Fillet e organizimit të UÇK-së në Zborc dhe lufta e lavdishme më 25-26 korrik 1998

22 korrik 2020 | 12:27

Shkruan: Lulzim Sahiti

Pranvera e hershme e vitit 1998 ishte e zjarrtë. Luftëra të rrepta dhe të përgjakshme ishin shtrirë gjithandej. UÇK-ja po organizohej gjithnjë e më shumë duke u mobilizuar në territore të ndryshme. Po kështu edhe në komunën e Shtimes.

Ky mobilizim u vërejt më tepër në fshatin Carralevë. Nga atje u dëgjua jehona e krismës së pushkëve që më 14 qershor 1998. Kushdo që njeh grykën e Carralevës e di mirë se fshati në të shumtën e rasteve është i shtrirë përgjatë grykës dhe dy shpatet e tij përfshin tre fshatra. Në të djathtën e tij, në drejtim të Prizrenit, në pjesën më të madhe ka Zborcin, ndërsa në të majtën e tij, Belincin dhe Rancën.

Fokusi ynë në këtë shkrim është LUFTA E LAVDISHME MË 25-26 KORRIK 1998 e ndodhur në fshatin Zborc, në të djathtë të Carralevës së Isa Boletinit. Por kjo ngjarja ka një rrjedhë, të cilën, qoftë për kureshtjen e lexuesit, qoftë për shkundjen e pluhurit të harresës, do ta paraqesim si më poshtë.

Atë botë, guximi për të fituar lirinë, filloi të shfaqej kudo në Kosovë. Të ritë e të rejat po rreshtoheshin në radhët e UÇK-së për të marrë armët e lirisë në shenjë kundërshtimi ndaj shtypjes, terrorit dhe okupimit serb. Ky guxim u pa edhe në fshatrat e Shtimes. Në Zborc, fillimisht, pjesëtarët e UÇK-së dolën me maska në kokë. Qëllimi i shfaqjes së tyre në këtë fshat ishte dhënia e mesazhit për mobilizim për çlirim të vendit. Këtij mobilizimi ju ishin përgjigjur të shumtë. Njëri nga ta, po në muajin qershor të 1998, nga po ky fshat, kishte vendosur t’i bashkohej radhëve të UÇK-së. Është fjala për Ruzhdi Salihun. Jo shumë kohë më parë, Ruzhdi Salihu kishte kaluar nëpër një varg torturash të barbarëve serbë në Stacionin e Policisë në Shtime.

Ruzhdi Salihu (1961-1998)

Gjënë e parë që bëri Ruzhdiu ishte ajo që i kishte mësuar jeta: “Nuk shkohet në mal pa sëpatë”. Ai siguroi një pushkë M48 nga kushëriri i tij, Afrim Azem Muharremi dhe si e do vendi e kuvendi, babai i tij, Islam Salih Salihu i nderoi shokët e tij të idealit me një odë, ku të mund të rrinin e pushonin. Me të drejtë mund të merret me mend se ai UÇK-së po u jepte një krah për të luftuar, ç’mbetet të kursej njeriu më pas. Kjo odë u shndërrua në çerdhe-shtab të UÇK-së.

Oda e Islam Salihut e shndërruar në Shtab të parë të UÇK-së në Zborc

Por për shkak të rritjes së vazhdueshme të UÇK-së, për nevojat e saja, UÇK-ja u vendos në shtëpinë e braktisur të Isak Osman Muharremit, i cili aso kohe po jetonte në Ferizaj. Sa për freskim a njohuri për lexuesin, kjo shtëpi-shtab gjendej në Lagjen e Gjinovcëve, afër maleve të Blinajës. Të gjitha orenditë dhe shtrojë e mbulojë për nevoja të kësaj pike ushtarake janë siguruar nga banorët e kësaj lagje. Komandant i kësaj Pike të UÇK-së, të vendosur në Zborc, ishte emërtuar Milaim Mehdi Beha, i njohur ndryshe si “Slloveni”, ndërsa zëvendëskomandant i tij Enver Ruzhdi Mehmeti. Ky tog i UÇK-së, në përbërje të vetë kishte tri skuadra ushtarake që udhëhiqeshin nga: Azem Kastrati nga Nekoci, Enver Mehmeti nga Zborci dhe Hajriz Qeriqi nga Krojmiri. Për ushqim kujdeseshin banorët e fshatit. Secila shtëpi në mënyrë të organizuar përgatitin ushqim dhe ua dërgonin në kohë ushtarëve në Shtab. Siç e thamë edhe më parë, lufta por përhapej gjithandej, andaj edhe këtu filluan përgatitjet për vetëmbrojtje. Kështu ky formacion, përballë një armiku që nuk njeh asgjë njerëzore, i angazhuar në bombardimin e shtëpive të banuara me civilë, u detyrua të dalë në luftë, në një luftë për jetë a vdekje. Banorët e fshatit bashkë me ushtarë mbanin roje në pikat kryesore të fshatit. Çdo hyrje apo dalje nga fshati përcillej rreptë dhe me një disiplinë shumë të lartë. Mandej, vazhduan shtrimin e rrugëve malore me zhavor, të cilat u bënë të kalueshme për automjete që e lidhnin Zborcin me fshatin Carralevë, Pjetërshticë, Blinajë, Godanc të Ulët dhe Varigovc. Në të njëjtën kohë bëhej edhe hapja e llogoreve dhe ndërtimi i bunkerëve. Hapja e istikameve bëhej kryesisht ditën mirëpo në vende ku kishte rrezik që mund të identifikoheshin nga forcat armike punohej edhe natën. E gjithë kjo punë e përbashkët dëshmon se si banorët e Zborcit ishin lidhur me ushtarët e UÇK-së dhe funksiononte si një trup i vetëm.

Por çfarë po ndodhte në kampin tjetër armik. Forcat armike të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 243 të Mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave (UJ) nga Kazerma “Car Urosh” në Ferizaj ishin pozicionuar prej kohësh te “Pishat e Shtimes”. Një grup luftarak i tyre qëndronte në gjendje gatishmërie në hyrje të Zborcit, ku pranë rrugës kishin vendosur një top të kalibrit të madh, një “Pragë” dhe një autoblindë. Ndërkaq forcat policore të drejtuara nga shefi i Sekretariatit për Punë të Brendshme në Ferizaj, kolonel Bogoljub Janićević krynin veprime operacionale në terren të mbështetur nga forcat ushtarake të lartpërmendura.

Në rrethana të tilla, ku vdekja po trokiste tek porta, shumica e banorëve të fshatit Zborc ishin të entuziazmuar për të mbrojtur vendin dhe u angazhuan drejtpërdrejt në forma të ndryshme në ndihmë të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata fillimisht hapën nëpër tokë istikame te vendi i quajtur “Vorri i Sefës”. Punimet janë mbikëqyrë nga ushtarakët: Ramiz Qeriqi “Luani” nga Krojmiri, Ymer Alushani “Vogëlushi”, Azem Kastrati dhe Ali Durmishi “Shpati” nga Krojmiri. Për hapjen e istikameve, instruksione kishte dhënë edhe Shukri Buja dhe Milaim Beha. Milaimi i njihte mirë terrenin meqë ishte po i atyre anëve. Kjo punë kolosale kishte arritur të hapte mbi 30 metra hendek me ledh të ngritur në anën e përparme, pastaj kanë vazhduar me hapje të istikameve përreth malit, përmbi shkollë te “Lagjja Bajrami”. Në kuadër të kësaj pune kolektive, janë ndërtuar edhe dy bunkerë për ushtarë me madhësi 4X4 si vendstrehim për t’u mbrojtur nga zjarri i armikut. Materiali ndërtimor është shfrytëzuar nga resurset vendore: Drunjtë për bazë të epërme të bunkerëve, fshatarët e merrnin në Blinajë, mbi ta vendosnin najlon, më pas mbi najlon thasë me rërë të Carralvës, e mbi thasët i mbulonin me gurë dhe krejt në përfundim, gurët e maskonin me dushk. Ndërtimi i bunkerëve kishte një strategji dhe kishin lidhje njëri me tjetrin. Njëri bunker ishte rregulluar në anën e poshtme me një hyrje që lidhej me istikame, të cilat të çonin tek bunkeri tjetër i cili ishte në anën epërme mbi 200 metra më lartë dhe kishte dy hyrje. Për mbrojtjen e popullatës civile, në Lagjen Gjinovci nga vet banorët e kësaj lagjeje ishin ndërtuar bunkerë në luginën e quajtur “Livadhi i Dermakut”. Pjesë e kësaj pune, ishte edhe hapja e llogoreve përreth rrugës nëpër mal te “Lagjja Badra”. Po nga kjo lagje fshatarët kanë hapur një korridor nëpër pyll duke prerë drurë deri në vendin e quajtur “Bregu i Melishtës” në Belinc.

