FFK nxjerr emrat e atyre që janë të dyshuar për kurdisjen e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia
Ndeshja në mes të Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit në Ligën e Parë Grupi B është anuluar pasi sipas Komisionit të Garave ajo ka qenë e kurdisur.
Kështu thuhet në vendimin për këtë ndeshje, teksa përballja do të regjistrohet si ndeshje e luajtur, por pikët dhe golat nuk do të regjistrohen.
Zhurma e madhe u krijua pas që klube si Flamurtari, 2 Korriku dhe Kika u ankuan për këtë ndeshje.
Përballja Ulpiana-Vllaznia ngjalli shumë polemika fundjavën e kaluar, me mënyrën se si Vllaznia shënoi golat, ku pozharanasit fituan ndeshjen 4-3 edhe pse pas pjesës së parë ishin duke pësuar humbje.
FFK sipas deklaratës zyrtare ka edhe komunikimin e disa lojtarëve me SMS lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga disa raporte tjera konfidenciale.
Tashmë dihen se cilët futbollistë dhe zyrtarë të klubeve, dyshohet se e kurdisën ndeshjen dhe këtë e ka konfirmuar Komisioni i Garave.
“Ndaj klubit të Ulpianës, ndaj personit zyrtar të Ulpianës, Meriton Isufi, ndaj lojtarëve, Ridon Llugiqi, Gentian Emini, Samet Rexhepi, ndaj klubit të Vllaznisë dhe ndaj personit zyrtar të Vallaznisë, Agron Pira”, shkruan në njoftim e Komisionit të Garave të FFK-së.
Në ditët në vijim pritet edhe dënimë të tjera, si për klubet ashtu edhe për pjesëmarrësit në kurdisjen e kësaj ndeshje. /Telegrafi/