FFK ka marr dënime me mijëra euro nga UEFA për ndeshjet me Izraelin, Bjellorusinë dhe Zvicrën
FFK është dënuar me 10 mijë euro për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Izraelit në ndeshjen Kosovë – Izrael, të zhvilluar më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Ndeshja që ishte e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian ishte fituar nga Kosova 1-0, ndërsa fishkëllima kishte para ndeshjes dhe kur u intonua himni i Izraelit.
Vendimin për ta gjobitur FFK-në e mori Komisioni i UEFA-s për kontroll, etikë dhe disiplinë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe për këtë gjë FFK-ja nuk bëri asgjë publike.
Nuk është dënimi i vetëm ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës që nuk është bërë publik nga kjo organizatë.
FFK-ja ishte gjobitur me 10 mijë euro nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s edhe për futjen në fushë të shikuesve të Kosovës në ndeshjen ndaj Zvicrës në Bazel, më 18 nëntor, por që pas ankesës ky dënim u largua për tu zëvendësuar me vërejtje, shkruan Koha.
Po ashtu dënim është marr edhe për ndeshjen Kosovë – Bjellorusi, e zhvilluar më 21 nëntor në Prishtinë. 7 mijë euro FFK mori dënim për sjellje të pahijshme të ekipit, kurse 10 mijë euro për futje të shikuesve në fushë.
Për fyerje ndaj zyrtarit të ndeshjes, Sahit Salihu është suspenduar me dy ndeshje, ndërsa për sjellje josportive, Bajram Shala është suspenduar me një ndeshje nga Komisioni për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë të UEFA-s në muajin dhjetor.
FFK-ja po ashtu ishte dënuar me 7.500 euro për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve në ndeshjen që Kosova U21 e zhvilloi ndaj Izraelit U21.