FFK-ja, Llapit: Mos shpif, kërko falje
Federate e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj akuzave nga FC Llapi, të cilët kanë pohuar se federata i ka dhënë 38 mijë euro FC Prishtinës premi për fitore ndaj tyre, duke i quajtur këto pohime, shpifje.
FFK-ja ka kërkuar nga skuadra e Llapit të bëjë kërkim falje, pasi akuzat e tyre janë të pabaza.
Reagimi i plotë i FFK-së:
Federata e Futbollit e Kosovës është thellësisht e befasuar dhe e habitur me shpifjen e publikuar, të shtunën në mbrëmje, në profilin zyrtar në ‘Facebook’ nga një klub me traditë siç është FC “Llapi” nga Podujeva. Ne, si FFK, kërkojmë nga kryesia e FC ‘Llapi’ që të distancohet dhe të bëjë kërkim falje për të pavërtetat e thëna dhe akuzat e turpshme në profilin zyrtar të klubit në ‘Facebook’ ndaj presidentit Agim Ademi dhe KE të FFK-së.
FFK-ja gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë e njëjtë dhe e drejtë për të gjitha klubet dhe do t’i ndihmojë ato njësoj e në mënyrë të barabartë për aq mundësi sa ka dhe aq mjete sa u takojnë nga kontrata e sponsorizimt me IPKO-n dhe nga të drejtat televizive, por asnjëherë nuk do të privilegjoj asnjë klub dhe kurrë nuk do të ketë ndihma apo premi dhe para që nuk u takojnë.
Shuma që përmendet në tekstin e FC “Llapi” është e pakuptimtë, tendencioze dhe qëllimkeqe. FFK-ja do të jetë gjithmonë përkrah klubeve dhe do të jetë maksimalisht transparente në çdo aspekt, është e hapur dhe i respekton edhe mendimet ndryshe, por asnjëherë nuk do t’i tolerojë shpifjet e tilla ndaj askujt. Prandaj, të gjithë duhet të kenë kujdes dhe përgjegjësi për fjalën publike dhe për të pavërtetat.
Deklarata e FC “Llapi” është tejet e ultë dhe shpifëse, por fatkeqësisht ky është niveli në të cilin gjendemi. Federata nuk është për të bërë pazare, por për të organizuar gara dhe për të pasur drejtësi për të gjitha klubet.
Ndaj të gjithë atyre që do të mundohen të bëjnë pazare, FFK-ja do të jetë e pakompromis dhe do t’i luftojë me këmbëngulësi me të gjitha mjetet, ashtu sikur çdo padrejtësi dhe parregullsi tjetër që mund të shfaqet në futbollin tonë.
Presidenti Ademi dhe organet e tjera të FFK-së janë zotuar që do ta nxjerrin gjithmonë më të mirën prej futbollit dhe se do të fitojë gjithmonë ai që është më i miri.
FFK-ja do të ketë zero tolerancë për çdo klub dhe çdo njeri, i cili mundohet ta njollosë futbollin e Kosovës në këtë periudhë kur FFK-ja po etablohet në FIFA e UEFA si Federatë shumë serioze, aktive dhe me strategji të zhvillimit dhe kur e gjithë Evropa na e ka lakmi për organizimin dhe sukseset e arritura.
Kushdo që ka qëllime të këqija dhe mundohet që me shpifje të tilla ta hutojë opinionin, ju themi se nuk do t’ia dalin dhe nuk do t’ju realizohen skenarët sepse Federata do të ecë gjithmonë në hapa të sigurt dhe do të respektoj rregulloret për klubet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë pa privilegj për asnjë klub.
Puna me përkushtim, me qëllim të zhvillimit të futbollit, për një cilësi, rivalitet e frymë sportive, paanësi dhe lartësim të vlerave të lojës magjike, është përgjigja që do ta kenë të gjithë ata që në një apo tjetër mënyrë orvaten të shpifin e ta ‘helmojnë’ opinionin me të pavërteta.
KE i FFK-së është duke i ndihmuar klubet e të gjitha rangjeve garuese dhe shkollat e futbollit nëpërmjet projekteve të shumta në infrastrukturë, pajisje sportive apo mënyra tjera.
KE i FFK-së dhe presidenti Ademi janë afër klubeve pa dallim si asnjëherë më parë dhe nuk do t’i lënë ato të ndihen të anashkaluar në asnjë rrethanë.