Figura e një lideri në 65 vjetorin e lindjes
Shkruan: Bedri Islami
“Vërteti” – Ali Ahmeti
E largët është dita kur e kam takuar për herë të parë Ali Ahmetin. Ka qenë, kështu si tani, një ditë e ftohtë mes janari, kur ai sapo kishte bërë 35 vite dhe udhëtimi i tij do të kishte një rrugë të gjatë. I hajthëm në fytyrë, i qetë, përgjithësisht i fjalëve të matura, duke i shoqëruar me lëvizjen e dorës së djathtë, ndërsa pi vazhdimisht cigare, u takuam në banesën time, në periferi të Shtutgartit.
Ishte e çuditshme, dikush e thërriste Abaz, një tjetër, Xhukë, dhe më të pakët ata që e thërrisnin Ali. Ishin, tre emra brenda tij, por të gjitha i takonin një njeriu që, pak ditë më vonë, pas takimit tonë të parë, do më bënte pjesë të lëvizjeve klandestine të Kosovës, ku ai kishte qenë njëri nga drejtuesit kryesorë të saj.
Aliu fliste asaj nate qetasi, shumë gjëra nuk i dija, të tjerat ishin enigmë dhe as që e mendoja se do të ishin aq të thella, por, si çdo lëvizje klandestine, çlirimtare, ajo të tërhiqte në vizionin e saj, më shumë se në të panjohurat që do të kishte ballë vetes. Idea e tij ishte mbrojtja e një kombi të ndarë befasisht dhe mizorisht nga shuarja. Dhe kjo, sipas tij, e kështu ishte, qëndron në motivat më të epërta në botë. Për të bërë këtë, duhej një vullnet i fortë, një ndriçim i epërt, sidomos një motiv i jashtëzakonshëm për të kapërcyer gjithë atë që do të vinte përpara.
Kundër këtyre njerëzve ishin shumë gjëra njëherësh; trysnia e vazhdueshme dhe egërsia deri në vrasje e pushtetit serb, taborët e djeshëm që vazhdonin të ishin shërbyes të zellshëm të pushtimit të Kosovës, sajesat me qeveri, parlament, president, që nuk thonin asgjë veçse pjesë të një manteli të tolerancës serbe ndaj lëvizjeve politike.
Ishte e vështirë sepse, në pak vite, kishte aq shumë të vrarë, mijëra të burgosur politikë dhe, si do e mësoja më vonë, shumë prej tyre kishin qenë në shokët më të afërt të Ali Ahmetit. Në kahun tjetër, aty ku kishte qenë shpresa më e madhe, shteti amë, ishin në rrokopujën e tij, gjërat kishin dalë jashtë kontrollit dhe gjithçka po bëhej më e vështirë.
Kurdoherë ka pasur përpjekje që antishqiptarizmi të shpallet haptas si doktrinë gati kombëtare. Nganjëherë, nostalgjia për robërinë ishte bërë shenjë e rimohuesve, shkurt, gjithçka që kishte të bënte me heroiken po shpallej e pa vlerë, gati gati ogurzezë për fatet e kombit.
Kush ishin këto njerëz që një natë mes janari më erdhën si miq dhe më bënë pjesë të një lëvizje që nuk e kisha menduar se mund të isha?
“Ali Ahmeti, i njohur si Abaz Gjuka në strukturat e organizatës, ishte, mbi të gjitha njeriu i punëve të luftës. E kërkoi atë, e gjeti, më saktë, ishte pjesë e ndezjes dhe përfundimit të saj, dhe, kur të gjithë menduan se lufta do të ishte puna e tij, ai zgjodhi paqen. Pak kush e bën këtë. Të fitosh një luftë mund të kesh gjithnjë pas vetes rrezikun e krijimit të mitit të ngadhnjimtarit. Të krijosh mite dhe të rrëzosh mite të tjerë. Sidomos kur je mes dy Shqipërive: “Shqipërisë së Jashtme”, Kosovës me viset e saj, dhe “Shqipërisë së Brendshme”, shtetit shqiptar londinez.