“Pika-pika mbushet pusi” thotë populli. Dita ditës, po vazhdonte rritja e radhëve të UÇK-së. Kërkesat për armatim dhe municion ishin të arsyeshme. Më 5 korrik 1998, pikërisht bazuar në nevojat për municion dhe armë organizohet udhëtimi për në Shqipëri. Është Enver Mehmeti, ai i cili në bashkëpunim me Ramush Nuredinin (përgjegjës i sektorit civil) do të shkojnë shtëpi më shtëpi për organizimin e rekrutëve të rinj. Nisja e tyre për Shqipëri do të bëhej po nga një rrugë që atë botë se kishte emrin që sot mban “26 Korriku” në Zborc. Para nisjes kishte ardhur luftëtari Sadik Shala nga Kleçka së bashku me Shukri Bujën “Gazetari”, për të marrë rekrutët që duhej nisur për Shqipëri:

  1. Arsim Abaz Haziri,
  2. Gani Shefki Mehmeti,
  3. Lulzim Kadri Kadriu,
  4. Naser Sami Mehmeti,
  5. Nasuf Rexhep Morina nga Krojmiri (Lipjan),
  6. Nazmi Rexhë Dauti “Shqiponja”,
  7. Ramadan Ajet Mehmeti,
  8. Shaban Xhemshir Zeqiri nga Varigovci (Lipjan),
  9. Skender Hamit Ramusa,
  10. Smajl Sylë Sadiku,
  11. Xhevdet Sylë Bajrami “Rreziku”.

E veçanta e kësaj dite ishte i riu, Besnik Sylë Sadiku, i cili përvjedhtas kishte hyrë në xhip për të udhëtuar me bashkëluftëtarët e tij. Ky veprim i erdhi për shkak të vullnetit të madh për të pasur një armë, me të cilin do ta luftonte robërinë e tij, por për shkaqe të moshës së re e detyrojnë të zbresë dhe të kthehet i dëshpëruar në shtëpi. Mirëpo, në vend të tij shkon i vëllai, Smajl Sadiku. Shembulli i Besnikut është një pikë ujë në oqeanin e madh të shumë e shumë vullnetarëve anekënd Kosovës, që ishin të gatshëm për të rrezikuar por gjithnjë duke pasur shpresën se e keqja do të mundet nga e mira. Atë ditë nga Zborci udhëtuan për Krojmir – Shalë – Kleçkë – Malishevë – Gllogjan – Junik. Ishte mëngjes afërsisht kur ata arritën në Junik. Në xhaminë e këtij vendi, po në mbrëmjen e kësaj dite, do të kenë fjetur rreth 200 veta. Mëngjesi së nesërmes i gjen në këmbë dhe pasdite nisin udhëtimin e tyre të mundimshëm drejt kufirit në “Rrasë të Zogut”, duke ecur përreth maleve të Shkëlzenit për të kaluar matanë kufirit në fshatin Hoxhaj të Tropojës (Shqipëri). Rrugëtimi i tyre ishte përafërsisht 15 orë duke shtegtuar nëpërmjet dy karakollëve të Ushtrisë Jugosllave. Në fshatin Hoxhaj janë vendosur në një shkollë të vjetër të fshatit për të qëndruar aty katër-pesë ditë. Por qëndrimi në të kishte qenë shumë i vështirë për shkak të kushteve të rënda si pasojë e qëndrimit pothuaj të 1000 vetëve, të ardhur nga anë të ndryshme të Kosovës për të njëjtin qëllim. Vetëm ushtarët e Zborcit, për të cilin kemi hapur këtë temë, kishin një dhomë dhe bashkë me disa sivëllezër nga Malisheva, në të duhej të flinin të 34 sa ishin. Dhoma kishte vetëm katër dyshekë e që ishin të pamjaftueshëm. Skender Ramusa thotë se ushqimin e kishin ngrënë kryesisht me domate të papjekura dhe konserva peshku. Në situata të tilla nuk ka njëri që nuk thyhet moralisht, por mbi dëshpërimin ishte ajo që në terminologjinë shoqërive në zhvillim quhet ‘vizion’ dhe që i bënte të pamposhtur për t’u çliruar. Sigurisht se në mendje mund t’ju ketë shkuar se do të hasin në vështirësi. Ishte tashmë koha që nga ato vështirësi t’i shijonin për t’u kalitur për sfidat e ardhshme. Ishte më se e nevojshme përshtatja në kushtet e rrethanat e luftës. Pas kësaj kohe, ata dërgohen pak më poshtë, tek një shtëpi e vjetër. Dhe kur themi e vjetër duhet nënkuptuar ato shtëpi të mbuluara me rrasë guri. Aty një kamion është zbrazur nga armët të cilat, të gjitha ishin të lyera me lubrifikues. Vullneti për të dërguar armë sa më shumë në Kosovë i bënte luftëtarët që të merrnin sa më shumë në llogari të fuqive të tyre individuale.  Mirëpo, ata që ishin me përvojë ju sugjeronin të merrnin vetëm aq sa kanë mundësi të bartin ngase rruga ishte e gjatë dhe mjaftë sfiduese. Kthimi në Kosovë qe bërë nga e njëjta rrugë nga kishin shkuar. Përgjegjës për grupin e Zborcit qe ngarkuar Arsim Haziri.

Luftëtarë të lirisë, nga e djathta në të majtë: Arsim Haziri, Ramadan Mehmeti, Skender Ramusa, Sabit Nuredini dhe Fidaim Mustafa

Nga gjithsej armatimi i sjellë nga Shqipëria deri në Kleçkë, secilit ushtarë ju kishte lejuar që për vete të mbanin vetëm një armë personale me 120 fishekë, 4 copë bomba dore etj. Kushdo që mbante më shumë është detyruar të dorëzojë ato, po në Kleçkë tek Fatmir Limaj. Për ta ilustruar më mirë këtë fakt, kujtojmë ushtarin Arsim Haziri, i cili tregoj rreth një arme që njohët si ‘mortajë e dorës’ 500-she, të cilin ja kishin ndaluar ta merrte, ndërsa Skendet Ramusa, kujton se si atij ia kishin marrë një pushkë automatike “Kallashnikov” dhe dy bomba dore. Kjo bëhej me arsyetimin për shpërndarje të armatimit dhe municionit në mënyrë racionale sipas nevojave të ushtarëve në terren. Armatimi me të cilin ishin furnizuar ishte ai i këmbësorisë: Pushkë dhjetëshe, njëzetëshe, automatikë, pushkomitroloz të lehtë dhe bomba dore. Më 17 korrik 1998, shënohet kthimi i ushtarëve nga Shqipëria në Zborc. Afati për të rimarrë veten pas udhëtimit ishte caktuar nga Milaim Beha dhe Haxhi Nishori, të cilët u kishin dhënë dy ditë të lira për pushim. Për shkaqe shëndetësore, arma e Lulzim Kadriut që kishte sjellë nga Shqipëria i jepet xhaxhait të tij, Bajrush Xhemshir Kadriut.

