FIFA publikon numrin e vizitorëve në Katar gjatë Botërorit
Kampionati Botëror i futbollit ka përfunduar të dielën me finalen ndërmjet Argjentinës dhe Francës, e cila ka përfunduar me triumfin e argjentinasve pas ekzekutimit të penalltive.
Kjo ishte hera e parë që një kampionat botëror është zhvilluar në një vend aziatik, por interesimi ishte mjaftë i madh.
Organi më i lartë i futbollit evropian, FIFA, ka njoftuar të hënën se Katari ka pritur 1.4 milion vizitorë gjatë Kupës së Botës, me një mesatare prej 53 mijë spektatorësh për lojë në stadiume.
Një pjesëmarrje kumulative prej rreth 3.4 milionë tifozësh kanë ndjekur 64 ndeshjet në këtë kompeticion, në tetë stadiume, të ndërtuara në mënyrë strategjike më pak se një orë me makinë nga qendra e Dohas, gjë që u ka lejuar i tifozëve të shikonin drejtpërdrejt më shumë se një lojë në ditë.
“Në vitin 2010 i thamë botës të presë diçka të madhe dhe e mbajtëm atë premtim, ishte një edicion i jashtëzakonshëm i Kupës së Botës, i cili do të ndikojë në punën e organizatave të ardhshme. Turneu siguroi një hapësirë të paprecedentë për shkëmbim kulturor. Tifozët nga e gjithë bota patën kontakte me kulturën arabe dhe të Katarit për herë të parë”, ka thënë Hassan Al Thawadi, president i komitetit organizativ.
Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad al-Thani, ka përdorur rrjetet sociale për të uruar FIFA-n për suksesin në mbajtjen e Kupës së Botës së parë në një vend arab, duke pasur parasysh se Doha e ka përmbushur premtimin dhe ka zhvilluar një turne të jashtëzakonshëm.