Shqipëria, ajo e “ brendshme” e prerë në besë për shkak të prerjes që i ishte bërë në vitin 1913, asaj kohe, pas fillesës së pluralizmit, sytë i kishte ende të turbullt, sa që, megjithëse thërriste gjithë ditën se “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk e dallonte dot lindjen nga perëndimi, kur, ndryshe nga të tjerët, këto djem të Lëvizjes, flisnin për kombin e bashkuar, si ide, vizion e mundësi reale. Ata, megjithëse i quanin të majtë, po përgatiteshin të krijonin historinë e tyre të bujshme mes Europës dhe SHBA-së, çka e arritën n[ë mesin e vitit 1988.
Ali Ahmeti ishte njëri nga drejtuesit e tyre. I njohur, i qetë, klandestin i klasit të parë, i lindur për të krijuar lidhjet mes grupeve dhe për të ngritur strukturat e qëndresës në Kosovë. I pranuar nga të gjithë, çka ndodh rrallë, dhe i besuar po nga të gjithë. Mbi të gjitha, i lexuar.
Kur isha për herë të parë në shtëpinë e tij në Zvicër ajo që më bëri përshtypjen e parë ishte biblioteka e madhe. Në dy dhoma ishin renditur rreth 2 mijë libra. Po i shfletoja. Gjithandej me shënime. Në një vijë të qartë. Studiues të huaj, të kohës së tashme dhe të një kohe të shkuar, që nga Platoni deri në librat e filozofëve modernë.
Njeriu që i kishin besuar figurat më të ndriçuara të lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Heronjtë e saj, por edhe drejtuesit e luftës. Është e vështirë të gjesh një emër që nuk ishte me të, së bashku apo në një vijë me të.
Ai ka kërkuar kurdoherë rrugët për të qenë bashkë, jo urat për t’u ndarë nga njëri tjetri. Rrugët janë ato që bashkojnë njerëzit, por edhe mund t’i ndajnë ata. Emri i një rruge nuk është thjeshtë emërtim, por dëshmi e vlerave.
Në të vërtetë, meditimi im erdhi pasi kisha menduar gjatë për pushtetin, njerëzit që e përbëjnë atë dhe artin e vështirë të të jetuarit në paqe.
Në mendje kisha staturën e një lideri të veçantë, i cili në rrugëtimin e tij politik, gjithnjë u ka dhënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete se sa të drejtave abstrakte dhe mundimshëm, ka ngritur një ngrehinë solide të mendimit politik shqiptar, e cila, më shumë se sa nga bashkëkombësit, do të shquhet në vizionin e së ardhmes.
E kisha fjalën për Ali Ahmetin, liderin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut nga 28 janari do të jetë një kryeministër shqiptar për herë të parë. E pa menduar 20 vite më parë. Vështirë e ëndërruar. Ajo që është arritur në dy dekada ka qenë e mundimshme, por e pa menduar se mund të ndodhte. Kur 20 vite më parë Ali Ahmeti më tregonte vizionin e tij të pas luftës e shikoja dhe mendoja me vete se ky njeri mbeti deri në fund një idealist i pa ndreqshëm, e nganjëherë ëndërron përtej së mundshmes.
Në Maqedoninë Veriore ka më tepër qetësi, më shumë ecje drejt demokratizimit, megjithëse aty duhej të kishte më tepër probleme dhe unë jam i bindur se, miku i përbashkëti i të gjithë shqiptarëve dhe drejtuesi i më i lartë politik i shqiptarëve, Ali Ahmeti, luan rolin e tij të pazëvendësueshëm.
