Filip Vujanoviç: Marrëveshja për Demarkacionin erdhi pas vitesh punë të kujdesshme, në Kosovë ua keqinterpretuan njerëzve

19 qershor 2022 | 11:43

“Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi ishte një proces i gjatë me vite mes dy vendeve miqësore dhe më pas u nënshkrua nga unë dhe Hashim Thaçi”, thotë Filip Vujanoviç, ish-presidenti i Malit të Zi, prandaj ai e kishte vështirë ta kuptonte se çfarë ndodhte në Kosovë që Parlamentit nuk e ratifikonte dot marrëveshjen dypalëshe.

Në një intervistë për “Albanian Post”, Vujanoviç – që postin e presidentit malazez e mbajti për plotë 16 vjet (nga viti 2002 kur ishte president në detyrë e deri në vitin 2018) – deklaron se më pas e kuptoi se në Kosovë u keq-prezantua procesi i demarkacionit.

Ai ka hallin se as njerëzve nuk ua shpjeguan si duhet se çfarë saktësisht i binte caktimi i linjës kufitare mes dy vendeve.

“Nuk ka asnjë shembull të krijimit të një shënjimi të kufirit shtetëror për ta sinkronizuar atë me pronën private të disa personave. Ata që jetojnë pranë kufirit nuk duhet të kenë ndonjë vështirësi në përdorimin e pronës së tyre në vendet fqinje, përkundrazi”, thotë Vujanoviç.

“Do të ritheksoj se komisionet shtetërore kanë arritur një marrëveshje për kufirin dhe dy qeveritë e kanë ratifikuar. Ajo u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015 me mbështetjen e madhe të ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, më vonë kancelarit austriak Sebastian Kurtz. Dy parlamente kombëtare e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojmë përmes punës së përbashkët të Komisionit Kombëtar për ekspertët e demarkacionit. Marrëveshjen e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës e shoh si një shembull të shkëlqyer të gatishmërisë dhe aftësisë së dy vendeve fqinje dhe mike për të zgjidhur një çështje të ndjeshme që gjithmonë ka krijuar probleme, madje edhe rreziqe, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Duhet të shpallim sërish se lufta tragjike në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, në thelb ishte e motivuar nga disa plane për ndryshimin dhe zgjerimin e kufijve shtetërorë. Mali i Zi është krenar për marrëveshjet që ka lidhur me Bosnje-Hercegovinën – marrëveshja e parë e tillë mes ish-republikave jugosllave – dhe Kosovën. Duhet të theksojmë se ato marrëveshje janë lidhur pas vitesh pune të kujdesshme të komisioneve shtetërore të kufirit dhe janë nënshkruar në Vjenë, të mbështetura fuqishëm nga ish-presidenti i Austrisë, marrëveshja Mali i Zi-Bosnje-Hercegovinë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Austrisëka thënë ai.

Albanian Post: Mendoni se ka ende vend për korrigjim?

“Marrëveshjen e Malit të Zi e ratifikoi shpejt dhe ju kujtohet se Kuvendi i Kosovës e bëri këtë pas vitesh keqkuptimesh të brendshme dhe vonesave të shumta. Për mendimin tim, një keqkuptim i tillë erdhi si pasojë e statusit të pashpjeguar sa duhet të njerëzve që jetojnë pranë kufirit shtetëror. Nuk ka asnjë shembull të krijimit të një shënjimi të kufirit shtetëror për ta sinkronizuar atë me pronën private të disa personave. Ata që jetojnë pranë kufirit nuk duhet të kenë ndonjë vështirësi në përdorimin e pronës së tyre në vendet fqinje. Përkundrazi, njerëzit që jetojnë afër kufirit duhet të përdorin pa probleme pronën e tyre dhe të kenë njëfarë stimulimi nga të dy shtetet në zhvillimin e aktiviteteve të tyre bujqësore. Do të ritheksoj se komisionet shtetërore kanë arritur një marrëveshje për kufirin dhe dy qeveritë e kanë ratifikuar. Ajo u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015 me mbështetjen e madhe të ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, më vonë kancelarit austriak Sebastian Kurtz. Dy parlamente kombëtare e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojmë përmes punës së përbashkët të Komisionit Kombëtar për ekspertët e demarkacionit”.

Filip Vujanoviç është nga ata politikanët ballkanas që i ka parë të gjitha. I lindur dhe rritur në Beograd, por karrierën politike e zhvilloi krejtësisht në Mal të Zi.

E nisi në vitin 1993, kur presidenti federal i Malit të Zi, Momir Bulatoviç, e ftoi t’i bashkohej në Partinë Demokratike të Socialistëve.

Më vonë do të bëhej Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Milo Gjukanoviç, kur ky i fundit ende ia rrihte shpatullat Slobodan Millosheviç-it (1993-96) dhe më pas përsëri ishte ministër i Brendshëm, kur nga 96-ta i Gjukanoviç vendosi t’ia kthente shpinën Millosheviç-it dhe të ndryshonte anë krejtësisht.

Përkundër se i lindur në Beograd, Vujanoviç gjithmonë ishte treguar shumë pro-malazez dhe ishte një nga figurat, bashkë me Gjukanoviç, që udhëhoqi kampanjën pro ndarjes nga Serbia në vitin 2006.

Edhe në 2008 ishte Vujanoviç që zyrtarisht do ta njihte Kosovën shtet të pavarur si president i Malit të Zi.

Në këtë intervistë për Albanian Post, Vujanoviç, pashmangshëm, ka folur për Demarkacionin që vetë e nënshkroi, por edhe për kryeministrin e parë shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Thotë se ka shumë punë për para, megjithatë “jam i lumtur që Mali i Zi, për herë të parë që nga rivendosja e shtetësisë, ka një kryeministër nga një pakicë kombëtare”

Vetë Vujanoviç ka mbajtur të gjitha postet e rëndësishme në politiken malazeze. Ishte ministër, kryeministër, kryetar-parlamenti, ushtrues detyre i Presidentit dhe në fund president.

Ai ka njohje të gjerë për proceset politike në Ballkan, prandaj është pyetur edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe nismat rajonale. Patjetër për dialogun Kosovë – Serbi dhe si e sheh ai zgjidhjen finale mes dy shteteve fqinje.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë është përuruar kompleksi rekreativ “Atlantis” në Dumnicë të Epërme…