FIA zbulon rezultatet e hetimit për Red Bullin
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka bërë me dije vendimet e marra në lidhje me buxhetin që skuadrat e Formula 1 kanë aplikuar gjatë vitit të kaluar (2021). Siç dihet, skuadrat nuk duhet të kalojnë një shumë tavan shpenzimesh për zhvillimin e makinës gjatë sezonit, të miratuar që më parë.
Në bazë të analizës së dokumenteve, Red Bull, që vjet fitoi titullin kampion për pilotë me Max Verstappen vetëm në garën e fundit, ka shkelur këtë tavan. Kjo shkelje është më pak se 5%, ndaj është konsideruar si “gabim i vogël”, një shkelje procedurale. E njëjta situatë edhe me Aston Martin.
Skuadrat e Formula 1 e prisnin me padurim këtë vendim dhe rezultatet e hetimeve, pasi Red Bull rrezikonte një dënim më të madh, deri në heqjen e pikëve dhe humbjen e titullit kampion për pilotë. Gjithsesi, asnjë dënim apo masë e rëndë nuk është marrë dhe gjithçka ka qëndruar si më parë.