Një ditë më parë, para se të ndodhte ajo që sot njihet si 25 dhe 26 Korriku i Zborcit, fshatarët e këtij fshati kishin vazhduar me hapjen e istikameve në drejtim të “Pishave të Shtimes”, në të cilin vend siç e përshkruam më parë, ishin pozicionuar forcat serbe. Vlen të përmendet se para këtyre dy ditëve të mëdha për Shtimen në përgjithësi dhe Zborcin në veçanti është se koka e kësaj pike bashkë me bashkëluftëtarët nuk ishin në Zborc. Ata gjendeshin në Fushticë të Ulët. Atje ishin Ramiz Qeriqi, Mailm Beha, Enver Mehmeti, Jetë Hasani, Isuf Avdyli, Shaban Zeqiri e të tjerë. Qëllimi i tyre ishte të dilnin në ndihmë asaj zone në të cilën po bëheshin luftime të ashpra me forcat serbe. Ata atje kishin takuar bashkëluftëtarët: Nebih Musliu, Ymer Alushani, Shefket Muhadini, ndërsa në brendi të fshatit ishin luftëtarët: Nusret Salihaj, Emrush Xhema e të tjerë. Duke analizuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe mundësisë së një fillimi të një sulmi nga ana e forcave serbe në drejtim të fshatit Zborc, Ramiz Qeriqi thuhet ta ketë udhëzuar Milaim Behën dhe Enver Mehmetin që të ktheheshin në Zborc dhe të përcjellin punimet e fshatarëve. Ata, duke parë lëvizet e forcave serbe, afërsisht pas mesnate, për çështje sigurie, tërheqin fshatarët nga “Lagjja Badra” meqë kishin dëgjuar një zhurmë të lëvizjes së tankseve.

25 korrik 1998, ditë e shtunë, ora 04:45, vetëm nëntë ditë pas ardhjes nga Shqipëria e ushtarëve furnizues me armë, dhe akoma pa u hapur të gjitha istikamet, forcat serbe nga pozicioni i tyre “Pishat e Shitmes” do të fillojnë granatimet me topa, minahedhës e tankse në drejtim të Zborcit, Belincit, Carralevës, Pjetërshticës… Këto granatime do të kenë zgjatur deri në ora 08:00 duke dridhur tokën nga shpërthimi i tyre. Sipas përshkrimit të dëshmitarëve okular qenë këputur degë të lisave. Llahtaria e bombardimeve shihej ku mbi kokat e civilëve fërfëllonin predhat e skuqura, ndërsa llogoret mbrojtëse të ushtarëve tanimë kishin filluar të humbnin kunturet nga shembjet e tyre si rrjedhojë e detonimve të fuqishme. Ishte një barbari e paparë ndonjëherë, tregojnë banorët për bombardimet dhe gjuajtjet nga të gjitha llojet e armëve që kishte në dispozicion ushtria jugosllave. Dhe nuk ka se si të mos mendosh edhe për pasojat pas kësaj ofensive. Si pasojë e granatimeve ishte plagosur, një banore civile e fshatit, Mevlide Kadriu nga Zborci. Ndërsa pjesa tjetër e popullatës, falë maleve që e rrethonin fshatin dhe bunkerëve, të cilët i kishin ndërtuar, lëshuan shtëpitë, u futën në to dhe shpëtuan pa u vrarë dhe masakruar. Një predhë e minahedhësit, godet shtëpinë e Qerim Mustafë Sahitit në Lagjen Gjinovci, ku shkatërrohet vetëm kulmi i saj pasi që banorët me kohë ishin larguar nga shtëpitë. Kurse në ara dhe livadhe shiheshin gropa me diametër prej dy metrash që ishin hapur nga predhat e topave me kalibër të madh. Ndërkaq, në Lagjen Bajrami predha e forcave serbe kishte rënë përmbi një bunker ku ishin të strehuar familjet e vëllezërve Faik e Sadik Bajrami, Idriz Bajrami dhe Hafir Bajrami (dëshmor i rënë më 14 dhjetor 1998 në Pashtrik të Prizrenit). Nga fuqia e shpërthimit të saj, kishin mbetur pa oksigjen dhe detyrohen të dalin përjashta. Madje, Faiku ishte alivanosur nga mungesa e ajërit, mirëpo falë ndihmës së të pranishmëve, me ujë të freskët ishte këndellur.

Dhe siç pritej, pas granatimit të fuqishëm, tankset e armikut kishin nisur rrugën për në fshat duke granatuar po ashtu pa pushim. Me të hyrë në Zborc, fillimisht ishin djegur të mbjellat (gruri). Duke qenë muaji korrik, vapa përvëluese e ndihmoi këtë proces. Fillimisht në Lagjen Badra janë vërsulur këmbësoria duke u futur shtëpi më shtëpi dhe duke i djegur ato. Zborci ishte mbuluar me tym e zjarr.

Rreth orës 12:00, forcat serbe, kishin arritur tek shkolla “Abdullah Shabani”. Këtu forcat armike janë shpërndarë, një pjesë e tankseve ka hyrë drejt shtëpive të Lagjes së Furkajve dhe një pjesë janë pozicionuar te varrezat nën shkollë. Mirëpo, pjesëtarët e UÇK-së zhvilluan me heroizëm të pashoq luftimet të pozicionuar nëpër istikame, ku nga bunkeri i poshtëm ishin të rreshtuar trimat e lirisë: Haxhi Nishori, Ruzhdi Salihu, Brahim Brahimi, Sabit Nuredini, Gani Mehmeti, Ramadan Mehmeti, Adnan Muharremi, Xhevdet Bajrami, Smajl Sadiku, Bajrush Kadriu, Bajram Baftiu, Shaban Zeqiri nga Varigovci, Hyvzi Gashi nga Pjetërshtica, Osman Zeqiri nga Varigovci, Nazmi Dauti, Naser Mehmeti, Arsim Haziri, Enver Mehmeti, Milaim Beha, Njazi Dugolli “Dudi”, Lulzim Spahiu nga Pjetërshtica, Skender Ramusa, Zaim Baftiu nga Kraishta, Enver Avdyli nga Shtimja, Afrim Rexhepi nga Shtimja dhe Gazmend Shala nga Kraishta. Në Zborc, kalohet nga lufta guerile në luftë frontale ballë për ballë. Pra, luftëtarët e lirisë e presin armikun me pushkë në dorë pa pasur frikë nga vdekja.

Pasojat e futjes së forcave serbe në fshat vërehen qysh me goditjen e shkollës me një predhë, me çka përfundon kjo shkollë duke u ndarë përgjysmë. Ndërsa pjesa e mbetur e saj (montazha) digjet komplet duke u bërë rrafsh me tokë. Pas kësaj forcat serbe do të vazhdojnë tutje në Lagjen “Xhemjali” dhe në Lagjen e Furkajve. Vlen të përmendet se nga këto veprime vandale të paramilitarëve serb është djegur për së gjalli plaku i palëvizshëm, Haki Ilaz Ilazi (98-vjeçar). Gjatë kohës sa kishte një pauzë nga ana e forcave serbe, rreth orës 13:00 kishte ardhur eprori ushtarak, Shukri Buja, i cili me të ardhur kishte shkrepur një rafal me PKT për t’u tërhequr më pas tek pozicionet ushtarake në Blinajë. Kësaj kundërpërgjigje forcat serbe do t’ju përgjigjeshin me granatime dhe një “Pragë” bashkë me autoblinë për të shtyrë pozicionin e tyre edhe për 20 metra avantazh nga kishin qenë më parë tek shkolla, duke gjuajtur në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, të ktheheshin sërish në pozicionin e më parmë. Kështu kishin vepruar dy-tri herë radhazi.  Pas një dyluftimi, pjesëtarët e UÇK-së ishin bërë të pakapërcyeshëm dhe nuk kishin lejuar për asnjë çast të kalonin forcat ushtarake dhe policore serbe.

