FFK-ja merr në shfrytëzim kompleksin sportiv ‘Agron Rama’
Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Kastriotit, ndër pikat e rendit të ditës, ka qenë edhe kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për dhënien në shfrytëzim për 25 vite të kompleksit sportiv “Agron Rama”.
Me 19 vota për dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit Komunal miratuan këtë kërkesë e cila do t’i hapë rrugë investimeve fillestare në vlerë prej 3 milion euro. Pas aprovimit të kësaj kërkese, kryetari i komunës, Xhafer Gashi, u shpreh i kënaqur me këtë vendim dhe me investimin e UEFA-së që do të bëhet në këtë kompleks sportiv, veçanërisht e falënderoi kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri shtytjen që i ka dhënë këtij investimi kaq të rëndësishëm.
Edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri që ishte i pranishëm në seancën e kuvendit, u nda i kënaqur me këtë vendim, njëkohësisht e falënderoi Kryetarin e Komunës për angazhimin e tij të vazhdueshëm në tërheqjen e këtij investimi.