FFK-ja së shpejti me zyra të reja
Federata e Futbollit e Kosovës shumë shpejt do të bëhet me zyra të reja. Pas shumë problemeve në këtë institucion tashmë krerët e kësaj Federate kanë vendosur për projektin e zyrave të reja. Këto zyra do të ndërtohen në vendin ku ata tanimë janë, mirëpo aty pritet të shtohet edhe një kat tjetër për stafin punonjës.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një intervistë për “KosovaPress” ka thënë se stafi i kësaj federate tash e një kohë të gjatë ka nevojë të madhe për t’i rritur ambientet e punës. “Ju e dini që kohët e fundit kanë qenë aktuale pagesat që vijnë nga UEFA, burimet, fondet. Këto janë kryekëput për Federatën. UEFA dëshiron të ketë një filiale të vetën, një federatë të vetën e cila ka kushte moderne. Për këtë arsye ky ka qenë një ndër projektet kryesore në mënyrë që të funksionalizohet puna e administratës, sepse duhet që ata të kenë hapësirë të mjaftueshme. Ndërsa palët e interesuara të kenë hyrje të veçanta e jo të pengohet puna. Ju pe shihni edhe vetë si sekretar i përgjithshëm pothuajse s’mund të qëndrosh i qetë, ose kryetari sepse hyjnë palë të ndryshme”, ka thënë Salihu, i cili ka zbuluar se ky objekt do të ndërtohet në tri faza të ndryshme.
Ai ka bërë me dije se tanimë e kanë pronësinë e objektit ku gjendet dhe kjo ua ka lehtësuar punën për rregullimin e dokumentacionit për pajisje për leje të ndërtimit. “Do të bëhet në tri etapa. Për fat të mirë e kemi pronësinë, e kemi marrë falë vendimit të qeverisë Haradinaj, por me iniciativën e kryparlamentarit Kadri Veseli… edhe kemi arritur në fazën që i kemi kryer të gjitha planet, të gjitha të detajuara se si do të duket selia e FFK-së. Kemi fat që në katin nëndhes e kemi shumë mirë. Kemi hapësira të mjaftueshme për pajisje sportive për fanella”, ka shtuar ai. “Ne kemi menduar të fillojmë shumë më herët, por ju po e shihni se vazhdimisht po kemi probleme të ndryshme. Paralelisht do të punojmë edhe në stadiumin e KEK-ut si dhe në Hajvali, ku do të ndërtojmë një stadium, një qendër të re teknike për grupmoshat tona, për futbollin e femrave dhe për drejtorinë teknike, në të cilën në të ardhmen mendojmë të mbajmë ligjërata, seminare, trajnime dhe licencime”, ka deklaruar Salihu.
Sa i përket çështjes së fondeve, Salihu u shpreh se ende nuk dihet saktësisht se sa do të kushtojë ndërtimi i këtyre zyrave, por sigurisht se në ditët e ardhshme FFK-ja do ta bëjë të ditur edhe një gjë të tillë. “Të them të drejtën nuk e di saktë, por do të ndërtohet faza-faza. UEFA HatTrick Committee quhet, i kemi dërguar sepse është dashur të marrim ekspertë për poshtë. I kemi dërguar masat, parallogaritjet për tri faza. Së pari bodrumin, pastaj katin e lartë, funksionalizmin e katit të poshtëm dhe objektin përreth. Në ditët në vijim mund të tregojmë saktësisht se sa parashihet”, ka shtuar Salihu.