FFK-ja merr lëvdata nga UEFA
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë zhvilluar sot një takim me shefin e edukimit të UEFA-s për zhvillimin e elitës U15, Jean Francois Domergue, e ku ishin të pranishëm edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes dhe drejtori teknik Michael Nees.
Në këtë takim u bisedua për strategjinë e FFK-së për kategoritë e reja, përfshirjen e shkollave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të futbollit. UEFA e ka pranuar në tërësi programin strategjik të FFK-së, i cili është vlerësuar si projekt i shkëlqyeshëm dhe tani do të fillojë zbatimi i tij në përpikëri.
“Domergue u zotua se do ta përkrahë dhe do ta ndihmojë FFK-në për realizimin e këtij projekti që, sipas tij, është shembull për regjion. Po ashtu, në emër të UEFA-s Domergue lavdëroi zhvillimin e hovshëm të FFK-së dhe theksoi se UEFA është e kënaqur për zhvillimin dhe realizimin e këtyre projekteve”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Shefi i edukimit të UEFA-s gjatë ditës së nesërme do të vizitojë disa qytete të Kosovës për të parë se si po aplikohet në praktikë kjo strategji e FFK-së.
/Epoka e re/