FIBA 3×3 U23 në Prishtinë
Sheshi “Zahir Pajaziti” do të jetë vendtakimi i adhuruesve të basketbollit 3×3 për tri ditë me radhë.
Për herë të parë në Kosovë do të organizohet FIBA 3×3 U23 Nations League nga 10 deri 12 korrik. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë gjashtë shtete te meshkujt dhe gjashtë te femrat, ku priten sfida interesante. Gjithashtu për herë të parë do të debutojë Kosova në këtë garë, po ashtu në të dyja konkurrencat.
Shtetet pjesëmarrëse janë Gjermania, Holanda, Greqia, Turqia, Hungaria dhe Kosova në të dyja konkurrencat. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në sheshin “Zahir Pajaziti”, aty ku pritet spektakël i 3×3. Ndeshjet fillojnë nga ora 14:30 dhe do të zgjasin deri në ora 21:00, kurse finalet fillojnë nga ora 20:00.
Për Kosovën te meshkujt do të luajnë: Mirlind Zekaj, Donat Rexhepi, Drilon Shala dhe Fatlind Shoshaj, ndërkohë te femrat për Kosovën do të paraqiten: Agnesa Rrahmani, Enisa Kamerolli, Sara Vraniqi dhe Anilë Selmani. Federata e Basketbollit e Kosovës fton të gjithë adhuruesit e basketbollit dhe basketbollit 3×3 që të përcjellin këtë ngjarje shumë të rëndësishme.
Për pjesëmarrësit gjithashtu do të ketë lojëra shpërblyese, si të holla dhe fanella të Kosovës, por edhe shpërblime të tjera. Nuk do të mungojë muzika dhe spektakli i basketbollit 3×3.