Maturia dhe shpirti i tij jashtë konfliktit, siguria për të ecur qetësisht dhe duke e ditur se ku duhet të shkojë në të ardhmen, krijimi i një marrëdhënie të re ndërnacionale, afrimi i shumë intelektualëve drejt përbashkimit, shtrirja e rrjetit të mendimit të lirë drejt njerëzve, koncepti i drejtë për shtetin dhe për Republikën, e kanë bërë praninë e tij të domosdoshme dhe, përmes pranisë së tij, kanë sjellë për ditë e më shumë staturën e një lideri madhor, jo tipik ballkanik, por evropian i klasit të parë dhe, në fund të fundit, modelin e një shqiptari të politikës që nuk hedh gurë ndaj të tjerëve, por ngre urat e bashkimit.
Jam i bindur se edhe më tej Ali Ahmeti, duke pasur konceptin e drejtë të ndërtimit të shtetit shumë dimensional dhe tejet funksional, do të jetë njeriu i paqes, ashtu si ishte njeriu i luftës. Do të jetë njeriu që i besoi Fehmi Lladrovci në kohën e luftës dhe do i kishte besuar edhe në këto ditë. Mbetet njeriu që ndërlidhi forcën dhe emrin e Adem Jasharit me një çështje të madhe dhe që sot, përsëri, do të kishte mbështetjen e tij.
Një ditë, së bashku me deputetin e Vlorës Bujar Leskaj, botuesin Arjan Prodani vajtëm të takonim Ali Ahmetin në shtëpinë e tij në Zajaz. U ulëm në kopshtin para godinës dhe i treguam se dëshira e Vlorës ishte që monumenti, Statuja e madhe e Ismail Qemalit të ishte edhe në Shkup, si janë vendosur në vitet e fundit edhe të shumë figurave historike të shqiptarëve. E gjitha ajo që kishim menduar se do të ishte rrugë e gjatë, përmes një mijë bukracive, u krye në pak minuta. Sepse Aliu e ndjen veten po aq vlonjat, sa edhe drenicak. Këtë e di fare mirë. Ashtu si e ndjen veten drenicak e shkodran.
Në mendimin tim nuk mbështetem asnjëherë në miqësinë tonë të përbashkët, tashmë u bënë 30 vite, në relatat e krijuara nga vitet, pasi për mua, më shumë se çdo miqësi, qëndron kombi dhe e vërteta, qëndron amaneti i atyre që u flijuan, por, njeriu i vërtetë, si kam shkruar në njërin nga librat e mi, vazhdon të qëndrojë i vërtetë.
Unë e kam ndjekur aktivitetin e tij edhe në ditë të vështira për lëvizjen, për luftën, për zhvillimin, e kam ndjekur kur pak vetë besonin se do të kishte një të ardhme të tillë dhe kur shtigjet dukeshin të mbyllura përjetësisht.
Pra, njohja jonë më ka shërbyer për të shikuar më gjerë, për të ditur më shumë, për të gjykuar më qetësisht, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë, për t’u përqendruar më gjerë dhe, sot që po të shkruaj, më vjen keq që në politikën shqiptare të trojeve tona nuk kemi nga një Ali Ahmet në çdo pjesë. Mungesa e një burri shteti në përmasat e tij është mungesë e vlerave dhe këtë e ndjej përditë e më shumë.
Më duhet të shtjelloj më tej idenë e liderit të duhur të Ali Ahmetit. Unë e di se ku banon ai dhe mes cilëve banon. Ndoshta i vetmi lider shqiptar që bëri banesën e tij në fshatin e lindjes, në shkallët e së cilës eci për herë të parë nënëlokja e tij. Por unë jam përtej saj. Ali Ahmeti është nga ata liderë dhe prej atyre rasteve që vërteton se historia e një kombi mund të kthejë rrugën e saj nga vendosmëria e një njeriu të vetëm.