Dhe sikur të ishte vetëm fronti luftarak do të ishte pak më lehtë mirëpo nevoja për të siguruar civilët kishin bërë që përgjegjësi i pikës së UÇK-së, Milaim Beha bashkë me zëvendësin e tij, Enver Mehmeti të lëviznin sa nga një pozicion, sa në tjetërin që t’u dilnin në ndihmë popullatës që të tërhiqej nga fshati. Më pas të njëjtit do të shkonin afër Lagjes Badra, e cila ishte atakuar e para qysh në orët e hershme të mëngjesit nga armiku. Atje për fat të mirë tanimë qenë tërhequr me kohë popullata. Pas kësaj ata do të vazhdonin rrugën në drejtim të Lagjes Feka të Carralevës. Sipër kësaj lagjeje, pranë rrugës së asfaltuar, forcat serbe kishin vendosur pushkomitrolozin e rëndë. Milaimi që bartte pushkën automatike “Kallashnikov” dhe Enveri me karabinën e tij me pesë fishekë vendosin t’i godasin nga largësia forcat armike. Këtij sulmi forcat serbe nuk do t’i përgjigjeshin për rreth 20 minuta për të filluar më pas me gjuajtje në anën e kundërt të malit pasi që si duket nuk do ta kenë kuptuar se nga i kishin ardhur të shtënat.

Në pozicionet e tyre, ushtarët çlirimtarë të vendosur nëpër istikame ishin të pamposhtur dhe bënin luftën frontale ballë për ballë me armikun saqë nga luftimet e rrepta disa nga ta qenë mbuluar nga shembja e dheut të llogoreve. Lufta e filluar në orët e hershme të mëngjesit do të kishte vazhduar deri në mbrëmje për t’u qetësuar më pas. Rreth orës 23:00, pjesëtarët e UÇK-së kishin nisur grupe-grupe (me ndërrime) të shkonin për të ngrënë darkë te rruga që shkon për Carralevë. Aty përjashta në natyrë shërbeheshin me ushqim nga i riu, Hafir Imri Bajrami, i cili e siguronte dhe sillte ushqimin nga Shtabi i UÇK-së dhe shtëpitë përreth. Me të përfunduar të darkës së vonë, ushtarët sërish ktheheshin në pozicione.

FROCAT SERBE PAS GRANATIMEVE HYJNË NË BELINC

Fryma e luftës tashmë në shumë vendbanime ndjehej gjithandej Kosovës, kështu që me mundësitë e tyre që kishin edhe banorët lokal të fshatit Belinc ishin parapërgatitur dhe rreshtuar përkrah forcave çlirimtare në ndihmë dhe hapje të istikameve të luftës. Një gjë të tillë për vetëmbrojte e kishin bërë së bashku me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dalje të fshatit Belinc, përgjatë rrugës që shkon në Carralevë duke ngritur në të djathtë të rrugës dy bunkerë te vendi i quajtur “Bregu i Melishtës”, të lidhur në të dy anët e rrugës automobilistike me llogore për rezistencë kundër armikut. Mirëpo ende pa përfunduar mirë istikamet, forcat armike kishin mësyrë fshatrat për të vrarë e djegur çdo gjë shqiptare.

Më 25 korrik 1998, në orët e hershme të mëngjesit, Ushtria Jugosllave dhe forcat policore serbe nga “Pishat e Shtimes” nisin granatimin duke sulmuar me sisteme të armatimit të rëndë fshatrat: Belinc, Zborc, Carralevë, Pjetërshticë e të tjerë. Gjatë këtij sulmi popullata civile e fshatit Belinc, për të shpëtuar kokën kishin lëshuar shtëpitë duke ikur në pyje të afërta dhe në vende ku ndjeheshin pak sa më të sigurt nga predhat e artilerisë serbe.

Për të shpëtuar kokën nga granatimet e ushtrisë jugosllave, nën këtë urë gjeti strehimin Medi Limani së bashku me 12 banorë të fshatit Belinc

Atë ditë, për të shpëtuar nga granatat e Ushtrisë Jugosllave, 13 banorë të fshatit Belinc, kishin vendosur të gjejnë strehim të përkohshëm nën urën e rrugës magjistrale Shtime – Prizren. Dikund rreth orës 7:00 të mëngjesit, tregon Medi Limani, i njohur në popull me nofkën “Gadafi”, se kishin lëshuar shtëpitë dhe pas kësaj kishin kaluar lumin “Carraleva” dhe nëpërmjet një shkalle të drurit një për një ishin strehuar nën urë. Sipas kësaj dëshmie po në këtë urë kishin gjetur strehë:

  1. Medi Goni Limani,
  2. Arife Limani,
  3. Nusret Rexhep Abazi,
  4. Tahir Ferat Musliu,
  5. Sevdije Musliu,
  6. Shkukri Tahir Musliu,
  7. Ganimete Tahir Musliu,
  8. Hajrije Musliu,
  9. Shaban Liman Limani,
  10. Xhemile Limani,
  11. Rrahim Idriz Hasimi,
  12. Arsim Rrahim Hasimi,
  13. Bedri Qazim Maksuti nga Gjurkovci

Pasi kishin granatuar fshatin, tankset dhe automjetet e blinduara të ushtrisë dhe policisë serbe ato do të niseshin për në fshatit Carralevë. Pas tyre do të vijonin trupat e këmbësorisë me policë të shumtë, të cilët nga rruga automobilistike gjuanin pandërprerë në drejtim të fshatit. Dalëngadalë, forcat armike ishin afruar pranë urës në fjalë dhe e hedhin një bombë me gas lotësjellës. Eksplodimi i bombës kishte shkaktuar panik dhe të gjithë fshatarët detyrohen shpejt e shpejt të lëvizin nën urë. Në këtë rast, tregon Mediu se ai kishte reaguar duke ju thënë në gjuhën serbe: “Ne pucajte, mi smo civili!” (Mos gjuani, ne jemi civilë!). Ashtu si kishin mundur duke u rrëzuar e çuar kishin filluar të iknin nga ura në drejtim të fshatit. Breshëria e plumbave të armikut nuk kishte të ndalur. Kjo kishte bërë që të qëllohet për vdekje pjesëtari i UÇK-së, Nesret Rexhep Abazi (1975) nga Belinci. Nesreti për fatin e tij, nuk kishte më shumë se dy ditë që ishte kthyer nga Juniku bashkë me disa bashkëfshatarë të tij. Ai atje kishte shkuar për t’u furnizuar me armatim e municion në Shqipëri, mirëpo në Junik kishte pasur luftime të ashpra, gjë që nuk kishin arritur të depërtojnë matanë kufirit, prandaj ishin kthyer në shtëpi.

