FFK-ja publikon raportin e auditorit pa e kaluar në Kuvend
Ka disa muaj që në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është bërë publik raporti i auditorit për vitin 2019.
Në raportin e kryer nga kompania ACA-Audit & Cunsulting Associates dhe të nënshkruar nga auditori ligjor, Astrit Musa, janë prezantuar edhe pasqyrat financiare për vitin e kaluar. Në bazë të dokumentit, auditori nuk ka gjetur asnjë shkelje sa i përket të dhënave financiare të paraqitura.
Megjithatë, as raportin e auditorit e as atë financiar të vitit 2019, FFK-ja nuk e ka prezantuar para kuvendarëve, ashtu siç parashihet me statut.
FFK-ja nuk e ka mbajtur Kuvendin e Punës gjatë këtij viti, ku edhe është dashur ta paraqes raportin e auditorit. Të vetmin Kuvend e ka mbajtur më 27 janar të këtij viti – Kuvendin Zgjedhor për Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Kuvendi ishte planifikuar të mbahej në muajin dhjetor të këtij viti, por që është shtyrë për një datë tjetër. Nuk ka një datë të re ende.
Në nenin 54, pika 6, Afarizmi financiar dhe vitit financiar, thuhet se Komiteti Ekzekutiv i dërgon për miratim Kuvendit raportet financiare, raportin e revizionit dhe buxhetin për sezonin në vijim. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, pasi Kuvendi nuk është mbajtur, për siç është thënë, shkaku i pandemisë.
Se nuk mbajnë mend të jetë diskutuar gjatë këtij viti për raportin e auditorit për vitin 2019 e thonë edhe disa kuvendarë të kontaktuar nga KOHA.
Ndërkohë, në nenin 56, përcakton se si duhet të përzgjidhet Revizori i pavarur (auditori) dhe se si duhet të veprohet në këtë rast.
“Pika 1. Revizorin e pavarur e emëron Kuvendi. Ai kontrollon faturat të cilat i aprovon komisioni për financa, konform principeve të kontabilitetit të legjislaturës së
Kosovës. Pika 2. Raportet e revizorit duhet t’i prezantohen Komitetit Ekzekutiv dhe pastaj në formë të pandryshuar Kuvendit për miratim dhe; Pika 3. Revizori i pavarur duhet te jetë kompani e mirënjohur revizore e cila vendoset në periudhë prej dy vitesh. Ky mandat mund të ripërtërihet”, shkruan në tri pikat e nëntit 56.
Sipas disa prej delegatëve të FFK-së që kanë marrë pjesë në Kuvendin e fundit, asnjë nga këto pika, nuk është respektuar nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Delegatët e klubeve nuk mbajnë mend të kenë votuar për raportin auditorit për vitin 2019
Drejtori i përgjithshëm i Dritës, Fetim Murseli, ka thënë se në Kuvendin e janarit kanë votuar vetëm për anëtarë të Komiteti Ekzekutiv, e jo për raport të auditorit dhe atë financiar.
“Ne kemi votuar vetëm për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Nuk kemi votuar për raport financiar e as të auditimit, pasi ishte kuvend zgjedhor dhe jo i Punës. Kuvendi i Punës i paraparë të mbahet më 20 dhjetor, është shtyrë për datë të pacaktuar për shkak të pandemisë”, tha Murseli.
Edhe delegati i Drenicës, Ramiz Shala dhe Avdullah Tahir i Feronikelit, që ishin pjesëmarrës në Kuvendin e fundit, kanë deklaruar për KOHËN se nuk është votuar për raport financiar e as raport të auditorit. Sipas tyre, nuk kanë qenë fare në rend të ditës.
Shala theksoi se FFK-ja ka shkelur statutin dhe ligjet në fuqi dhe për këtë është paditur nga disa delegatë në Gjykatë.
“Në Kuvendin ku unë kam marrë pjesë si delegatë i Drenicës, në rend ditë nuk ka pasur raport financiar. Me sa mbaj mend, nuk ka pasur as raport të auditorit dhe këtë e dëshmojnë procesverbalet e mbledhjes së Kuvendit. Ka qenë Kuvend zgjedhor i parregullt me shkelje procedurale e materiale, i cili nga një pjesë e madhe e delegatëve është kontestuar edhe përmes padisë në Gjykatat përkatëse. Është shkelje e statutit edhe e ligjeve në fuqi mosparaqitja e raportit financiar dhe të auditorit. Çdo organizatë është e obliguar të paraqesë raport financiar përballë organit të vet përkatës, në këtë rast Federata ka Kuvendin e saj, e që nuk e ka bërë prezantimin e raportit për vitin 2019. Tash FFK-ja po provon të miratojë raport financiar të vitit 2019 në vitin 2021”, tha Shala.