Zakonisht , vepra e njerëzve të shquar është e qëndrueshme në atë masë sa ata mbajnë parasysh erërat e mëdha të historisë, sa ndikojnë në rritjen dhe ecurinë e njerëzve, çfarë përparësie sjellin me veprimet e tyre, cili është vizioni i tyre dhe rrugët e përcaktuara. Kam ëndërruar gjithnjë që viset shqiptare, pavarësisht se të ndara në shumë pjesë, të kishin një trupë drejtuese, aspak të korruptuar, të ngjeshur me kulturë elitare dhe ku pushteti të mos kishte asnjë ndikim mbi ta.
Një elitë politike që nuk do të influencohej as nga joshjet, as nga frikësimet, pjesët e së cilës të ushtronin me kryelartësi privilegjin për të bërë ligje të drejta, të sendërtonin shtetin, të kritikonin dhe të rebeloheshin ndaj një qeverie të padrejtë, dhe më pas, pasi kishin thënë çfarë mendonin dhe kishin ndërtuar ligje të drejta, të ktheheshin në shtëpi në këmbë, pa frikë, të ruajtur prej mërive nga mbështetja e popullit.
Një elitë e tillë nuk bëhet vetvetiu. Ajo kërkon një lider, vetitë e të cilit të jenë serioziteti dhe besnikëria, të jetë i veçantë dhe i qëndrueshëm, të ngrejë ura dhe jo hendeqe ndarëse, një lider, nga i cili, askush të mos ndahet prej tij pa e ndjerë veten më trim dhe më të aftë për të shërbyer ndaj vendit të tij.
Një lider i tillë është Ali Ahmeti. I pabujë në qëllimet e tij, i qetë në egërsinë e politikës, i hapur kur të tjerët mbyllen, i palirë në robërinë e të tjerëve, i lirë në lirinë e tij; përbuzës për të keqen dhe ndikues i së mirës, i ndodhur shpesh herë në mesin e tallazeve të sulmeve nuk i përdori kurrë ato; i gjendur në fundin e greminës dhe i ngjitur në majën e saj; i parënë në hone dhe ngritës urash, njeri i lexuar dhe ngarendës i mendjes para shfrimit të linçimit.
Ndoshta mund të jetë nga njerëzit e sulmuar ashpërsisht, por që nuk e përdori pushtetin për të marrë hakën e tij, por për të marrë hakun e popullit që i takonte dhe këtë, jo përmes sherrit, por mendjes dhe arsyes.
Të gjitha këto që i ka arritur sot, i ka planifikuar në vite të tëra. Që nga fillimi i vitit 1990 e ka ditur se ku do të ishte fundi i tyre. Që kur janë ngritur këshillat e parat të lëvizjes çlirimtare e ka menduar se çfarë do të ndodhë pas çlirimit. Ai e kërkoi gjithë jetën luftën, dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen. Në këtë paq ka fituar çdo betejë, ka gjetur rrugën më të përshtatshme në dobi të kombit dhe ka ngritur urat e bashkimit të njerëzve.
Ali Ahmeti bëri 65 vite. Gjysmën e jetës së ndërgjegjshme e ka kaluar përmes një paqe të rrejshme, duke krijuar rrethanat e luftës. Gjysmën tjetër të jetës së ndërgjegjshme e ka kaluar në pas luftë, duke ndërtuar paqen. Përmes tyre ndërtoi figurën e njeriut që mori në Maqedoinë e Veriut kalvarin e kthimit të shqiptarëve në Europë. Dhe po e bën këtë.
? Look at this post on Facebook https://gazetadita.al/figura-e-nje-lideri-ne-65-vjetorin-e-lindjes/?fbclid=IwAR3VhDWsD7fsSTExY2wGzbwonQATl8z9UCHqB-bmY9M-Cv32nxqol8yK_C4_aem_AfgZj32mT4OTytAXTFY0EABtqh-R4atozzZJBcurJOGBQr4IyArgviYGPOLcCciQlxw
©Copyright Gazeta DITA