Monument i përjetësisë për dëshmorët e UÇK-së në Belinc, në mesin e të cilëve bënë pjesë dëshmori i lirisë Nesret Abazi, i rënë më 25. 7. 1998

Po nga këto breshëri armësh armike plagoset rëndë, Bedri Maksuti nga Gjurkovci, i cili ishte nip i Rrahim Hasimit. Këtij policia serbe ia lidhin plagën dhe e lënë symbyllur përmbi ferra duke menduar se është i vrarë. Vetëm pasi forcat serbe ecin më tutje, Bedriu arrin të tërhiqet deri në pyll, ku takohet me Xhevat Ferat Musliun, i cili bashkë me kunatën Sevdije Musliun dhe fëmijët e saj: Ganimeten, Shukriun dhe gruan e tij, Hajrijen shkojnë deri tek Pojatat e Rancës. Aty, Xhevati ju rekomandon të qëndrojnë dhe ai vet shkon tek Shtabi i UÇK-së në Rancë për të kërkuar ndihmë për Bedriun e plagosur. Pjesëtarët e UÇK-së veprojnë urgjentisht dhe të plagosurin e dërgojnë fillimisht në Petrovë për ndihmë të parë te dr. Vezir Bajrami, mandej e dërgojnë në Pjetërshticë te dr. Jakup Ismajli, i cili e udhëzon të vazhdojë trajtimin e mëtutjeshëm në Gajrak të Malishevës.

Kështu ky i ri arrin të shpëtojë nga vdekja. Disa prej banorëve kishin arritur të ikin nga kthetrat serbe, e disa kishin pësuar. Këtu do të flasim pak për ngjarjen e Mediut dhe Asim Hasimit. Mediu kishte marrë  plagë në të dy këmbët, kurse Arsim Hasimi ishte plagosur në shpinë. Për më tepër, plaga e Asimit ishte më e komplikuar sepse plaga e tij kishte depërtuar edhe në gjoks. Forcat serbe do të arrijnë që t’i arrestojnë Rrahimin, Arifen, Mediun dhe Arsimin. Në rrugë, Mediut dhe Arsimit forcat serbe ua lidhin me fasha plagët. Po ashtu edhe do t’i kërcënonin se: Vetëm një plumb nëse shkrep nga UÇK-ja ju do të jeni të vrarë në vend. Që të gjithë të arrestuarit do t’i dërgonin në  hyrje të Stacionit të Policisë në Shtime. Aty tregon Mediu se nga plaga që kishte marrë Arsimi, ai kishte etje të madhe dhe se po kërkonte ujë për pije. Mediu do të marrë guximin t’i drejtohet një polici lokal të Shtimes, Nebojša Dedić që t’i sillte ujë. Polici kishte pranuar dhe u kishte sjellë një shishe me ujë. Pos kësaj ai Mediut do t’i rekomandonte që mos t’i jepte ujë Arsimit për shkak të plagës së tij në gjoks duke aluduar se do të mund ta mbyste në vend. Ai i kishte thënë që vetëm t’ia freskonte buzët. Mediu thotë se kështu kishte vepruar. Për vete pita fillimisht pak ujë, mandej Arsimit vetëm ia laga buzët. Arifen dhe Rrahimin atë ditë policia i kishte liruar, kurse Mediun dhe Arsimin me një veturë “Lada” të Shtëpisë së Shëndetit nën shoqërimin e dy policëve i kishin nisur për në Qendrën Klinike të Spitalit të Prishtinës. Gjatë rrugës, në Lipjan iu kishte plasur ftohësi i ujit të veturës. Aty do të ndaleshin përkohësisht deri sa një qytetar shqiptar të rastit do të ndalonte, i cili po ashtu kishte pasur një veturë “Lada”. Aty të plagosurit kishin hipur për të udhëtuar tutje deri në Spitalin e Prishtinës. Gjithnjë sipas dëshmisë së Mediut, pasi kishin hyrë në Repartin e Kirurgjisë, ata ishin ndarë.

“Në katin e parë, thotë Mediu,  mua më vendosën në një dhomë së bashku me një qytetar shqiptar të fshatit Koshare të Ferizajt, i cili ditë më parë kishte pasur një aksident në komunikacion. Ndërsa, Arsimin e vendosin në një dhomë tjetër. Po atë ditë, tregon Mediu, më ka operuar pa anestezion dr. Bedri Bakalli. Kam pasur dhimbje shumë të mëdha. Po ashtu, kujdes ka treguar edhe dr. Shyqeri Bajraktari”.

 VËZHGIMI I POZICIONEVE TË UÇK-SË TE “BREGU I MELISHTËS” NË BELINC

Në mëngjesin e hershëm, më 25 korrik 1998 nga Pjetërshtica  pjesëtarët e UÇK-së: Besim Hasimi nga Belinci, Hasan Avdyli, Naim Ismajli, Nexhmedin Ahmeti nga Carraleva i gjen tek vendi i quajtur “Bregu i Melishtës” (bërryli i madh i Belincit) për të vëzhguar pozicionet dhe për t’u kujdesur për mosvendosjen e minave nga ana e armikut. Fillimisht ata vëzhgojnë nëpër transhetë e kësaj zone, mirëpo ndërkohë dëgjojnë ushtimën e tankseve serbe. Nuk zgjatin shumë kohë fillojnë granatimet. Me këtë rast, katër pjesëtarët e UÇK-së janë pozicionuar në të djathtë të rrugës që shkon për në Shtime, përkatësisht në anën e Belincit, te “Arat e Jazit”. Aty kanë parë këmbësorinë e ushtrisë armike duke ardhur në drejtim të Carralevës. Tashmë disa banorë civilë kishin rënë në duar të forcave armike dhe për të ruajtur ata nga më e keqja, pjesëtarët e UÇK-së detyrohen të mos i sulmojnë. Me këtë rast, dy luftëtarët e lirisë, Nexhmedin Ahmeti dhe Hasan Avdyli tërhiqen drejt fshatit Rancë, kurse Naimi Ismajli bashkë me Besim Hasimin, i cili kishte familjen brenda fshatit, kishin vëzhguar nga afër forcat armike deri në tërheqje të tyre dhe më vonë të dytë do të shkojnë në Rancë.

POLICIA SERBE EKZEKUTON BABË E BIR NË CARRALEVË

Disa ditë më parë, gratë dhe fëmijët e familjes Selmani ishin zhvendosur nga Carraleva në drejtim të fshatit fqinj, Zborc për t’u vendosur te familja e nipit të tyre, Sabit Ibush Nuredini. Në shtëpi kishin mbetur Selmani dhe djemtë e tij, Agimi dhe Izaimi. Në mëngjesin e hershëm të datës 25. 7. 1998, rreth orës 6:00, forcat serbe e kishin bombarduar fshatin. Me Selmanin, krahas djemve të tij, Agimit dhe Izaimit, gjendeshin edhe fqinjët: Burim Mehmet Maksuti dhe Skender Ahmet Halili, të cilët një natë më herët kishin bërë një natë në shtëpinë e tyre.

Izaimi, Burimi dhe Skenderi kishin dalë nga shtëpia për t’u  nisur në drejtim te malit përmbi shtëpi. Izaimi, duke dalë nga shtëpia, u kishte thënë të atit, Selman Sylë Selmani (63) dhe të vëllait, Agim Selman Selmani (33) që edhe ata të niseshin sa më parë. Edhe Agimi kishte arritur të ikte nga shtëpia e të shkonte në pyll afër shtëpisë, por ishte rikthyer për të parë fatin e babait të tij. Fatkeqësisht forcat serbe e kishin ekzekutuar edhe atë.

