FIBA: Prodhuesit e verës nga Kosova, gati ta shkruajnë historinë në Kupën e Evropës
Faqja zyrtare e FIBA-s e ka publikuar një artikull të veçantë për KB Rahovencin, duke e quajtur përrallor rrugëtimin e tyre në kualifikimet për Kupën Evropës të FIBA-s. Është ende shumë herët për ta përshkruar rrugën e KB Rahovecit nga ligat më të ulëta në kualifikimet për Kupën e Evropës të FIBA-s si përrallore, mirëpo e tillë është, shkruan FIBA.
Vetëm katër vjet pas promovimit në Superligë, gara e nivelit më të lartë të basketbollit në Kosovë, një klub i ri nga vendi i ri evropian do të debutojë në skenën ndërkombëtare. Kur Rahoveci do ta presë klubin rumun, U-BT Cluj-Napoca më 2 tetor, ngjarja do të mbahet mend si historike për skuadrën vendase, pavarësisht rezultatit.
“Ne e shohim atë ndeshje si shpërblim për gjithçka që ka bërë klubi në vitet e fundit. Natyrisht se ne ëndërrojmë të shkojmë në fazën e grupeve, por dëshira është në gjë e realiteti diçka tjetër. Ne jemi të vetëdijshme se mezi mund garojmë me një skuadër të madhe si Cluj. Kështu që, qëllimi ynë i vetëm është ta prezantojmë veten sa më mirë në FIBA Europe Cup’, ka thënë Neven Plantak, trajneri i KB Rahovecit.
Edhe pse Rahoveci nuk është aspak favorit për dy përballet – në shtëpi dhe si mysafir – kundër Cluj-Napocas, trajneri kroat e ka ndërtuar një skuadër me lojtarë lokalë dhe pesë përforcime të huaj, që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka kundër rumunëve. Njëri ndër ata basketbollistë të huaj është edhe Jure Gunjina, i cili kishte luajtur në Spanjë, Britani të Madhe dhe Islandë, para se të vendosej në Kosovë.
“Njëra ndër gjërat e para që e kam vërejtur këtu është se sa e madhe është dashuria për basketbollin. Ky qytet i vogël e ka edhe një ekip futbolli, mirëpo basketbolli është diçka tjetër. Sezonin e kaluar, ne i kishim mesatarisht 2 mijë tifozë në stadium kundër ekipeve më të vogla dhe stadiumi ishte gjithmonë plot për ndeshjet më të mëdha. Cluj ka buxhet dhe skuadër më të mirë, por ne do t’i kemi katër apo ndoshta pesë mijë tifozë fanatikë prapa vetes”, ka thënë Gunjina.
Në Rahovec, prodhimi i verës është profesioni më i zakonshëm për qytetarët. Edhe nofka e skuadrës është Vreshtarët, por kjo zonë po bëhet gjithmonë e më e famshme edhe për basketbollin. Një sukses i arritur pothuajse brenda natës, Rahoveci erdhi nga ligat më të ulëta në një garë evropiane dhe, gjatë këtij rrugëtimi, ishin dy herë në finale vitin e kaluar – në atë të Kupës së Kosovës dhe Superligës – por i humbën të dyja kundër Prishtinës.
“Ishte një sukses historik për klubin tonë dhe tani kemi vend për përmirësime. Një gjë që mund ta bëjmë është që të paktën ta përsërisim suksesin e sezonit të kaluar. Një ndeshje kundër një rivali të vështirë si Cluj është një sfidë e mirë për ne para se të nisë sezoni. Ne do të shkojmë hap pas hapi dhe kualifikimi në FIBA Europe Cup është i pari”, përfundoi Plantak.