FHK-ja e organizon fazën ndërkontinentale të IHF Trophy
Nuk kanë të ndalur sukseset e Federatës së Hendbollit të Kosovës. Pas bisedave që presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ka zhvilluar me drejtues të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), të enjten u mor vendimi që faza ndërkontinentale e kampionatit IHF Trophy të zhvillohet në Prishtinë. Ndërkohë ka ardhur edhe konfirmimi nga IHF-ja. Faza interkontinentale e IHF Trophy për hendbollistët e grupmoshës U20 dhe U18 do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës prej 10 deri më 16 mars. Do të paraqiten skuadrat më të mira të kësaj gare nga të gjitha kontinentet.
“Duke ditur se ngjarja është kualifikuese për Kampionat Botëror, kjo është një tjetër mundësi e artë që bëhet e mundur falë bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me IHF-në dhe falë punës shembullore që kemi bërë me organizimet e deritashme”, ka thënë presidenti Saraçini.
Kosova U18 të shtunën e siguroi titullin e kampionit në IHF Trophy për zonën evropiane. Me këtë sukses u kualifikua për fazën ndërkontinentale. Kosova që fiton fazën ndërkontinentale kualifikohet në Kampionat Botëror. Ky edhe është synimi i radhës i federatës dhe Përfaqësues së Kosovës.
Ekipet përfaqësuese të hendbollit tashmë kanë arritur dy herë të kualifikohen në Botëror, ndërkohë që në sportet tjera ekipore kjo nuk është arritur ende.
Në Botërorin në Spanjë është paraqitur Kosova U21 te hendbollistet, ndërsa në Botërorin në Kinë u paraqit Përfaqësuesja U18 e hendbollisteve.