Nga kriminelët serbë në Lagjen Feka të Carralevës arriti të shpëtonte me plagë të rënda, Zaim Selmani (1970), i cili gjatë luftës është mjekuar në Gjermani, mirëpo pasojat dhe gjurmët e plagëve i mbetën përjetë

Nga ky sulm kishte pësuar edhe Zaim Sylë Selmani në pyll. Ai ishte plagosur rëndë nga predhat e artilerisë serbe. Plagë të rënda kishte marrë nga ciflat e predhës në këmbën e djathtë, në dorën e majtë në tri vende dhe në anën e djathtë në bel. Këmba e djathtë e tij nga predha gati ishte këputur. Zaimi tregon se është afruar te shtëpia e Shefqet Hamdi Beqës nga i cili ka kërkuar ndihmë për të shpëtuar nga kthetrat e forcave serbe. Atë, Shefqeti e ndihmon duke e tërhequr në thellësi të pyllit, mandej pas tri orëve e takojnë ushtarin e UÇK-së, Ramadan Behluli së bashku me dy ushtarë tjerë, të cilët e dërgojnë në Pjetërshticë për mjekim. Po ashtu nga forcat serbe ishte plagosur në këmbë, Skender Ahmet Halili. Ky djalosh i ri kishte qenë me fat të madh sepse kishte arritur të shpëtonte nga më e keqja. Vdekja atë ditë për të kishte qenë larg trupit të tij por thuaj për fije floku. Në disa vende në trup kishte pasur vija të kuqe nga plumbat që ia kishin përshkuar teshat e trupit por kishte shpëtuar. Të dytë arrijnë të shkojnë në Pjetërshticë për të marrë ndihmën e parë nga dr. Jakup Ismajli dhe personeli ndihmës mjekësorë: Musa Baftiu, Lumnije Gashi, Xhemail Dugolli, Magbule Brahimi, Shefkije Hoxha-Gashi, Arbana Qeriqi, Tahir Krasniqi, Reshat Gashi, Tefik Kadriu e të tjerë.

FORCAT ARMIKE U GODITEN ASHPËR NË LAGJEN ZEKA TË CARRALEVËS

Prej orës 4:00 të mëngjesit, më 25 korrik 1998, një njësitë ushtarak i UÇK-së ishte vënë në gjendje gatishmërie, i vendosur në istikame përgjatë arës së Bajram Shaqirit, përmbi lagjen Zeka të Carralevës. Në këtë pozicion ishin edhe dy bunkerë që shfrytëzonin luftëtarët e lirisë gjatë kohës sa granatohej nga Pishat e Shtimes. Atë ditë, përgjegjës i kësaj pike ushtarake ishte Ali Mejzinolli nga Shala e Drenasit. Së bashku me te ishin ushtarët çlirimtarë: Azem Kastrati nga Nekoci, Isuf Avdyli nga Carraleva (me pushkën M 48, të huazuar nga Adem Nuhë Ismajli), Ragip Veseli nga Dremjaku, Agim Cani nga Baica, Fazli Smajli nga Carraleva, Shaip Kastrati nga Nekoci e të tjerë. Ky grup luftarak kishte në dispozicion armë të këmbësorisë: Pushkë automatike, një PKT, pushkë M 48, pushkë snajper, një mortajë të dorës 150-she dhe bomba dore. Për të vëzhguar nga afër pozicionet e forcave të UÇK-së, atë ditë rreth orës 10:00, tregon Isuf Avdyli kanë ardhur eprorët ushtarakë: Shukri Buja dhe Ramiz Qeriqi, i veshur me rroba kombëtare. Ndërkohë, pasdite nga Lagjja Feka, forcat serbe kishin mësyrë hyrjen në brendi të fshatit Carralevë. Një pjesë e këmbësorisë serbe nga lagjja e sipërpërmendur ngjitet kodrës përpjetë në drejtim të Zborcit, të cilët e lakojnë rrugën në majtë dhe dalin te livadhi i Mustafë Hajrullah Qerkinit përmbi shkollën “Abdullah Shabani’ të Carralevës, kurse pjesa tjetër me një “Pragë” vijnë nëpër rrugën magjistrale Shtime-Prizren dhe bashkohen afër shkollës së fshatit. Gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, forcat armike vijnë duke gjuajtur pandërprerë me armë të llojllojshme. Për të ndërprerë marshimin e mëtutjeshëm të tyre, rreth orës 15:00, në qendër të fshatit, forcat e UÇK-së, kanë goditur armiqtë në befasi, ku luftimet e ashpëra kanë vazhduar deri rreth orës 18:00. Në vijë të frontit, ushqim dhe municion u kishte dërguar Ali Gashi, i njohur si Ali Mullini nga Pjetërshtica.

Sipas të dhënave serbe, më 25 korrik 1998, në Carralevë nga ora 15:00 deri në ora 16:00 me armë automatike dhe snajper të forcave të UÇK-së është vrarë polici serb Bora Gradimir Stefanović (1970) nga Sokobanja (Serbi), ndërsa janë plagosur rëndë, Zoran Lapajne (1967) dhe Goran Miladinović (1972).

DITËN E DYTË VAZHDOJNË LUFTIMET NË ZBORC

Dita e dytë e luftimeve, pra më 26 korrik 1998 (e diel) kishte filluar që në ora 7:00 e mëngjesit. Gjersa serbët po ndiznin tanket, luftëtari Ruzhdi Salihu i pari kishte shtjerë drejt tyre me pushkën M 48.

Kjo është pushka e simbolit të lirisë, Ruzhdi Salihu që u rezistoi tankeve serbe

Tankset e armikut lëvizin dhe më pas gjuajnë. Kështu kishin vazhduar deri rreth orës 10:00. Disa ushtarë tanë, këtë ditë mungonin në fushëbetejë. Gjatë gjuajtjes nga ana serbe qe goditur bunkeri i poshtëm me një predhë dhe kishte bërë që të dilte tymi nga djegia e dushkut. Nga kjo goditje kishin marrë plagë: Sabit Nuredini në kokë, Haxhi Nishori ishte plagosur në veshin e majtë, Brahim Brahimi, kishte marrë plagë në kofshën e majtë dhe Osman Zeqiri ishte plagosur në këmbën e djathtë. Pastaj, Ruzhdiu ju kishte ndihmuar të gjithë të plagosurve të tërhiqeshin deri te bunkeri i dytë lartë.

Kohë më parë kanë ardhur në përforcime: Jetë Hasani, Fadil Rahovica, Hasan Qeriqi, të cilëve u janë bashkuar: Milaim Beha, Skender Ramusa e Enver Mehmeti dhe ishin nisur nga Lagjja Bajrami për të vëzhguar pikat e UÇK-së në Lagjen e Topillëve dhe nga aty janë afruar pranë Lagjes së Furkajve, nga kishin goditur forcat armike. Me këtë rast, forcat serbe kundërpërgjigjen me armatim të rëndë. Mandej, pjesëtarët e UÇK-së detyrohen të tërhiqeshin gradualisht drejt bashkëluftëtarëve të tyre në istikame te Lagjja Bajrami. Nga breshëria e armëve që vinin prej tankseve serbe u ishte pamundësuar të shkojnë tutje. Ata  arrijnë të tërhiqeshin deri te rruga që të çon në Carralevë, vend ky në të cilin fillojnë të vijnë edhe ushtarë tjerë.

Në këtë vend është plagosur për vdekje luftëtari i lirisë, Ruzhdi Salihu

Pranë llogoreve dhe bunkerit një tanks dhe një autoblindë e forcave armike ishte afruar, kurse pas tyre shkonte një “Pragë” me plotë automjete tjera të blinduara. Ishin bërë mbi 30 orë luftime të pabarabarta dhe rreth orës 11:00, simboli i qëndresës Ruzhdi Islam Salihu (37) duke u kthyer teposhtë tek pozicioni i tij, kishte gjuajtur në drejtim të forcave armike. Nga kundër sulmi armik ai është goditur në pjesën e djathtë të kraharorit duke iu shkaktuar kështu plagë të rënda nga autoblinda e forcave armike. Ndihmën e parë ia kishin dhënë menjëherë bashkëluftëtarët e tij: Shemsi Olluri, Bajram Baftiu, Hyvzi Gashi, Azem Kastrati dhe Naser Mehmeti. Pas këtij rasti, Shemsi Olluri “Kaçurreli” ishte rikthyer në vijë të frontit dhe me mortajë të dorës 150-she, i kishte gjuajtur me dy-tri predha. Nga gjuajtjet e tij, një tanku i kishte dalë tymi i zi. Sulm tjetër ishte ai i  Hyvzi Gashit, i cili kishte gjuajtur autoblindën me kallashnikov.

