FFK-ja fillon pilot projektin për krijimin e ligave U13 dhe U15 të vajzave
Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur një pilot projekt të rëndësishëm për futbollin e vajzave në Kosovë, me synim krijimin e ligave U13 dhe U15. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt masovizimit të futbollit dhe përfshirjes së vajzave në aktivitete sportive. Pilot projekti ka filluar me zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së parë të grupmoshave U13 dhe U15 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Në këtë projekt janë pjesëmarrëse 13 klube, të cilat kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë nismë të rëndësishme. Në këtë fazë fillestare janë tri grupe; dy me nga katër ekipe dhe një grup me pesë ekipe. Ndeshjet zhvillohen në bazë të sistemi të Bergerit, me pesë xhiro. Pas kësaj faze, fituesit e dy grupeve të para, si dhe fituesi dhe vendi i dytë i grupit të tretë do të kalojnë në gjysmëfinale. Valbona Gashi-Uka, shefe e futbollit të vajzave në FFK, ka theksuar rëndësinë e kësaj nisme për masovizimin e futbollit të vajzave dhe përparimin e tyre në këtë fushë. “Ka filluar turneu i këtij pilot projekti për grupmoshat U13 dhe U15, i cili mbështetet nga UEFA dhe FIFA. Ne kemi realizuar edhe projekte të tjera në vitet e kaluara që na kanë shërbyer për të parë gjendjen aktuale të vajzave të kësaj grupmoshe. Interesimi i madh na ka shtyrë që të realizojmë projekte të këtij lloji. Andaj, nga 13 klube nga ato që aktualisht marrin pjesë në gara me grupmoshat tjera kanë shprehur interesim për t’u përfshirë në këtë turne. Ky është pilot projekt, i cili do të përfundojë në muajin qershor. Ky projekt është mirëpritur nga klubet dhe do të jetë parapërgatitje për krijimin e ligave U13 dhe U15, që do të fillojnë nga edicioni i ardhshëm”, ka thënë Gashi-Uka.
Ndërkohë, trajneret e klubeve pjesëmarrëse Ylberina Berishaj nga KFF “Dukagjini” dhe Florentina Kallaba nga KFF “2 Korriku” kanë shprehur gëzimin e tyre për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e një lige të dedikuar për vajzat, si dhe mundësinë për zhvillimin e tyre në këtë sport. “Ky projekt është mirëpritur shumë nga KFF ‘Dukagjini’ sepse i jep mundësi zhvillimit vajzave të lindura nga 2009 deri në vitin 2012, për arsyeje që gjeneratat e lindura në vitet 2011 dhe 2012 nuk kanë të drejtë të paraqiten në Ligën U17 të vajzave dhe ky projekt është shumë i mirë për zhvillimin e tyre”, ka thënë Berishaj.
“Ky turne i organizuar nga FFK-ja është mirëpritur nga vajzat tona sepse kemi pasur nevojë edhe më herët të kemi një ligë, ndërsa me formimin e kësaj lige do të kemi më shumë vajza të përfshira në futboll”, ka thënë Kallaba. Ky pilot projekt është në përputhje me Strategjinë për Futbollin e Vajzave që u lansua muaj më parë, por edhe me misionin e FFK-së për të masovizuar futbollin e vajzave në të gjitha grupmoshat. Të gjitha ndeshjet e këtij pilot projekti zhvillohen në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, çdo dy javë (të mërkurëve), derisa të gjitha shpenzimet i mbulon FFK-ja.