FFK-ja reagon lidhur me aktivitetet ilegale të klubeve serbe në Kosovë
Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të Kosovës. FFK është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës.
“Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi. FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Federata e Futbollit të Kosovës është shprehur e hapur për bashkëpunim dhe mbështetje për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, por ka bërë me dije se nuk mund të lejon zhvillimin e aktiviteteve të strukturave ilegale, që në kundërshtim me rregullat e UEFA-s bëjnë organizim të ndeshjeve të futbollit brenda territorit të Kosovës. FFK-ja është e vendosur që të bëjmë çdo gjë që është në kompetencat tona për t’i ndaluar këto aktivitete.
FFK-ja gjithashtu është shprehur e shqetësuar me pengesat që i ka nga MKRS-ja lidhur me licencim. Madje FFK-ja pretendon se ky veprim kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë.
“Njëherësh shprehim shqetësimin tonë në lidhje me pengesat që i ka krijuar MKRS në lidhje me mos licencimin e FFK-së, përkundër plotësimit të dokumentacionit si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fundit të organeve të hetuesisë në pavarësinë e FFK-së. Si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë. Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e FFK-së.