Në ndihmë u kishte ardhur Azem Kastrati, i cili fillimisht takohet me luftëtarin Smajl Sadiku që ishte i pozicionuar në krye të istikameve. Ai atë e kishte udhëzuar që të qëndronte aty, por vet kishte shkuar teposhtë nëpër istikame për të tërhequr shokët tjerë nga vija e frontit, të cilët rrezikoheshin nga çasti në çast.

Nga pozicionet e poshtme kishin arritur të tërhiqeshin ngadalë luftëtarët e lirisë: Ramadan Mehmeti, Hyvzi Gashi, Gani Mehmeti, Azem Kastrati e të tjerë.

Ndërkohë, luftëtari i lirisë, Ruzhdiu, ishte tërhequr nga bashkëluftëtarët nga vija e frontit duke u transferuar së pari në ambulancën ushtarake, në Pjetërshticë. Aty ndihmën e parë ia ka dhënë dr. Jakup Ismajli, i ndihmuar nga dr. Fatmir Xhelili së bashku me infermierë, ndërsa më pas Arsim Haziri, Reshat Gashi dhe Shyqeri Iballi e kishin transferuar në pikën shëndetësore që gjendej në fshatin Gajrak të Malishevës te dr. Agim Hazrolli.

Lapidar i ngritur kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të Zborcit, në mesin e të cilëve bënë pjesë dëshmori i parë i UÇK-së, i rënë në Komunën E Shtimes, Ruzhdi Salihu dhe martiri 98-vjeçar Haki Ilazi

Gjatë rrugës, Ruzhdiu, si pasojë e lëndimit të madh në kraharor, kishte ndërruar jetë. Në orët e pasdites, nga ciflat e granatës në Krojmir është vrarë Afërdita Shaqir Qeriqi (22), ndërsa ishin plagosur babai i saj Shaqiri dhe vëllai Samiu.

Pas tërheqjes së UÇK-së, forcat serbe që nga kjo ditë qenë pozicionuar në Zborc te Lagjja Bajrami, te varrezat e Lagjes së Gjinovcëve dhe në aksin rrugor nga Zborci deri në Carralevë, gjegjësisht në rrafshnaltën e përshtatshme në Beshenik të Carralevës, prej nga vëzhgohej terreni si në shuplakë të dorës. Me pushtimin e fshatit Zborc, Carraleva më nuk kishte kurrfarë mundësie reale për të rezistuar ngase forcat armike tashmë kishin avancuar dhe marrë nën kontroll pozicionet e larta strategjike. Pra, kishte pushtuar atë pa luftë dhe rezistencë, ndërsa UÇK-ja kishte tërhequr forcat e veta nga “Lugu i Ibrës” dhe ishte vendosur në pozicionet e dyta te “Rrahu i Rexhepit” në Carralevë. Gjatë, ditëve në vijim, në Zborc armiku kishte pasur humbje njerëzore dhe në teknikë luftarake.

Në mëngjes, më 31 korrik 1998, rreth orës 4:00 disa kilometra nga Lipovica, në fshatin Zborc të Shtimes, forcat e UÇK-së kanë sulmuar pjesëtarët e forcave armike, me këtë rast janë plagosur rëndë policët serbë: Miroslav Perić, Milan Ilić dhe Dušan Borčić. Nga pasojat e lëndimeve të rënda trupore, më 3 gusht 1998, në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ka vdekur Miroslav Jovo Perić (1952) nga Hani i Elezit.

Pas gjithë kësaj, me mjete të shumta luftarake, forcat serbe u pozicionuan përgjatë rrugës Shtime – Suharekë duke u vendosur te Lagjja Feka, pastaj te Lagjja Zeka në vendin e quajtur “Guri i Shkamit”, mandej në Lagjen e Elezajve, në Lagjen e Balajve në “Rudinë” dhe në Lagjen e Epërme deri te varri i Abdullah Shabanit, në të dy anët e Grykës së Carralevës. Me qëllim mbrojtjen nga sulmet e UÇK-së. Forcat serbe gjithashtu në të dy anët e aksit rrugor pak më tej pozicioneve të tyre nga fshati Belinc deri në Qafë të Duhlës e kishin minuar atë zonë.

TOGA E UÇK-së NË RANCË SULMON USHTRINË JUGOSLLAVE NË CARRALEVË

Ushtarët e Pikës së UÇK-së në Rancë, më 25 korrik 1998 ishin vënë në gjendje gatishmërie dhe vëzhgonin terrenin me kujdes nga Ranca duke kaluar përmbi gurëthyes të ndërmarrjes “PUT” në Carralevë deri në fshatin Belinc. Përgjegjës i Pikës së UÇK-së në Rancë gjatë kësaj periudhe ishte Xhevat Krasniqi “Vetura” nga Tërpeza e Malishevës. Po ashtu në këtë kohë, i pranishëm në Rancë ishte edhe ish-eprori ushtarak i armatës jugosllave, Shefqet Krasniqi nga fshati Damanek i Malishevës.

Të nesërmen, më 26 korrik 1998, rreth orës 11:00, një togë e vogël ushtarake ishte pozicionuar përmbi mullirin e Adem Halil Hasanit deri sipër lagjes Feka në Carralevë. Në këtë grup luftarak merrnin pjesë: Azem Smajli, zëvendëskomandant i Pikës së UÇK-së në Rancë dhe njohës i mirë i terrenit meqë vinte nga fshati Carralevë, pastaj Nesret Musliu “Curri”, Shani Jakupi, Nesret Shashivari, Mejdi Korrani nga Pozharani, Fadil Rashiti, Shaqir Berisha, Isak Brahimi “Boletini”, Milazim Syla, Zymer Kurtishi, Rifat Mujota, Brahim Kurtishi, Shaban Rexhaj, Bajrush Mujota, Muhamet Hysenaj, Mehdi Selmani “Mustaki”, Muhamet Xhemajli “Lisi” e të tjerë. Forcat serbe një ditë më parë kishin pushtuar fshatin Belinc duke ardhur deri te lagjja Feka në Carralevë, ndërsa në Zborc zhvilloheshin ende luftime. Ndërkohë po kalonte një konvoj i ushtrisë jugosllave nëpër rrugën magjistrale që të çon në drejtim të Prizrenit. Trimat e UÇK-së me gjakftoftësi e kishin pritur çastin e duhur për t’i goditur forcat armike. Pjesëtarët e UÇK-së: Zymer Kurtishi dhe Rifat Mujota të parët me pushkët e tyre do të godisnin kolonën dhe një kamion ushtarak. Nga të goditurat e plumbave, kamioni e kishte humbur drejtimin. Menjëherë sulmit me të shtëna në drejtim të armiqve iu kishin bashkuar edhe luftëtarët tjerë të UÇK-së, të cilët bënë luftë ballë për ballë me forcat serbe duke goditur mu në mes të kolonës ushtarake. Forcat serbe iu kishin kundërpërgjigjur me armatim të rëndë, mirëpo pjesëtarët e UÇK-së arrijnë të tërhiqen në bazën e tyre pa asnjë pasojë. Përgjatë kohës sa zhvilloheshin luftimet në Zborc, më 25-26 korrik 1998, një pjesë e pjesëtarëve të Pikës së UÇK-së në Rancë merrnin pjesë në luftën e lavdishme të Grykës së Llapushnikut:

