FIFA: Kosovën e pret një e ardhme e ndritur
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll këtë muaj zhvilloi dy ndeshje në Ligën e Kombeve ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe, kurse faqja zyrtare e FIFA-s e ka publikuar një artikull, ku flitet për ngritjen e madhe të “Dardanëve”. Në këtë artikull protagonist është kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani. Kosova e kishte shpallur pavarësinë para më shumë se dhjetë vjetëve, megjithatë iu nevojitën edhe tetë vjet të tjera para se Kongresi i FIFA-s ta pranonte në familjen e futbollit ndërkombëtar. Tani Kosova i ka vënë vetes disa synime mjaft ambicioze dhe duket se është në rrugë të drejtë për sukses. Dardanët kishin kaluar në një periudhë të vështirë gjatë fazës kualifikuese për Kupën e Botës, duke e marrë vetëm një pikë nga 10 ndeshje. Megjithatë, kjo gjë pritej për shkak se rivalët në grup kishin skuadra mjaft të mira: Kroacia, Turqia, Islanda, Ukraina dhe Finlanda. “Duhet ta mbani mend se ne filluam me asgjë. Federata jonë ka bërë një punë të mrekullueshme në vitet e fundit. Stadiumi tani është licencuar dhe ne e kemi ligën tonë. Ne mund ta zhvillojmë stilin tonë të lojës dhe lojtarët kanë filluar të kenë më shumë përvojë”, ka thënë Samir Ujkani, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës. “Dardanët” vazhdojnë të ngjiten më lart në radhitjen e FIFA-s dhe tanimë kanë arritur në pozitën e 138. Së fundi, Kosova e fitoi ndeshjen e parë me karakter garues, kur i mposhti Ishujt Faroe me rezultat 2-0. Në ndeshjet e fundit arriti ta mposhtë edhe Maltën me rezultat 3-1, ndërsa mbeti baras me rezultat 1-1 kundër Ishujve Faroe si mysafire.
Nën menaxhimin e trajnerit Bernard Challandes, i cili u emërua pasues i Albert Bunjakit rreth një vit më parë, Kosova ka arritur ta zë pozitën e parë në grupin e tretë të Ligës D të Ligës së Kombeve dhe shpreson se do të mund të promovohet në Ligën C. “Jemi shumë të lumtur me këtë. Mendoj se mund të arrijmë edhe në top 100-en e rangimit të FIFA-s pas disa muajve. Ky është qëllimi ynë. Pasi ta arrijmë këtë, do të vendosim synime të tjera”, është shprehur Ujkani. “Puna ime është t’i mbajë të tjerët të lumtur, pasi ne jemi të suksesshëm kur jemi në humor të mirë. Ne duhet të punojmë si ekip dhe të kalojmë mirë së bashku. Edhe kur lojtarët e rinj janë në bankën rezervë, unë tentoj të flas me ta dhe të krijoj një atmosferë pozitive. Ne jemi si familje. Pas dy apo tre vjetëve Kosova do të jetë përmirësuar mjaftueshëm sa edhe ta fitojë një grup në ndonjë garë”, ka deklaruar Ujkani.
Kampionati Evropian i vitit 2020, i organizuar nga UEFA, është një ëndërr të cilën Kosova po tenton ta bëjë realitet. “Në fillim tifozët tanë nuk kishin durim dhe menduan se ne do të arrinim ta fitonim grupin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës menjëherë, por askush nuk mund ta priste një gjë të tillë. Kemi mësuar shumë nga kjo, kur duhet ta sulmojmë kundërshtarin dhe kur të mbrohemi”, ka thënë Ujkani, duke shtuar: “Ndaj Azerbajxhanit, para disa javëve, vetëm e largonim topin nga zona për ta larguar presionin nga kundërshtari. Ky ishte një mësim i vlefshëm për mua dhe bashkëlojtarët e mi. Ne nuk rrezikojmë aq shumë tani dhe vazhdimisht po tentojmë ta gjejmë baraspeshën në mes të sulmit dhe mbrojtjes”. “Liga vendore na ndihmon shumë me këtë gjë. Lojtarët janë duke u rritur me rolet e tyre dhe janë duke u sfiduar te klubet e tyre. Kjo, natyrisht, i ndihmon edhe Kombëtares”.
Me top 100-en para syve, Kampionatin Evropian në mendje, synimet ambicioze dhe pritshmëritë e larta, nuk ka asnjë dyshim se Kosova është duke u përmirësuar. Kur u pyet se me cilat kombëtare do të dëshironte të ndeshej ndonjë ditë, kapiteni 30-vjeçar u përgjigj: “Brazilin ose Argjentinën! Ne do të ndeshemi me kombëtaret evropiane gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian, por një duel me Lionel Messin, Neymarin dhe lojtarë të tjerë të klasës botërore do të ishte e mrekullueshme për vendin”.