FFK-ja memorandum bashkëpunimi me FFT-në
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është pritur sot nga presidenti i Federatës së Futbollit të Turqisë, Nihat Özdemir. Pjesë e këtij takimi nga FFK-ja ishin edhe nënkryetari Bakir Burri, anëtari i KE-s, Xhelal Broja dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, derisa nga federata turke nënkryetarët Servet Yardımcı, Yilmaz Buyukaydin dhe sekretari i përgjithshëm, Kadir Kardaş.
Me këtë rast është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit që synon të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy federatave si dhe ofron bashkëpunime në shumë projekte të përbashkëta.
“Të dy kryetarët e federatave nëpërmjet këtij memorandumi u dakorduan për shkëmbim të përvojave dhe thellim të bashkëpunimit. Ky memorandum parasheh shkuarjen e ekipeve zinxhir të kombëtares për kampe në Turqi, pastaj bashkëpunimin për ngritjen e futbollit të femrave, duke pasur parasysh se të dyja vendet jemi po thuajse në të njëjtin nivel. Në këtë segment parashihet që ekipet tona të shkojnë në kampingje në Turqi, në kohën kur përfundojnë garat, për shkak të kushteve më të mira atmosferike”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Përkrahja e Federatës Turke për sistemin VAR zë vend të rëndësishëm në këtë memorandum, duke pasur parasysh se Turqia në këtë aspekt ka avancuar shumë. Presidenti Özdemir u zotua që do të ndihmojë teknikisht dhe profesionalisht FFK-në në këtë drejtim. Në këtë pikë parashihet që gjyqtarët e Kosovës të shkojnë për seminare në Turqi, por njëherësh edhe ekspertët turq do të vijnë në Kosovë për të ndihmuar në implementimin sa më të mirë të sistemit VAR-it.
Pjesë e këtij memorandumi është zotimi i presidentit Özdemir për ndërtimin e një fushe stërvitore për fëmijët me nevoja të veçanta, investim ky i përbashkët, me qëllim të zhvillimit të garave në formë turneu për këtë komunitet.
Gjithashtu drejtuesit e të dyja federatave u dakorduan për zhvillimin e një miqësoreje ndërmjet dy kombëtareve tona në Stamboll, por e cila do të zhvillohet pas pandemisë. Kjo për shkak të interesimit të madh të tifozëve për një ndeshje të tillë, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Turqi.
Në këtë takim u diskutua edhe për gjetjen e mundësive për t’i ndihmuar klubet e Kosovës që të jenë sa më shumë të pranishme në kampet e Antalisë, ku shumica e klubeve të Evropës juglindore i kryejnë përgatitjet gjatë verës dhe dimrit.
Gjatë këtij takimi presidenti Özdemir, i cili është mik i madh i Kosovës dhe njëherësh pronar i kompanisë KEDS që operon në Kosovë dhe që është një nga sponsorët e FFK-së, lavdëroi punën dhe afërsinë e presidentit Ademi dhe ekipit të tij, teksa i ofroi mbështetjen e tij të përhershme dhe të federatës turke, duke theksuar se FFK-ja dhe Kosova si shtet kanë një tretman të veçantë.
Ndërkaq, presidenti Agim Ademi e falënderoj presidentin Özdemir për mikpritjen e ngrohtë dhe drekën e shtruar për delegacionin e FFK-së, teksa nënshkrimin e memorandumit e vlerësoi si një dëshmi të miqësisë së gjatë dhe të përhershme të dy federatave dhe shteteve tona. Në fund u shkëmbyen edhe dhurata ndërmjet krerëve të dy federatave.
Më herët FFK ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me Shqipërinë, Gjermaninë dhe Katarin, derisa memorandume të tilla janë paraparë edhe me vendet skandinave: Suedinë, Danimarkën dhe Norvegjinë, por që nuk janë realizuar ende shkaku i pandemisë. Gjithsesi, FFK do të vazhdojë me krijimin e një politike të tillë afruese dhe të bashkëpunimit me të gjitha federatat që e kanë përkrahur para, gjatë dhe pas pranimit në UEFA e FIFA.