  1. Isak Smajl Musliu “Çerçizi” nga Reçaku – Komandant i Njësitit “Çeliku-3”
  2. Nusret Shaip Salihaj “Zeneli” nga Mollopolci,
  3. Shefket Ahmet Muhadini “Tamuli” nga Lagjja e Pajtimit,
  4. Afet Hasan Bilalli “Çopa” nga Reçaku,
  5. Avdullah Ramadan Musliu “Salihi” nga Reçaku,
  6. Skender Zeqir Salihaj “Mensuri” nga Mollopolci,
  7. Heset Shaip Salihaj “Flamuri” nga Mollopolci,
  8. Bashkim Beqë Beqaj “Paçuku” nga Shtimja,
  9. Fadil Nazif Salihaj “Hoxha” nga Mollopolci,
  10. Ekrem Musli Ramadani “Bardhyli” nga Reçaku,
  11. Bedri Fetah Hysenaj “Rrusta” nga Petrova,
  12. Afrim Ramadan Musliu “Limi” nga Reçaku.

Rancë, 29 shtator 1998 – Nga e djathta në të majtë: Avdullah Musliu, Isak Musliu dhe Afrim Osmani

Lufta po përhapej anekënd Kosovës, mirëpo edhe radhët e UÇK-së po shtoheshin dita-ditës dhe më 26. 6. 1998, pjesë e UÇK-së në Rancë u bënë: ish-oficeri i policisë Bedri Rexhaj “Galani”, Ramadan Hysenaj, Fatmir Rexhaj, Salih Hysenaj, Sokol Rexhaj e Mehdi Rexhaj. Të gjithë këta i janë bashkuar radhëve të UÇK-së me armatimin e vet personal.

FUNDI I KORRIKUT VDEKJEPRURËS PËR DY VËLLEZËRIT AJETI NË CARRALEVË

Gjatë kohës së luftës, rrethina e Carralevës ishte bërë shumë e pasigurt sidomos për banorët e saj që jetonin buzë rrugës automobilistike Shtime – Prizren. Shpeshherë në këtë zonë zhvilloheshin luftime në mes të forcave të UÇK-së dhe atyre serbe. Me këtë rast, në shenjë hakmarrje nga forcat armike e pësonin edhe popullata civile. Një gjë e tillë i kishte ndodhur familjes Ajeti, e cila jetonte në këtë fshat. Vëllezërit Ramizi, Ferizi dhe Xhemajli prej kohësh kishin kushte të rënda ekonomike. Mirëpo, krahas skamjes vëllai i tyre i dytë, Ferizi ballafaqohej prej vitesh me probleme të rënda psikike dhe ishte pa kurrfarë përkujdesje shëndetësore. Ai jetonte në bashkësi me vëllain e madh Ramizin, në pjesën e epërme të fshatit, që vendasit e quajnë “Zhablak”, kurse vëllai i vogël i tyre Xhemajli me bashkëshorten dhe fëmijët e vegjël jetonin në pjesën e poshtme të fshatit, gjegjësisht në lagjen Zeka afër xhamisë. Në muajin korrik të vitit 1998, forcat serbe kishin hyrë në pjesën e poshtme të fshatit, gjë që për çështje sigurie Xhemajli me familje ishte detyruar të shkonte te Ramizi dhe Ferizi. Shëndeti i Feriz Sabit Ajetit (43) ishte përkeqësuar tej mase dhe shpeshherë dilte nga shtëpia. Askush nuk e dinte se ku shkonte. Kështu, më 26. 7. 1998, ai kishe dalë nga shtëpia, por kësaj radhe nuk ishte kthyer më. Gjatë kësaj dite, Ramizi dhe Xhemajli kishin vendosur që ta braktisnin fshatin për të shpëtuar nga barbaria serbe. Bashkëshorten e Xhemajlit dhe fëmijët i kishin vendosur te xhaxhai Rexhepi, që jetonte afër Ramizit dhe Ferizit, kurse ata vetë kishin shkuar te një afërm i tyre në fshatin Ribar të Madh të Lipjanit. Më 28. 7. 1998, Xhemajli kishte vendosur që të kthehej në Carralevë, për ta vizituar familjen. Me te ishte nisur Ramizi. Me t’u afruar pranë shtëpisë së axhës Rexhep, i kishte vërejtur policia serbe dhe kishte shtënë në drejtim të tyre. Xhemajl Sabit Ajeti (35) u qëllua për vdekje, kurse Ramizi arriti për të ikur. Pas lufte, Ramizi u kthye në fshat. Një vendas ia kishte treguar varret e Xhemajlit dhe Ferizit, në livadhet e familjes Çerkini. Ai kishte mësuar se trupi i Ferizit ishte gjetur në pyllin e afërt. Pas lufte, në vitin 2000, pjesëtarët e KFOR-it do t’i  zhvarronin trupat për t’i identifikuar. Familja kurrë nuk i mori mbetjet e tyre mortore.

NË FSHATIN DUGË NGA CIFLAT E PREDHËS GODITET NË KOKË PËR VDEKJE OSMAN HALIMI

Në korrik të vitit 1998, familja e Osman Halimit së bashku me bashkëshorten e tij Qerimen dhe fëmijët, bashkë me banorë tjerë kishin braktisur fshatin Belinc. Atyre u ishte dashtë të qëndronin disa ditë në pyll. Osmani, anëtarëve të familjes u siguronte ushqime dhe në mbrëmje kthehej në shtëpi. Më pas, kishin shkuar te vajza e tyre, Afërdita dhe dhëndri Ramadan Krasniqi, në fshatin Dugë. Në mëngjesin e hershëm, më 30 korrik 1998, forcat serbe kishin filluar granatimin e fshatit. Fshatarët kishin ikur nga fshati. Osmani ishte nisur me familje, por së shpejti ishte kthyer duke ndërruar mendje kështu. Me të qëndruan Ramadani dhe i vëllai Sabriu. Po atë ditë, më vonë, Osmani, Ramadani dhe Sabriu kishin vendosur që të iknin. Pasi dolën në oborr, pranë tyre kishte eksploduar një predhë. Ciflat e predhës, Osman Ramadan Halimin (1952) e kishin qëlluar në kokë, me ç’rast ai kishe ndërruar jetë në vend. Po atë ditë Ramadani dhe Sabriu të ndihmuar nga Haxhi Behluli, Selajdin Krasniqi, Ymri Behluli, Xhavit Krasniqi, Basri Behluli, Daut Krasniqi dhe Bekim Krasniqi bënë varrimin e të ndjerit në pyll nën breshërinë e plumbave dhe granatave të forcave serbe. Në qershor të vitit 2000, familjarët dhe fqinjët e familjes Halimi i rivarrosën mbetjet mortore të Osmanit, në varrezat e fshatit Belinc.

EPILOG

Në ofensivën serbe të ndërmarrë në korrik të vitit 1998, në fshatrat e komunës së Shtimes: Zborc, Belinc, Carralevë dhe Dugë kanë rënë dy dëshmorë të UÇK-së dhe janë vrarë 6 civilë shqiptarë, ndërsa janë plagosur katër pjesëtarë të UÇK-së dhe gjashtë civilë shqiptarë. Ndërkaq, nga radhët e forcave armike sipas të dhënave serbe janë vrarë dy pjesëtarë të policisë serbe dhe katër të tjerë janë plagosur.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës mbrëmë ka dhënë…