“Në atë Kuvend Zgjedhor është votuar vetëm për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Nuk ka pasur raport financiar e as të auditorit”, u shpreh Avdullah Tahiri.
Gazeta ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga sekretari i FFK-së, Eroll Salihu dhe nënkryetari Bakir Burri, por që asnjëri prej tyre nuk u është përgjigjur telefonatave.
E zyrtari për financa në FFK, Agim Gashi, nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se nuk ka të drejtë të deklarohet. I vetmi që ka folur shkurt ishte nënkryetari tjetër i FFK-së, Agim Dibrani, i cili tha se auditori nuk ka gjetur shkelje dhe se gjithçka është në rregull. Ai pretendon se raporti financiar ka kaluar. Por, në kërkimet e KOHË-s, nuk ka asnjë informatë se ka kaluar raporti financiar e as i auditorit për vitin 2019.
Të vetmen gjë që ka bërë FFK-ja, është prezantimi i raportit të auditorit në njërën nga rubrikat e saj, por pa e postuar te lajmet, gjë të cilën e bën zakonisht për çdo informacion që jep për publikun.
“Nuk janë gjetur shkelje në raportin financiar nga auditori. Ky raport është dërguar edhe tek organet kompetente, KE e FFK-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe gjitha institucioneve shtetërore. Ne nuk shohim asnjë problem që raporti është publikuar në faqe”, ka thënë Dibrani.
FFK-ja harxhoi 3.6 milionë euro për paga
Në bazë të raportit të auditorit, për vitin 2019, FFK-ja pati më pak të hyra në raport me vitin 2018. Në xhirollogarinë e FFK-së për vitin 2019, janë derdhur 10 milionë e 762 mijë e 959 euro, kurse në vitin 2018 ishin 11 milionë e 83 mijë euro.
7.5 milionë kanë qenë të hyra të UEFA-s, 804 mijë nga FIFA, kurse nga zhvillimi i ndeshjeve, janë fituar 680 mijë euro. Vetëm për paga dhe kontribute të punëtorëve, FFK-ja ka paguar 3 milionë e 679 mijë e 720 euro. Kurse në vitin 2018, për paga ishin shpenzuar, 2 milionë e 318 mijë e 471 euro.
Për transportin e ekipeve kombëtare të Kosovës, FFK-ja ka harxhuar 776 mijë e 612 euro. Ndërkohë në vitin 2018, 739 mijë e 749 euro.
Ndërkaq, për akomodimin e ekipeve kombëtare, 522 mijë e 555 euro janë paguar në vitin 2019, kurse një vit më herë, 565 mijë e 756 euro .
Për organizmin e ndeshjeve, FFK-ja ka shpenzuar 343 mijë e 210 euro, kurse në vitin paraprak 122 mijë e 137 euro.
Për tifozët “Dardanët”, Federata e Futbollit e Kosovës, ka dhënë 30 mijë euro në vitin 2019, ndërkaq në 2018 nuk kishte ndarë asnjë cent.
Në raport theksohet se të hyrat e shtyra të FFK-së nga viti 2019, për në vitin 2020 janë 3 milionë e 879 mijë e 432 euro.
Për këto të hyra financiare të shtyra, është kërkuar sqarim nga auditori, por që thuhet se menaxhmenti i FFK-së nuk ka mundur të jap raport, pas sipas tyre, për të hyrat e mbledhura është e vështirë të zbërthehet saktë kjo vlerë për shkak se janë bartur ndër vite.
“Diferenca në mes të të hyrave të shtyra 2019/2018 prej 304 mijë euro, edhe pse teprica nga pasqyra e të hyrave, ka ardhur për shkak të blerjes së aseteve gjatë vitit në vlerë prej 361 mijë e 810 eurosh dhe diferencave në zërat e tjerë të bilancit të gjendjes është paraqitur në pasqyrat e mëposhtme”, thuhet në raport.
Në rubrikën “shënimet e pasqyrave financiare”, pika 4.6, paraja dhe ekuivalentet e parës, specifikohet se Federata e Futbollit e Kosovës operon me katër llogaritë bankare të hapura në Raiffeisen Bank.
Pasqyra financiare mban firmën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Sami Jerliut, kontabilist i certifikuar.
Ndërkohë, raporti financiar i prezantuar para auditorit, u bë nga anëtarët e komisionit, Fahri Breznica, Ymer Mehmeti dhe Fatmir Gashi.
Kuvendi i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës, për herë të fundit është mbajtur më 28 mars 2019.