Figura markante të politikës zvicerane mbështesin veprimtarin Sali Bislimi në rezolutën për Gjykatën Speciale
Të hënën dhe të martën në parlamentin e Zvicrës janë vënë nënshkrime nga parlamentarët zviceranë për rezolutën e prezantuar nga shqiptari Sali Bislimi, e cila ka të bëjë për Gjykatën Speciale.
Përmes kësaj rezolute të paraqitur nga organizata joqeveritare “Zëri Perëndimor i Kosovës”, drejtor i së cilës është veprimtari Sali Bislimi, njëherësh edhe drejtor i zyrës ligjore First-consulting.ch në Bern, kërkohet nga qeveria zvicerane kujdes për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët që po mbahen në paraburgim në Hagë për gati tri vjet, shkruan “Epoka e re”.
Bislimi ngre dyshime në këtë gjykatë e për këtë edhe ka paraqitur këtë rezolutë.
Deri më tani kjo rezolutë ka marrë përkrahjen e mbi 40 deputetëve të parlamentit të Zvicrës dhe ajo do të jetë në dispozicion të deputetëve zviceranë edhe në ditët e ardhshme.
Bislimi ka bërë me dije se kjo rezolutë po merr mbështetjen e të gjitha figurave markante të politikës zvicerane, si: Gerhard Pfister, Philippe Nantermod, Michel Matter, Charles Juillard, Pointet François, Andreas Meier, Weber Celine, Jacqueline de Quattro, Christa Markwalder, Jean Pierre Grin, Alfred Heer, Léo Muller, Zopfi Mathias, Manfred Buhler, Olivier Français dhe shumë të tjerë.
Ai ka treguar se nënshkrimet për këtë rezolutë do të vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim për të arritur suksesin dhe kujdesin që meriton Kosova, mbi të gjitha çlirimtarët e saj.
Bislimi përmes kësaj rezolute kërkon që të ketë respektim të procedurave gjyqësore dhe një gjykim të drejtë në nivel ndërkombëtar.
Në rezolutë theksohet se çlirimtarët e Kosovës, pavarësia e të cilëve de fakto dhe de jure u njoh menjëherë nga Zvicra, po përballen me një procedurë të rëndë penale.
“Në veçanti, ish-presidenti Hashim Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë. Procedura i ngjan një nyje të vërtetë gordiane, pasi që në këtë fazë duket se ndikimet e jashtme politike kundër ish-presidentit Thaçi po ndërhyjnë në mbajtjen e një gjykimi të drejtë. Duket qartë se hetimi i kryer nga drejtësia ndërkombëtare kundër tij sugjeron në mënyrë të arsyeshme një paragjykim dhe vë në masë të madhe në pikëpyetje vërtetësinë e fakteve me të cilat ai akuzohet”, theksohet në rezolutën, e cila tashmë ka hyrë në objektin e parlamentit të Zvicrës.
Kjo rezolutë, pasi të kalojë në parlamentin zviceran, dërgohet në qeveri.
Sali Bislimi është një veprimtar i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Ka lindur në Topillë të Shtimes, por kontributi i tij për shtetin e Kosovës është i madh. Ai në mënyra të ndryshme nga Zvicra ka ndihmuar Kosovën. Ai nga Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet është nderuar me dekoratën “Ambasador i Paqes”.
Gjithashtu, Sali Bislimi nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është nderuar me “Urdhrin e Pavarësisë”. Urdhri i Pavarësisë u jepet personave që kanë dhënë kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.