje miqësore humanitare mund të lejohet, por jo edhe ndeshje të organizuara nga Federata e Futbollit e Serbisë, meqë nuk është praktikë në asnjë vend tjetër të botës.
Në fakt, ai ka reaguar edhe në të kaluarën në UEFA e FIFA për ndalimin e ndeshjeve ilegale që zhvillohen në Kosovë, e në veçanti në pjesën veriore të Mitrovicës. Megjithatë, asnjëherë nuk ka pasur reagim nga dy institucionet më të larta të futbollit ndërkombëtar. Crvena Zvezda ka luajtur viteve të shkuara në Kosovë, konkretisht në fushën e futbollit në Graçanicë, kundër ekipit të asaj komune, ndeshje e cila ka qenë e karakterit humanitar, por që nuk kanë munguar edhe mesazhet politike.